Deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, i bashkohet protestës së Vetëvendosjes

Prishtinë, 24 shtator 2018 – Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, e ka mbështetur protestën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila do të mbahet më 29 shtator.

Protesta organizohet kundër rolit drejtues të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në bisedimet me Serbinë dhe kundër idesë për ndryshim kufijsh midis Kosovës e Serbisë.

Sejdiu, përmes një statusi në Facebook, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në protestë. Ai ka thënë se protesta është i vetmi institucion kushtetues për të parandaluar “rrëshqitjen e Kosovës drejt një shteti dikatorial”.

Sejdiu është zgjedhur deputet nga lista e kandidatëve të AKR-së, por është larguar nga ky grup për shkak se nuk është pajtuar që AKR-ja të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar me PDK-në, AAK-në dhe Nismën.

Stausi i plotë i Sejdiut në Facebook:

FTESË PUBLIKE PËR PROTESTË PAQËSORE!

Të dashur qytetarë,

Kohë më parë kam bërë thirrje publike për organizim të protestave paqësore si mjet për mbrojtjen e vendit nga shkatërrimi. Më 29 shtator 2018, në ora 14:00, PROTESTA e qytetarëve të Kosovës po ndodhë!

Të gjithë kemi përgjegjësi që të revoltohemi ndaj komplotit të planifikuar nga disa kriminelë pushtetarë për shkatërrimin e Republikës. Të gjithë ne–qytetarë, politikanë, shoqëri civile, studentë, pensionerë, profesionistë, diasporë, e njerëz të pavarur–jemi të obliguar që t’i dalim në mbështetje çdo nisme të njerëzve të vullnetit të mirë kundër këtij skenari të kobshëm, përfshirë edhe këtë Protestë.

Në këtë kohë kur po intensifikohet zaptimi i shtetit, dhe çdo institucion i rregullt shtetëror mbetet i bllokuar nga kjo kastë e kriminalizuar politike e dirigjuar nga Beogradi, reagimi qytetar është i domosdoshëm. Jemi dëshmitar të rrëshqitjes së Kosovës drejt të qenurit shtet diktatorial dhe duhet të veprojmë tani sa nuk është vonë. Po e shohim intensifikimin e cenimit serioz të Kushtetutës nga Presidenti, një Qeveri dhe kastë në pushtet që po e falimentojnë dhe ndajnë shtetin, dhe “liderë” të papërgjegjshëm në pushtet që po e shkatërrojnë shtetësinë e Kosovës. Prandaj, reagimi i pavonuar qytetar është jetik për Kosovën! Dhe i vetmi institucion kushtetues i mbetur në dispozicion për ne si qytetarë dhe opozitarë kundër të keqes mbetet PROTESTA!

Në këtë frymë, ju njoftoj që do t’i bashkëngjitem Protestës paqësore të datës 29 shtator 2018. Njëheri, i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës që të marrin pjesë masovikisht në këtë protestë, për ti dalë Zot vendit. T’i dërgojmë porosi të zëshme të gjithëve, brenda dhe jashtë Kosovës, se për Kosovën vendosin qytetarët e saj dhe askush tjetër. Se interesat personale nuk janë më të rëndësishme se interesat kombëtar. Se Kosova është shtet, dhe do të mbetet shtet! Se ne nuk nënshtrohemi!

Po ashtu, bëj apel publik që protesta të jetë paqësore, sepse dhuna i shkon në favor zaptuesëve të shtetit.

Shihemi te vendi, më 29 shtator në ora 14:00.

(r.m.)

Comment

*