Deputetë, dilni flisni me qytetarë!

Agron Halitaj

Ditën kur parlamenti britanik po e priste kryeministrin Winston Churchill që t’ua kumtonte lajmin se me ndërmjetësimin e italianëve kishte pranuar të negocionte paqen me Hitlerin, ai nuk niset nga shtëpia me makinë zyrtare, por e “humb” rrugën me shkas dhe futet në metro.

Udhëtarët e zakonshëm befasohen nga prania e tij.

Fillimisht asnjëri s’ka guxim ta shoh drejt në sy, sado që ky e provokon ballafaqimin me ta.

Kush do ta imagjinonte se një autoritar si Churchilli kishte hipur në tren për ta dëgjuar zërin e tyre.

Britania ishte para dilemës së madhe: të pranonte paqen me ose pa kushte me Gjermaninë naziste, apo të ndërhynte me forcat e veta ushtarake në Francë për ta ndihmuar shtetin mik, e krahas kësaj të parandalonte pushtimin nga gjermanët.

Barra për të vendosur mes dy të këqijave rëndonte së pari mbi kryeministrin.

Ai ishte për intervenim ushtarak, por meqë këtë ide nuk po e mbështesnin përfaqësuesit e partisë që i takonte, kishte nisur të dorëzohej.

Churchill lehtësohet kur Mbreti Gjorgji VI, i cili fillimisht kishte frikë prej tij, e kthen besimin tek ai, dhe e nxitë që para se të marr vendimin e madh të dalë e të flasë me popullin.

Këtë edhe po e bënte tani në tren!.

Kur i gjithë vagoni ushton nga thirrjet e udhëtarëve që Britania nuk duhet të tregohet qyqare por duhet t’i dërgojë trupat në Francë, atij i shpëtojnë lotët. Thirrjet e tyre ia vulosin vendimin.

Këto skena që paraqiten në filmin “The Darkest Hour” do duheshin parë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Ata duhet t’i lënë selitë e partive, duhet të dalin në sheshe, të hipin në autobusë urbanë, në taksi, të futen në gjellëtore, në çajtore, të dalin në tregun ku “shiten” njerëzit e punës, të flasin me nëpunësit e thjeshtë, me të rinjtë e të moshuarit, me këdo që munden.

Le të marrin përgjigje prej tyre se si duhet të votojnë për demarkacionin me Malin e Zi.

Mos të frikësohen se do ta marrin përgjigjen e gabuar.

S’ka kohë për dogma!

Comment

*