Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë biseduan për të zhvendosurit dhe bashkëpunimin rajonal

Bruksel, 30 korrik 2020 – Të enjten në Bruksel është zhvilluar takimi i dytë brenda një jave, në nivel ekspertësh, mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të të dërguarit të Bashkimit Evropian për këtë proces, Mirosllav Lajcak.

Kosova në këtë dialog përfaqësohet nga Skender Hyseni, derisa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Koordinatori i Kosovës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Skender Hyseni, ka thënë se me palën serbe është duke u negociuar një marrëveshje e përgjithshme.

“Po negociojmë elemente të një marrëveshjeje të përgjithshme, e cila në fund do të jetë marrëveshje ligjërisht e obligueshme ndërkombëtarisht dhe që patjetër duhet të rezultojë me normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë- Serbi që nënkupton pashmangshëm njohje reciproke, njohje të ndërsjellë”, ka deklaruar Hyseni pas takimit, citon Radio Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Gjuriq ka thënë se sot u zhvilluan bisedime “shumë të vështira” për kthimin e personave të zhvendosur dhe për pozitën e tyre. Sipas tij, 212 mijë serbë dhe joshqiptarë kanë ende një status të pazgjidhur, nga të cilët 196 mijë janë të dislokuar ende në Serbi, 76 për qind e serbëve.

“Sot, ne kemi pasur një përgjegjësi të madhe që në bisedime me Prishtinën të përpiqemi t’i afrojmë qëndrimet tona dhe të krijojmë parakushte institucionale dhe politike që kthimi të bëhet përfundimisht”, ka thënë Gjuriq.

Gjuriqi ka thënë gjithashtu se tema e dytë e bisedimeve ka qenë bashkëpunimi ekonomik. Ai ka shprehur pozicionin e Serbisë ndaj këtyre temave.

“Pozita jonë lidhur me këtë çështje është shumë e qartë. Ne mendojmë se duhet të liberalizojmë lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve dhe se është e nevojshme të definohen projektet kyç infrastrukturore të cilat duhet te realizohen për t’i përshpejtuar këto lëvizje, siç janë autostrada, hekurudhat“, ka thënë ai.

Gjuriq ka thënë se është lodhur “duke dëgjuar gënjeshtra për negociatat për pavarësinë e Kosovës dhe për një marrëveshje që do të rezultojë në atë që ju ëndërroni” dhe se këtë ia ka thënë në takim koordinatorit shtetëror të Kosovës, Skender Hysenit.

“Nuk do të rezultojë me këtë. Por, mund të rezultojë në normalizimin e marrëdhënieve, tregtisë mes njerëzve, shkollimin normal, qarkullimin e trafikut, rritjen ekonomike nga të dy palët. Nëse jeni gati për diçka të tillë, Serbia është gjithmonë e gatshme për diçka të tillë. Por mos i prishni bisedimet duke paraqitur të pavërteta në lidhje me ato që diskutohen”, ëshët shprehur ai.

Bashkimi Evropian të enjten ka thënë se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të arrihet pasi të gjitha palët të pajtohen për të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe të bien dakord që normalizimi mund të vazhdojë në formën e marrëveshjes së nënshkruar.

Komentet u bënë nga zëdhënësi kryesor i Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, Peter Stano, të enjten në Bruksel. (r.m.)

Comment

*