Delegacioni i KE-së e vlerëson Programin për Reforma Ekonomike në Kosovë

Prishtinë, 6 mars 2018 – Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur në takim një delegacion të Komisionit Evropian, i cili kryesohej nga Uwe Stamm, shef i Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Ekonomisë dhe Financave të Komisionit Evropian.

Delegacioni ka ardhur në Kosovë me qëllim të vlerësimit të Programit për Reforma në Ekonomi (PRE) 2018-2020, të hartuar nga Institucionet e Qeverisë së Kosovës.

“Politika jonë ekonomike ka një qëllim të qartë – që ta zhvillojmë sektorin privat në mënyrë që të jetë bartës i rritjes ekonomike të vendit. Për këtë qëllim do të punojmë në largimin e pengesave për realizimin e potencialit ekonomik të Kosovës. 20 masa të reformave tashmë janë përditësuar për të reflektuar programin e ri qeverisës”, ka thënë ministri Hamza, i cili është Koordinator Nacional i Programit për Reforma në Ekonomi.

Ai ka thënë se politikat ekonomike të Kosovës synojnë integrimin me ekonomitë e vendeve evropiane dhe do të formësohen me ndihmën dhe ekspertizën e Komisionit Evropian.

Kryesuesi i delegacionit të Komisionit Evropian, Uwe Stamm, e ka vlerësuar shumë të dobishëm dhe konstruktiv takimin e delegacionit që e udhëheq ai me ministrin Hamza dhe ekipin e tij.

Stamm ka deklaruar se Programi për Reforma Ekonomike që i është dorëzuar nga pala kosovare është një dokument i cilësisë së lartë. Ai ka thënë se ky program është, siç e ka quajtur, “një kartë e mirë” në rrugëtimin integrues të Kosovës,

“E arritur e mirë është se Programi i Reformave Ekonomike nuk do të vlerësohet vetëm nga Komisioni Evropian dhe nga Banka Qendrore Evropiane, por do të shqyrtohet edhe nga të gjitha shtetet anëtare dhe kjo mund të jetë një kartë e mirë për Kosovën në rrugën e saj integruese sepse shtetet anëtare të KE-së i shohin këto programe me shumë interes”, ka theksuar Stamm.

“Ata janë të interesuar të bashkëpunojnë me ju dhe me vendet që kanë stabilitet makro-fiskal dhe me vendet që dinë t’i trajtojnë sfidat. Kjo është mënyrë për të promovuar idetë tuaja dhe, mos e harroni këtë, që kjo është shumë e rëndësishme për vendin”, është shprehur Stamm. (r.m.)

Comment

*