Der Standard: Ideja për shkëmbimin e territoreve varroset në Berlin

Vjenë, 17 prill 2019 – Gazeta prestigjioze austriake ‘Der Standard’ shkruan se ideja për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të varroset në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Berlin, më 29 prill.

Sipas diplomatëve të cilëvë u referohet “Der Standard”, qëllimi i takimit në Berlin “të varrosë planin për këmbimin e territoreve”.

“Ideja ishte që të ‘shkëmbehen’ zonat në veri të Kosovës me zona në Serbinë jugore sipas kritereve etnike”, shkruan gazeta, në artikullin me titull “Merkel dhe Macron duan të formësojnë politikën e Ballkanit”.

“Koncepti është mbështetur nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, nga Komisioneri i BE-së për zgjerim Johannes Hahn, nga Këshilltari për Sigurim Kombëtare i presidentit të SHBA-së,  Xhon Bolton, si edhe nga shefat e shteteve të Austrisë dhe të Hungarisë, ndonëse ky koncept është diametralisht i kundërt me politikën e mëparshme perëndimore në Ballkan”, shkruan më tutje gazeta.

Gazeta e citon edhe një përkrahës të kësaj ideje, këshilltarin politik, Ivan Krastev, i cili ka ndërruar mendje. Sipas tij, negociatat për “diçka të tillë” e kanë humbur sensin dhe nuk do të ketë shkëmbim të territoreve.

“Përshtypja ime është se negociatat e kanë humbur momentumin. Në këtë frymë nuk do të ketë shkëmbim të territoreve”, citohet Krastev.

Kritik ndaj idesë për shkëmbim territoresh ka qenë edhe diplomati i njohur austriak, Albert Rohan.

“Ne kemi pritur që në shekullin 21 popujt e Ballkanit do të kapërcejnë të menduarit fisnor e mesjetar dhe do të jetojnë në një shoqëri multietnike”, citohet Rohan.

“Kjo, me gjasë, ka të bëjë me faktin se tani në Amerikë është një administratë e re që e ka marrë në konsideratë një ide e tillë është”, ka thënë ai.

Rohan, i cili ka qenë zëvendës i të dërguarit special të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Maarti Ahtisari, ka thënë se shkëmbimi territoreve do t’i vinte në pikëpyetje të gjitha të drejtat e minoriteteve në Kosovë..

“Nëse plani i Ahtisarit do të shkatërrohej me shkëmbim territoresh, atëherë të gjitha të drejtat e minoriteteve dhe e gjithë korniza do të viheshin në pikëpyetje”, ka thënë Rohan.

Eurodeputeti gjerman, Manuel Sarazzin, nga partia e të gjelbërve, ka thënë se kufijtë e Ballkanit Perëndimor janë të paprekshëm.

Sarazzin ka tërhequr vërejtjen se secilit politikan që ka etje për territore dhe për shtete etnikisht të pastra mund t’i ndodh ajo që i ndodhi Karaxhiqit, i cili u dënua me burg të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për krime e kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hrcegovinë.

“Kufijtë e Ballkanit Perëndimor janë të paprekshëm, vendimi i fundit ndaj kriminelit të luftës Radovan Karaxhiq na e kujton se çfarë u ndodh politikanëve që synojnë krijimin e territoreve etnikisht të pastra”, ka thënë Sarazzin, citon “Der Standard”.

Ai ka theksuar se ideja për shkëmbim territoresh “është tallje me të gjitha viktimat e luftës dhe përbën rrezik për paqen në Evropë”.

“Der Standard” shkruan se Takimi i Berlinit pritet t’i dërgojë një sinjal të qartë edhe Përfaqësueses së Lartë të Basdhkimit Evropian, Federica Mogherini, i cili e mbështet idenë për ndryshimin e kufijve.

Sidoqoftë, në Berlin pritet të theksohet se më e rëndësishme ëdhtë që të ketë një marrëveshje të mirë mes Serbisë dhe Kosovës se sa një marrëveshje të shpejtë, shkruan gazeta prestigjioze austriake “Der Standard”. (r.m.)

Comment

*