“Demarkacioni” mes Fushë-Kosovës e Graçanicës në dorë të Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 12 tetor 2018 – Korrigjimi i kufijve komunalë ndërmjet Fushë-Kosovës dhe Graçanicës, i cili po cilësohet i jashtëligjshëm e kundërkushtetues, po vlerësohet si proces “krejt normal” nga  nënkryetari i Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi.

“Krejt çka po bëhet është kthimi i disa pjesëve të kësaj komune që janë marrë nga Graçanica me decentralizim”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, në fund të fundit, i mbetet Kuvendit të Kosovës të vendosë nëse do ta miratojë këtë ndryshim ose jo.

Fadil Krasniqi ka shpjeguar se në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal të Graçanicës, të pasuar nga ai i Fushë-Kosovës një pjesë e zonës kadastrale të Uglarit dhe një pjesë e Preocit, ku gjendet lagjja “Marigona”, parashihet t’i bashkohen kësaj të fundit.

Por, ai nuk e di se cili ka qenë qëllimi i zyrtarëve serbë të Graçanicës për t’ia kthyer këto pjesë Fushë-Kosovës.

“Nuk e di. Kanë qenë disa këmbime të shkresave të dy komunave dhe ka ardhur deri te këto vendime që kanë ardhur në dy kuvendet, edhe të Graçanicës, edhe të Fushë-Kosovës”, ka thënë ai.

Nënkryetari i komunës së Fushë-Kosovës ka thënë se kur është bërë decentralizimi, komunës së fushë Kosovës i janë marrë rreth 1 mijë hektarë sipërfaqe, të cilat i janë dhënë komunës së Graçanicës.

“Ju e dini që me decentralizimin që është bërë më herët, Fushë-Kosovës i janë marrë gati 1 mijë hektarë tokë nga Komuna e Graçanicës. Edhe këto pjesë janë në kuadër të atyre 1 hektarëve, përafërsisht aq sa na i kanë marrë me decentralizim”, ka thënë ai për gazetën “Koha Ditore”. (r.m.)

Comment

*