Dëshmia e një kronisti për paradokset e një sistemi

Xhavit Rexhaj

(Vështrim mbi librin “Refleksione arsimore” (Vështrim kritik për zhvillimet në sistemin e arsimit, 2000-2017) të Azem Azemit)

 

Duke qenë kryesisht një kulturë verbale, në tri dekadat e fundit është shkruar pak për sistemin e arsimit Kosovar, sidomos nga autorët vendorë. Them se është shkruar pak duke u nisur nga zhvillimet e transformimet tejet dinamike e herë herë dramatike nëpër të cilat ka kaluar ky sistem, por edhe për shkak të rëndësisë dhe rolit që ka pasur dhe ka ende arsimi për zhvillimin e tërësishëm të shoqërisë kosovare. Kështu, për periudhën e sistemit paralel të viteve të nëntëdhjeta kemi vetëm monografitë e autorëve Bajram Shatri (që mbulon tërë Kosovën), Zijadin Gashi (një libër për arsimin parallel në Prishtinë) dhe Demë Mulliqi (për rajonin e Pejës), nga ato që i di unë. Edhe këto monografi kanë ardhur më shumë si rezultat i entuziazmit dhe punës së palodhshme të autorëve se sa të një qasjeje sistematike e shtetërore. Në këtë pikë, me duhet të them se kur e kam parë emrin e redaktorit të këtij libri të ri (Zijadin Gashi) e kam kuptuar menjëherë se libri do të ketë një cilësi të re: rigorozitetin pothuajse fanatik për të qenë besnik I ngjarjeve, ashtu siç kanë qenë, dhe qasjen e pastër kritike. Mendoj se nga këto dy aspekte kjo dëshmi ka përfituar shumë.

Për arsimin e periudhës së pasluftës kanë shkruar kryesisht ekspertë ndërkombëtarw dhe ndonjë vendor. Shkrime të këtilla janë të shumta, mirëpo janë fragmentare, si për nga shtrirja kohore ashtu dhe pwrnga ajo tematike. Domethënë mbulojnë një periudhë dhe një nënsektor të caktuar dhe karakterizohen nga baza e cekët e të dhënave dhe nga koha e shkurtër e mbledhjes së tyre. Qasje më gjithëpërfshirëse kanë vlerësimet e gjendjes që u kanë paraprirw proceseve të planifikimit strategjik në sektorin e arsimit  (sidomos ato më 2006, 2011 e 2017), por edhe këto vuajnë nga qasja sipërfaqësore dhe nga mungesa kronike e të dhënave që do të prodhonin informacion për përdorim analitik. Kjo qajse i karakterizon edhe raportet përmbledhëse të punës së MASHT-it, sa herë që ndërroheshin ministrat, mirëpo këtu, pos cektësisë, hasim edhe në qasje tejet afirmative, deri në elozhe, për punën e angazhimin – kryesisht të ministrit të caktuar.

Tash, për herë të parë pas luftës, do të thosha me disa vite vonesë, kemi në dorë librin “Refleksione arsimore” që nga aspekti kohor imbulon gati dy dekada dhe me të drejtë i jep të drejtën vetes ta mbajë titullin që e mban. Por, për dallim nga studimet e shkrimet e tjera, vërejmë se ky libër është pak më shumë e pak më ndryshe. Derisa e lexoja librin, m’u kujtua lajmëtari i romanit “Fjalori i Kazarëve”. Kazarët, një popull në krizë identiteti, dërgojnë lajmës gjithandej nëpër botë për të kuptuar më shumë se kush janë ata vetë. Mirëpo, për ta dërguar porosinë siç duhet dhe të padëmtuar, mesazhi u gravohet lajmësve në trup, kështu që lajmësit bëhen vetë mesazhi. Edhe autori i këtij libri nuk është një kronist i painteresuar i imazheve që dalin para syve të tij, ai është më shumë se shkrues dhe më shumë se dëshmitar i këtij mesazhi.

Prandaj, pos pasurisë së theksuar të informacioneve e të dhënave objektive, këtu vërejmë edhe angazhim më personal, involvim të autorit, kredhje, rezignim, zhgënjim, shpresë, aty-këtu entuziazëm, e të tjera. Mund të quhet ky edhe libër i paradokseve të një sistemi arsimor: për shembull, departmaneti i politikave arsimore që merret me gjithçka pos me politika arsimore, rekrutimet dhe avancimet që nuk bazohen në meritë, procese disavjeçare reformuese që fillojnë e mbarojnë brenda një jave, licencim i mësimdhënësve që kryhet me rishkrimin e një vendimi dhe proklamohet si risi dhe si proces i përfunduar, e të tjera.

Për nga struktura: libri ka hyrjen, pjesën përshkruese, pjesën analitike dhe pjesën e përfundimeve dhe rekomandimeve. Në hyrje paraqiten fazat kryesore të zhvillimit të arsimit në Kosovë në periudhën e pasluftës duke vendosur vitin 2003 si fundin e fazës emergjente, vitin 2011 si fundin e fazës zhvillimore dhe periudhën 2011 – 2017 si periudhë stagnimi. Stagnimi për autorin buron në miratimin e Kornizës së Kurrikulës të Bazuar në Kompetenca dhe jepen arsyet e një konstatimi të tillë. Pastaj theksohet se reforma kurrikulare, që nuk përkon me kushtet kosovare, ka ndikuar në aspektet tjera, si: tekstet shkollore, aftësimi e licencimi i mësimdhënësve, programet e Fakultetit të Edukimit e të tjera.

Në pjesën përshkruese trajtohen shumica e nënsektorëve, dimensioneve dhe aspekteve të arsimit, prej edukimit parashkollor deri në arsimin e lartë. Këtu bëhet përshkrimi i aspekteve kryesore të këtyre nënsektorëve dhe dimensioneve të arsimit – gjithnjë me një qasje të angazhuar e me ton kritik. Megjithëse unë e kam quajtur këtë pjesë përshkruese, këtu nuk mungojnë analizat e ndryshme dhe vlerësimet për rrjedhat në secilin nënsektor ose dimension. Në këtë pjesë duket se mungojnë aspektet e reformës kurrikulare dhe të sigurimit të cilësisë, por menjëherë në seksionin pasues (të analizave të sistemit) kuptojmë se reforma kurrikulare është strumbullari i trajtimit analitik të sistemit të arsimit. Autori ka një qëndrim të qartë dhe të argumentuar në kundërshtim të faktit dhe të mënyrës së zbatimit të reformës së dytë kurrikulare në arsimin parauniversitar në Kosovë. Këtë kundërshtim autori e argumenton me një përshkrim të hollësishëm të procesit të vendimmarrjes (amatoreske sipas autorit) lidhur me zhbërjen e kurrikulës së vitit 2001 dhe bërjen e Kornizës Kurrikulare të vitit 2011! Pastaj vazhdon shpjegimi po aq i detajuar i implikimeve të kurrikulës së re në të gjitha aspektet tjera të sistemit arsimor në Kosovë. Besoj se është e vështirë të mos pajtohet njeriu me shumicën e fakteve dhe opinioneve të paraqitura në pjesën që do ta quaj analitike të librit.

Ajo që më tërhoqi vëmendjen mua e që besoj se do të ndodhë njësoj me lexuesit tjerë të librit është një nëntitull në pjesën analitike: “demagogjia si politikë arsimore”. Mendoj se i tërë libri është në shërbim të faktimit të një gjendjeje të tillë të sistemit arsimor në Kosovë. Unë, në studimet e mia, e kam quajtur improvizim, si mendësi dhe qasje në të gjitha nivelet e sistemit arsimor në Kosovë. Por, konsideroj se demagogjia është koncept më i saktë për ta përshkruar stilin e udhëheqjes së arsimit në Kosovë pas luftës! Si të quhet ndryshe që një ministër e rregullon cilësinë arsimore në Kosovë përmes një jave të vetme të cilësisë në arsim; ose kur vazhdon pastaj të hënën me javën e arsimit profesional dhe përfundon me sukses të premten e po asaj jave, për të vazhduar të hënën tjetër me një nënsektor tjetër, e kështu me radhë? Si të kuptohet ndryshe thirrja e udhëheqësve arsimorë e ploitikë të Kosovës se kemi arsim që krahasohet me atë në vendet evropiane; ose kur pas debaklit në testin PISA thuhet se për një vit do të arrijmë rrezultatet e vendeve evropiane; ose loja me pragun e kalueshmërisë në testin e maturës, sipas politikave ditore e të tjera të shumta?

Strukturimi i kapitujve  i paraqitur më lart nuk imponon edhe leximin sipas kësaj renditjeje, sepse pas strukturës së një studimi të bazuar në mbledhje disavjeçare të materialeve fshihet një qasje enciklopedike. Libri mund të lexohet si një fjalor, leksikon ose enciklopedi. Mund të fillohet nga fillimi, nga fundi po edhe nga mesi dhe pastaj të mos mund të ndalesh. Ajo që i bashkon të gjitha pjesët e librit është qasja kritike që përvijohet në të gjitha seksionet e librit, si në pjesën përshkruese, analitike e në konkluzione.

Libri i ka tejkaluar pritjet e mia shumëfish; është shumë i këndshëm dhe i lehtë për t’u lexuar; ka një diskurs të lehtë e shumë informativ;  informacionet dhe mënyra e shtruarjes së tyre e mban vazhdimisht të zgjuar kërshërinë për të vazhduar leximin. Lidhja emocionale e autorit me temën vetëmsa e ka pasuruar librin. Kjo lidhje, gjatë leximit, disi zgjerohet dhe na përpin edhe ne. Kjo ndodh mbase për shkak të rëndësisë që ka arsimi për ne, për fëmijët tanë dhe për të sotmen e të ardhmen e shoqërisë sonë. Dhe derisa e lexojmë librin, sikur një raport roentgeni, ku e ku me imazheri më të errët dhe mësojmë për bëmat e autoriteteve arsimore, te ne ravijëzohet një opinion dhe një të kuptuar të ri të gjendjes së arsimit në Kosovë – ndërtohet një qëndrim gjithsesi kritik ndaj establishmentit arsimor në Kosovë. Dhe doemos kuptojmë se era vjen në bisht – por qelbja ndodh në kokë të peshkut.

I këtillë si është, e di se libri do të duhet të ribotohet. Mendoj se do të ishte mirë që në ribotim të punohet më shumë në referencimin e disa konstatimeve të autorit, si në fushën e decentralizimit, sigurimit të cilësisë, licencimit e të tjera. Po ashtu, mund të mendohet për një shpërndarje më të balancuar të aspektit ligjor, praktikave (të mira ose jo të mira), veprimeve, vlerësimeve dhe sugjerimeve brendapërbrenda secilit aspekt të trajtuar. Kjo mbase mund të ndihmonte komunikimin më të lehtë të lexuesit me librin. Po ashtu, do të doja të shihnja një ndarje më të qartë në mes të pjesës përshkruese dhe asaj analitike. Për shembull, pjesët për strukturën e funksionet e brendshme të MASHT e të DKA-ve të kalojnë në pjesën përshkruese, ndërsa procesi i decentralizimit dhe cilësia e udhëheqjes të trajtoheshin në pjesën analitike. Gjithsesi që jam i vetëdijshëm se një veprim i tillë rrezikon t’ia humbë origjinalitetin, pafajësinë dhe sharmin e tanishëm librit. Por, në anën tjetër, do të përfitonte në promovimin më efikas të qasjes dhe tonit kritik që përvijohet në tërë librin.

Njeriu mund të pajtohet ose jo me disa konstatime të autorit, por pa dyshim se ai është një produkt i dalluar në fushën e llojin e vet dhe do të lexohet gjatë, qoftë si burim i të dhënave e informacioneve të bollshme, qoftë si dëshmi e procesit të vendimmarrjes institucionale, apo për të debatuar analizat e shumta  e të detajuara të aspekteve të nduarduarshme arsimore në Kosovë.

Dhe në fund t’i kthehemi edhe një herë lajmësit të kazarëve – në këtë libër kemi një refleksion autentik për zhvillimet dinamike e dramatike nëpër të cilat ka kaluar arsimi kosovar dhe, pse jo, edhe për gjendjen  në të cilën gjendet ky sistem sot, pas 20 vitesh.

Këtë dëshmi të autorit e shoh edhe si një diagnozë të rezultateve të sistemit tonë arsimor parauniversitar në PISA. Libri na tregon se problemi është i thellë, fundamental e kompleks dhe se veprimet e qasjet e tanishme kozmetike, improvizuese e demagogjike nuk mund ta këndellin këtë sistem as sot as për njëqind vjet.

 

(Xhavit Rexhaj është profesor në Kolegjin AAB, Prishtinë)    

Comment

*