Delawie: Partneriteti SHBA-Kosovë është i thellë e shumëdimensional

Prishtinë, 10 gusht 2018 – Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, sot e ka administruar Betimin Solemn të shërbimit për 36 vullnetarë të rinj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët fillojnë shërbimin e tyre dy-vjeçar si mësimdhënës të gjuhës angleze, anembanë Kosovës.

Ambasadori Delawie ka thënë se puna e këtyre të rinjve dhe fryma me të cilën e kryejnë ata këtë punë do të ndryshojë jetë dhe do t’u ofrojë qytetarëve të Kosovës pamje reale të vlerave amerikane.

Ai ka theksuar se Korpusi i Paqes është simbol i dukshëm dhe i prekshëm i kontributit amerikan dhe përpjekjeve për paqe në botë, të cilat e përkufizojnë misionin e Korpusit të Paqes.

“Vullnetarët e Korpusit të Paqes përfaqësojnë partneritetin mes vendeve tona për promovimin e zhvillimit dhe përparimit në Kosovë dhe për ndërtimin e themelit të fort të mirëkuptimit në mes popujve të të dy vendeve tona. Ju, vullnetarë, i përfaqësoni komunitetet nga tërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të ndërtoni miqësi me kosovarët, me komunitetet e tërë këtij vendi. Shtetet e Bashkuara janë ndër miqtë dhe mbështetësit më të afërt të Kosovës. Përkundër atyre që mund të lexoni në shtyp, kjo gjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Partneriteti në mes vendeve tona është I thellë dhe shumëdimensional. Ne punojmë me mund çdo ditë për avancimin e qëllimeve tona të përbashkëta – për demokraci, për siguri dhe për prosperitet. Nuk ka manifestim më të prekshëm se SHBA-ja po e shtrin dorën e miqësisë se sa prania dhe përkushtimi I vullnetarëve të Korpusit të Paqes”, ka thënë Delawie.

Ministri i Arsimit, Shekncës e Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka shfaqur kënaqësinë se edhe 36 vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes po kontribuojnë për zbatimin e praktikave amerikane për një arsimi më të mirë në Kosovë.

Drejtoresha e Programit të trajnimeve të Korpusit të Paqes, Keren Shojder, i ka falënderuar të gjitha familje që i kanë hapur dyert e shtëpive të tyre dhe me zemërgjerësinë e mikpritjen kosovare i kanë pranuar vullnetarët si anëtarë të familjeve së tyre. (r.m.)

Comment

*