Demokratja shqiptaro-amerikane, Beta Biberaj ia doli!

Nga Frank Shkreli

Është zyrtare! Buta Biberaj – mos qofsha gabim, e para shqiptaro-amerikane, kandidate e njërës prej partive më të mëdha në Amerikë, është zgjedhur dje kryeprokurore në qarkun Loudon (County) të shtetit Virginia, jo larg Washingtonit. Siç kam shkruar javën që shkoi rreth kandidaturës dhe fushatës së saj për këtë post me rëndësi, zgjedhjet u mbajtën dje, të martën me 5 Nëntor, në Virxhinia dhe anë e mbanë Shteteve të Bashkuara.

Rezultati zyrtar i fitores së Buta Biberajt karshi kundërshtares së saj, kandidates së Partisë Republikane, M, Nicole Wittman, është si më poshtë:

Commonwealth Attorney

Buta Biberaj – 53,684 –M. Nicole Wittman – 51,476

Kandidatja e Partisë Demokrate për Kryeprokurore, Buta Biberaj mundi kandidaten e Partisë Republikane Nicole Witman e cila kishte një përvojë 26-vjeçare – duke siguruar 53,684 vota ose (49,5% të votave të hedhura) në krahasim me kandidaten kundërshtare Witman, e cila mori 51, 476 ose (47.5%) të votave në qarkun Loudon, bazuar në numërimin e 99 përqind të votave të hedhura. Gazeta Washington Post citon Buta Biberajn se fitorja e saj dërgon një mesazh të fortë se, “komuniteti kërkon një sistem drejtësie, ndryshe”.

Për Buta Biberajn, e cila jeton në zonën Dulles të qarkut Loudon, afër Washingtonit, kjo ishte hera e parë që ka kandiduar dhe të ketë bërë fushatë për një zyrë publike, siç është posti i Kryeprokurit. Ajo është partnere në firmën avokatore Biberaj, Snow &Sinclair. Buta ka të drejtë të argumentojë çështjet ligjore para Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, si dhe në gjykatat e apelit në shtetet Virginia, Mariland dhe Nju Jork. Buta Biberaj është diplomuar në Universitetin Xhorxh Mason dhe dipomën e doktoraturës juridike e ka marrë nga “Antonin Scalia School of Law”…

Në njoftimin e saj se pse kishte kërkuar të bëhej kandidatja e Partisë Demokrate për Kryeprokurore, e ka origjinën në nga vendimin e herëshëm për tu bërë avokate, me qëllim për të, “Ndryshuar botën për më mirë”. Votuesit që e mbështetën atë dje, vlerësuan përvojën që Buta ka në fushën e drejtësisë, pasi ajo ka kryesuar qindra raste kriminale dhe civile.

Një prej reagimeve të para ndaj fitores së Buta Biberajt, erdhi nga Suzanna Shkreli, ish-kandidate e Partisë Demokrate për në Kongresin Amerikan, nga shteti Miçigan. Në portalin e saj, Suzanna Shkreli e cilëson fitoren e Buta Biberajn, si një “Moment Historik” për komunitetin tonë shqiptaro-amerikan. “Një urim shumë të MADH Buta Biberajt dhe mbarë familjes Biberaj.”

Suzanna Shkreli, është një tjetër shqiptaro-amerikane — edhe ajo me profesion avokate dhe prokurore, e cila megjithëse nuk mori votat e nevojshme në garën e fundit për në Kongresin Amerikan, ka një të ardhme të mrekullueshme politike në Shtetet e Bashkuara, shpresojmë që duke punuar dhe duke u përgatitur, për momentin e duhur dhe për kohën e përshtatëshme të rikthimit të saj në skenën politike amerikane.

Në urimin e saj për fitoren e Buta Biberajt, Suzanna Shkreli, shprehet se është, “Shumë krenare për fushatën që zhvilluar dhe për vizionin tuaj për një botë më të drejtë dhe për një sistem juridik më të barabart. Prokurorët reformistë janë këtu përgjithmonë tani dhe me ta, sigurisht, do të ndodhin edhe ndryshimet në sistemin juridik të kriminalistikës, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara”, përfundon mesazhin e saj të urimit Suzanna Shkreli, për fitoren e Buta Biberajt.

Parulla në foton më sipër të Suzzana Shkrelit thotë “bashkimi bën fuqinë”, ose “të bashkuar jemi më të fortë”! Modestësisht, shpesh kam bërë thirrje që brezat e rinjë shqiptaro-amerikanë, të fillojnë të marrin pjesë në proceset politike të Shteteve të Bashkuara, duke kandiduar për poste politike, administrative dhe juridike, të cilido nivel qoftë: vendor, shtetëror ose federal, duke filluar, pikërisht, në nivelin vendor, pasi e gjithë politika zhvillohet në nivel vendor — është ky një term që përdoret në Amerikë dhe që i atribohet ish-Kryetarit të Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit Amerikan, Tip O’Neill.

Shumë prej nesh këtu në Amerikë mund të jemi të regjistruar në partinë tonë të preferuar, si republikanë, demokratë ose diçka tjetër. Kjo nuk ka rëndësi! Rëndësi ka që shqiptaro-amerikanët të bashkpunojnë me njëri tjetrin si individ dhe si komunitet, duke u bërë pjesë aktive e këtij procesi, për të mirën e përbashkët të shqiptarëve këtu dhe në trojet shqiptare. Ashtuqë, që komuniteti shqiptaro-amerikan t’i mbështesë deri në fitore, ata kandidatë shqiptaro-amerikanë, të cilët i hyjnë këtij procesi, dhe kandidatët të ndihmojnë njëri tjetrin dhe të ndajnë përvojat e tyre, si shqiptaro-amerikanë, madje edhe nëqoftse u përkasin partive kundërshtare, sepse së bashku, të organizuar më mirë, si shqiptaro-amerikanë, jemi më të fortë!

Comment

*