Detroit: Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, takime në qendrat fetare të komunitetit shqiptar

Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko, nisi të shtunën një vizitë disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndalesën e parë e bëri në Miçigan, ku edhe jeton një numër i madh shtetasish shqiptarë. Z. Majko, i shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, znj. Floreta Faber, Konsulli i Nderit, z. Ekrem Bardha dhe përfaqësues të tjerë të diasporës atje, vizitoi qendrat fetare të komunitetit shqiptar në Rochester Hills. Ministri Majko pa nga afër Kishën Katolike të Shën Palit e cila në çdo cep të saj kishte gjurmë shqiptare. Ndërsa famulltari i Kishës Dom Fred Kalaj i tregonte ambjentet e mbushura me simbole e figura shqiptare, si Nënë Tereza dhe Skëndërbeu, Ministri Majko tha se bëhej fjalë për një lidhje shumë të bukur mes besimit dhe ndjenjës kombëtare.
Në Kishën e Zojës Pajtore të Shqiptarëve, Kisha e dyte Katolike e shqiptarëve në Rochester Hills, Ministri i Shtetit për Diasporën dhe delegacioni që e shoqëronte u prit nga famulltari Dom Ndue Gjergji. Ndërsa vlerësoi marrëdhëniet e forta të komunitetit, z. Majko tha se ishte shumë e rëndësishme që një komunitet të gjente pikat e lidhjes. Përfaqësuesit e Kishës e ftuan Ministrin të merrte pjesë në aktivitetin që zhvillohet në datat 15-16 qershor, kur mijëra shqiptarë mblidhen në Miçigan.
Më pas, Ministri i Shtetit për Diasporën vizitoi Teqen e Baba Rexhepit, e para Teqe Bektashiane e hapur në SHBA. Në Teqen ku gjithashtu, simbolet fetare ndërthureshin me ato kombëtare z. Majko u prit nga përfaqësues të komunitetit Bektashian dhe Dervishi Eliton Pashaj. Në fokus të diskutimeve ishte ruajtja e gjuhës shqipe tek brezat e rinj. Z. Majko shprehu gatishmërinë për tu angazhuar për sigurimin e librave të gjuhës shqipe për shqiptarët atje dhe regjistrimin e fëmijëve të lindur jashtë vendit.
Vizitat në qendrat fetare të shqiptarëve në Miçigan, Ministri Majko i mbylli në Qendrën Islamike Shqiptare ku u takua me përfaqesues të këtij komuniteti dhe Imamin Shuaip Gerguri. Gjatë takimit z. Majko informoi të pranishmit lidhur me hapat që po ndërmerr bashkë me qeverinë për krijimin e lehtësirave për shqiptarët e diasporës.

     

Comment

*