Demokratët mund të kandidojnë përsëri një grua në 2020

Ruben Avxhiu

Elizabeth Warren ia kalon kandidatit Joe Biden sipas një grupi sondazhesh të fundit

 

Nga Ruben Avxhiu

Kandidatja demokrate presidenciale Elizabeth Warren është konfirmuar në krye të garës brenda Partisë Demokrate në bazë të një grupi sondazhesh të bëra publike sot.
Ndonëse, nuk është hera e parë që sondazhet e nxjerrin Senatoren e Amerikës nga Massachusetts përpara udhëheqësit të deritanishëm të garës, Joe Biden, kjo është hera e parë që konfirmimi vjen nga një gërshetim anketimesh.
Nuk do të ishte aspak e habitshme që Demokratët mund të kandidojnë përsëri një grua kundër Republikanit Donald Trump në 2020.
Ideja e gruas së parë presidente në histori ishte mobilizuese për Demokratët në 2016, po ashtu si për afrikano-amerikanin e parë president në 2008.
Po nëse Barack Obama fitoi e u zgjodh dy herë President, Hillary Clinton humbi për shkak të ndarjes së kolegjeve elektorale, sistemit amerikan që kërkon që shtetet dhe jo populli të zgjedhë drejpërdrejtë presidentin. Ish-Sekretarja e Shtetit, Clinton mori 3 milionë vota më shumë se Donald Trump, mirëpo ky i fundit shkoi në Shtëpinë e Bardhë.
Në këto zgjedhje presidenciale një numër grash politikane po kandidojnë në Partinë Demokrate. Një kandidate e fortë është sidomos Kamala Harris. Nga një pozicion më centrist e pragmatik kandidon Senatorja Amy Klobuchar. Kongresistja Tulsi Gabbard është një lloj “dele e zezë” me pikëpamje më interesante, por që është akuzuar se ka një ngjashmëri të madhe me qendrimet e Rusisë së Vladimir Putinit, sidomos me mbështetjen e saj për dikatorin sirian, Bashar Al-Assad.
Po asnjë prej tyre nuk ka pasur një rritje kaq të madhe në sondazhe si Senatorja Warren. Madje me përjashtim t ëish-prokurores, Harris, dy të tjerat rrezikojë të dalin nga gara.
Dy arsye mund të kenë ndikuar veçanërisht në këtë ngritje të Senatores Warren.
E para, skandali me Ukrainën që ka hapur perspektivën e shkarkimit të Presidentit Trump ka rënduar edhe mbi ish-zv-Presidentin Biden. Djali i tij ka bërë biznes në Ukrainë dhe ndonëse nuk duket se është përfshirë në ndonjë korrupsion aty, si ka shpresuar të zbulojë Presidenti Trump, përfshirja e tij në biznes mund të jetë bërë duke shfrytëzuar emrin e babait.
Demokratët duan një fillim të ri për të mos përsëritur pikërisht atë që po bën Presidenti Trump, shfrytëzimin e pozitës për t’u pasuruar familjarisht. Me fëmijët e dhëndrrin e tij të përfshirë përkundër traditave amerikane në vijën e hollë mes biznesit dhe qeverisë, Trump i ka shkuar në skaj një prirje shqetësuese të viteve të fundit në Washington.
Biden mund të mos ketë bëtë asgjë të paligjshme e të pamoralshme, por po ndëshkohet për hir të një qendrimi që demokratët duan ta mbajnë.
Ai është gjithësesi në vend të dytë (26.4%) dhe shumë afër Senatores. Pjesa centriste e partisë e preferon atë shumë më tepër se majtisten Warren (26.6%). Diferenca është gati e papërfillshme po përmbysja është simbolike. Në sjelljen e medias gjithashtu shihet një trajtim ndryshe karshi Senatores.
Arsyeja e dytë ka të bëjë me një rritje të mbështetjes së majtë që po preferon atë më shumë se kolegun e Senatit Bernie Sanders. Ishte domethënëse kjo prirje në Neë York, ku Partia e Familjeve Punëtore, forca më e majtë e shtetit mbështeti Warren për President edhe jo Senatorin Sanders.
Sikur të mos mjaftonin lajmet e këqia dhe rënia në anketime në dy javët e fundit, Sanders pësoi edhe një sulm në zemër që bëri që të ndërpriste fushatën e të pranonte një ndërhyrje në zemër, me dy stente. Ndonëse, Sanders ka premtuar se do të kthehet shpejt në fushatë, ngjarja ka tronditur bazën e tij besnike.
Ndonëse Sanders ka mbledhur më shumë fonde se të gjithë në tremujorin e tretë të vitit, Elizabeth Warren me 24.6 milionët e saj nuk është shumë mbrapa dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se kjo shumë është shumë më e madhe se ajo e Joe Bidenit (15.2 milionë).
Nga korriku në shtator, mbi 943,000 vetë kanë dhuruar para për kandidaten demokrate me një mesatare prej 26 dollarësh.
Në 15 tetor, kur kandidatët demokratë që kualifikohen të mblidhen për debatin e radhës, në qendër të tyre si udhëheqëse do ta ketë vendin Elizabeth Warren, një ndryshim prej tre debateve të para, në të cilat Biden është parë si kreu i padiskutueshëm. Bashkë me këtë nder, vjen edhe mundësia që kandidatët të të sulmojnë më shumë. Që tani ka filluar gërmimi në të kaluarën e Senatores, përfshi edhe një zbulim që nuk u theksua shumë në media, se arsyeja e largimit të saj nga puna si mësuese, kur ishte e re nuk kishte qenë se e kishin hequr nga puna ngaqë kishte mbetur shtatëzënë po se kishte dhënë vetë dorëheqjen. Warren e ka hedhur poshtë këtë version të ngjarjes së largët që ka marrë rëndësi vetëm sepse ajo e ka përmendur shpesh mes ngjarjeve të jetës që e kanë bërë të hyjë në politikë e tani që të kandidojë për presidente.

Comment

*