(DE)LEGJITIMIMI I (O)POZITËS SË RE

Fadil Lepaja

Nga Fadil Lepaja

Ishte ndoshta vetëm barcoletë, kjo puna e luftimit të antikorrupsionit, por nëse nisemi nga qëllimet e deklaruara, duket se pakti i PDK , me qytetarët, për të luftuar korrupsionin rezultoi i sukseshmëm. E rrëzoi nga pushteti korrupsionin.

Ky ishte hapi i parë dhe më i vështirë që u arrit me votën qytetare, sado e komplikuar të ketë mbetur matematika paszgjedhore. Shumëkush i cili e dëgjoi për paktin kundër korrupsionit, me shumë gjasë do t’a ketë hetuar se i ka munguar edhe një pjesë e frontit të hapur, ku bashkë me korrupsionin politikanët, madje edhe perëndimorë, zotohen se do ta luftojnë edhe krimin e organizuar.

Për kaqikun e një partije mbase është e mjaftueshme të rreket, në të njejtën kohë, veç me njërin armik, pra t’i marrë çështjet një nga një, për të mos u shkapërderdhur forcash dhe resursesh. Gojëkëqinjët thanë se ishte kjo luftë e vështirë, me vetveten, se fushata ishte ishte një autokritikë.

Tash, të kuptohemi, ka një hendek procedural dhe ligjorë në mes të rrëzimit të koalicionit dhe krijimit të koalicionit të ri. Nuk është vetëm paragjykim, por si e dijmë, qoftë për shkak të ligjit zgjedhor ose për shkak të pafuqisë së një subjekti të mbledhë shumicën e elektoratit, asnjë parti nuk po arrinë të mbledhe shumicën e votës qytetare dhe prap do të kemi një koalicion, dhe një lindje të vështirë qeveritare. Qysh tani po duket ngushtica në të cilën rezultati zgjedhor i ka futur dy partitë e para, të cilat kanë edhe mjaftë dallime jo vetëm programore por edhe interesash.

Koalicioni i kaluar, cili do të mbahet mend për mega përmasat e strukturës dhe shpenzimeve buxhetore për të, ra për shkak të divergjencave, kryesisht gjeopolitike të krerëve të partive, por mbetet ende enigmë, koalicioni i paralajmëruar a do të arrijë të marr votat, a do të binden të gjithë deputetët e koaliciont të votojnë atë.

Pas konstituimit të parlamentit të ri, do të kemi edhe mandatarin i cili do të fillojë negociatat zyrtare për themelimin e kabinetit të tij. Përderisa në zgjedhje kishin dalur bashkë, të gjithë kandidatët e një partije, votimi bëhet individualisht, dhe me çertifikimin e deputetëve, faktikisht ata janë të pavarur, dhe nuk obligohen të ndjekin politikën as të partisë, as premtimet elektorale.

Pra, mbetet të shihet pas konstituimit të parlamentit.

Përndryshe, me zgjedhjet e reja fituem pozitën dhe opozitën e re. Qytetarët votuan për ndryshime. I pari dhe i dyti në tabelë kanë rreth çerekun e votave, secili. A do të krijojnë bashkë shumicën qeveritare, apo do të bëjnë përpjekje për një qeveri të vjetër me petk të ri, duke e quar vendin sërish në zgjedhje mbetet të shihet.

Sido që të jetë, pavarësisht retorikës së qeveritarëve të rinjë, apo opozitës, atyre që do të mbeten jashtë qeverisjes, do të duhej të artikulohen rishtazi para qytetarëve dhe me këtë të (de)legjitimohen. Duke qenë se do të kemi koalicion, përafrimi i pikpamjeve dhe interesave do të sjell edhe retorikën e re, dhe sjelljen e re, nga e cila shpresohet ndryshim. Pra, të dyja palët, pozita dhe opozita e re do të kalojnë nëpër një proces (de)legjitimi dhe varësisht nga kjo edhe do të formësojnë të ardhmen e tyre politike.

Pozita e re pavarësisht, votave nëse tregohet e ngurtë dhe jobashkëpunuese me qytetarët dhe me opozitën sidomos rreth dialogut me Serbinë dhe temat e tjera nacionale, do të deligjitimohen dhe në zgjedhjet e radhës do të e hetojnë këtë me numrat e rinjë. Meritë historike e “Vetëvendosjes” ishte dhe mbetet rizgjimi qytetarë dhe rikthimi i besimit në vetvete.Ajo, poashtu mbetet të dëshmojë se nuk është parti e konflikteve, e krizave, si përpiqen me e paraqitë kundërshtarët, por është parti e së ardhmes, e kompromiseve shoqërore që hapin rrugët e integrimeve euro-atlantike.

Ndërkohë meritë e Vjosa Osmanit dhe deputetëve “të saj”, ishte dhe mbetet rikthimi te fryma demokratike dhe qytetare e partisë, të përshtatur për rrethanat e pasluftës, pra një garniturë që hapë vizion për LDK dhe e cila nuk pret më vota nga viktimizimi, por nga potenciali i kësaj gjenerate. Pra, koalicioni do të varet shumë nga mbizotërimi i kësaj gjenerate të rinjësh, ndaj grupeve të interesit, dhe byrokracisë së vjetër në LDK:

Ndërkaq, opozita, në radhë të parë PDK, por edhe të tjerët, ndodhen para sfidës së legjitimimit opozitar, si pretendues për zgjedhjet e ardhshme, duke pranuar pa destruktivitet ndryshimet, dhe duke kryer ndërkohë reforma rrënjësore dhe duke u shkëputur nga grupet e interesit informal në parti. Partia Demokratike po ashtu, ka potencial intelektual, e profesional, dhe pse jo edhe patriotik, për të qenë pretenduese jo vetëm për pushtet, por edhe për të qenë pjesë e ndryshimeve në të ardhmen.

Për të mos i dukur tragjikomike çdo kritikë opozitare kundër korrupsionit, krimit të organizuar, nepotizmit etj kjo parti dhe të tjerat nga koalicioni PAN, duhet të zhveshën nga e kaluara dhe fshehja pas vlerave të luftës dhe të formësojnë ofertën qytetare dhe demokratike për të ardhmen.

Sido që të jetë pritjet janë të mëdha, për një pozitë të përgjegjshme dhe për një opozitë konstruktive, por është në dorën e dy palëve (de)legjitimimin i tyre.

Comment

*