Dështon edhe një përpjekje për hartimin e platformës për dialogun me Serbinë

Prishtinë, 11 tetor 2018 – Ka dështuar edhe një tjetër takim i partive politike parlamentare, i thirrur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për të arritur unitet rreth platformës për dialogun me Serbinë.

Takimi ka dështuar për shkak të mungesës së dy partive më të mëdha opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Pavarësisht mungesës së këtyre dy partive opozitare, pjesë e takimit kanë qenë përfaqësuesit e dy partive tjera opozitare, Partisë Socialdemokrate të Kosovës dhe Alternativës.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se rezoluta për dialogun, e cila është propozuar nga partitë e koalicionit qeverisës, është e hapur për gjithçka që mund të përforcojë qëndrimin e Kosovës në ballafaqimin me Serbinë, në kuadër të dialogut.

Ai i ka ftuar edhe një herë LDK-në dhe Vetëvendosjen që të marrin pjesë në formësimin e një qëndrimi unik të vendit për qasje në dialog.

“Nuk mund të jetë Kosova, proceset e saj historike, do të thotë ballafaqimi me Serbinë, fushëbetejë për luftën për pushtet. Më i rëndësishëm është territori, sovraniteti, më e rëndësishme është e ardhmja jonë euroatlantike, se sa çdo kolltuk i pushtetit, të cilin mund ta kemi sot apo, hipotetikisht, në të nesërmen. Është gabim historik në qoftë se i japim mundësi që me ndarjen tonë, me mosarritjen e konsensusit tonë, t’i japim hapësirë Serbisë që ta tregojë veten të moderuar dhe t’i japim mundësi Vuçiqit që të flasë në emrin tonë”, ka thënë Veseli.

Megjithatë, Veseli e ka vlerësuar konstruktiv dhe parimor takimin me përfaqësuesit që ishin të pranishëm.

Ai ka theksuar se sërish do t’u bëjë ftesë partive politike për takime të ndara ose të përbashkëta, me qëllim që të arrihet konsensusi për bisedimet me Serbinë. (r.m.)

Comment

*