Deportohet në Gjermani ish-nazisti 95-vjeçar, jetonte në Queens, New York

Jakiw Palij, një 95-vjeçar nga Queens, New York, është deportuar sot për në Gjermani.
I ardhur në SHBA, si emigrant, në 1949, ai ka gënjyer në dokumentet e emigracionit, duke u parqitur si punëtor ferme e fabrike, nga Polonia. Në fakt, për vite me radhë kishte qenë roje në një nga kampet naziste famëkeqe të përqendrimit (Kampi i Travinkit, në Poloninë e pushtuar).
Në fakt, si është detyruar ta pranojë edhe vetë në 2001, Palij ka shërbyer në këtë kamp edhe në vitin 1943, kur brenda një dite u ekzekutuan 6,000 hebrenj, në një nga masakrat ditore më të mëdha në historinë e Holokaustit.
“Rojet e armatosura luajtën një rol të rëndësishëm që hebrenjtë e burgosur të mos arratiseshin dot nga kampi. Gjatë shërbimit të tij nazist, Palij luajti një rol të pazëvendësueshëm për të siguruar që viktimat hebreje të Travinkit të pësonin fatin e tmersshëm në duart e nazistëve”, thuhej veç të tjerash në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë me rastin e deportimit.
Palij jetonte në një shtëpi të thjeshtë dykatëshe me tulla në Jackson Heights, Queens, një lagje e njohur për larminë e saj etnike, deri sa mori vendimin për deportim në Gjermani.
Procesi nuk ishte i lehtë, sepse Gjermania mund të mos e pranonte. Ai ka lindur në një fshat që ishte dikur pjesë e Polonisë ndërsa sot është në Ukrainë.
Deportimi erdhi si rezultat i punës së Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions me përndjekësin e njohur të ish-nazistëve nëpër botë. Eli Rosenbaum, të Departamentit të Drejtësisë, në SHBA.
Palij është ish-nazisti i 68 që dëbohet nga SHBA. (Ruben Avxhiu/Illyria)

Comment

*