Delawie: Amerika është kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë

Prishtinë, 16 maj 2018 – Ambasadori amerikan, Greg Delawie, paralajmëroi se rundi final i dialogut Kosovë –Serbi do të fillojë shumë shpejt.

Ai shprehu bindjen se viti 2018 duhet të jetë vit i suksesit të dialogut.

“Mendoj se ka gjëra që janë pozitive në dialog, mirëpo të dyja palët janë të obliguara që t’i kryejnë obligimet që tashmë i kanë marrë. Unë mendoj se 2018-ta duhet të jetë viti i suksesit të dialogut, të ecet përpara në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe të bëhet një përparim”, tha Delawie në RTV Dukagjini.

Ambasadori Delawie tha se partitë politike duhet të diskutojnë për marrëdhëniet me Serbinë në të ardhmen.

“Mendoj se gjatë muajve të fundit kemi parë që partitë politike po flasin dhe mendoj se kjo është shumë e mirë për situatën politike. Sa i përket dialogut është e rëndësishme që partitë të diskutojnë se si do të duken marrëdhëniet me Serbinë në të ardhmen”, u shpreh Delawie, përcjell Telegrafi.

Duke folur rreth idesë për shkëmbimin e territoreve si opsion që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, ambasadori amerikan theksoi se SHBA-të nuk e përkrahin një ide të tillë dhe asnjë ide tjetër që do të sillte më shumë probleme se sa zgjidhje.

“Ideja e shkëmbimit të territoreve mendoj se e bllokon mendimin kreativ të të dyja palëve se si të arrihet te një zgjidhje përfundimtare. Ne nuk e mbështetim shkëmbimin e territorit e as idetë që do të shkaktonin më shumë probleme se sa zgjidhje”, theksoi Delawie.

Ai tha se themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk e sheh si kërcënim për Kosovën, por si mundësi të mirë për rritjen e stabilitetit dhe mirëkuptimit në ato vende ku kanë munguar këto.

Ambasadori amerikan foli edhe për gjendjen aktuale në Kosovë. Ai tha se sundimi i ligjit duhet të jetë prioritet i Qeverisë, partive politike dhe shoqërisë civile.

“Është shumë më rëndësi që politikanët kosovarë, pa marrë parasysh se a janë në Qeveri, në Kuvend apo janë shërbyes civilë, duhet të zotohen që po punojnë për shtetin dhe për popullin e Kosovës dhe jo për kushëririn, mbesën apo këdo tjetër”, u shpreh Delawie. (r.m.)

Comment

*