Deputeti gjerman: BE-ja të reagojë për taksën, por edhe t’i liberalizojë vizat për Kosovën

Berlin, 5 dhjetor 2018 – Deputeti i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë në Bundestagun gjerman, Josip Juratovic, ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) duhet të reagojë për taksën e vendosur nga autoritetet e Prishtinës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia, por edhe duhet t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

“Të bërit progres kërkon kohë. Sido që të jetë, Evropa do të reagojë. Veçanërisht Gjermania që është e shqetësuar për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Kjo pjesë e Ballkanit duhet sa më shpejt të lidhet me Evropën”, ka thënë Juratovic, në një intervistë për agjencinë serbe të ;ajmeve “Tanjug”.

Ai ka thënë se marrëveshja e CEFTA-s është shumë e rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë dhe të tregtisë në Ballkanin Perëndimor dhe ka vlerësuar se taksa e vendosur nga Prishtina i vështirëson gjërat.

“Ky është qëndrimi i Gjermanisë, por edhe i gjithë Evropës. Askush s’mund të thotë që është mirë që taksa të ngritet nga 10 për qind në 100 për qind. Në këtë rast, nuk penalizohet vetëm Serbia, por edhe populli i Kosovës”, ka thënë deputeti gjerman, transmeton Gazeta “Express”.

Ai ka shfaqur shpresën se çështja e taksës do të zgjidhet në mënyrë të kulturuar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Juratovic ka thënë se interesi i Gjermanisë është stabilizimi i rajonit, dhe zgjidhja e problemeve ndëretnike.

“Askush në Evropë nuk duhet të jetë i interesuar për hapjen e konflikteve të reja”, ka theksuar deputeti gjerman.

Duke folur për liberalizimin e vizave për  qytetarët e Kosovës, Juratovic ka thënë se kosovarëve po u bëhet e padrejtë.

“Prishtinës po i bëhet padrejtësi, për arsye se vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin pa viza drejt BE-së. Mendoj se kjo çështje do të zgjidhet pozitivisht”, ka shtuar Juratovic.

Ai ka shtuar se heqja e regjimit të vizave do ta bëjë Kosovën të barabartë para të tjerëve, gjë që do t’i lehtësonte negociatat.

Politikani gjerman e cilëson si gabim taktik fushatën e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

“Mendoj që Serbia ka bërë një gabim taktik sepse edhe ajo është dashur të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, sepse ne të gjithë jemi duke luftuar krimin e korrupsionin, gjë që është e vetmja mënyrë e bashkëpunimit ndërkombëtar”, është shprehur Juratovic.

I pyetur se çfarë do të bëjë Gjermania që Kosova ta heqë taksën prej 100 për qind, Juratovic ka thënë se Gjermania është e interesuar të ndihmojë Ballkanin, por ka shtuar se çështja është në dorën e Qeverisë së Kosovës.

“Gjermania është e gatshme ta ndihmojë rajonin, por ata që e kanë marrë këtë vendim duhet ta bëjnë 90 për qind të punës, Berlini do të ishte i lumtur që të kontribuonte në këtë çështje vetëm 10 për qind”, ka përfunduar deputeti i Bundestagut gjerman, Josip Juratovic. (r.m.)

Comment

*