“Devolli Group” dhuroi edhe katër shtëpi për familjet në nevojë

Prishtinë, 6 gusht 2013 – Kompania “Devolli Group” ka dorëzuar të martën çelësat e këtër shtëpive për familje në nevojë, në një ceremoni të mbajtur pranë shtëpive të ndërtuara, në Pejë. Dorëzimi i çelësave është bërë në prag të festës së Bajramit, në mënyrë që banorët e styre ta gëzojnë këtë festë në shtëpitë e tyre të reja.

Secila prej shtëpive ka rreth 120 metra katrorë dhe rreth 3 ari oborr. Ato janë të mobiluara dhe  plotësisht të gatshme për banim. Përfituesit janë zgjedhur në bazë të një komisioni trepalësh, të përbërë nga përfaqësues të komunës së Pejes, Bashkësisë Islame dhe Kompanisë “Devolli Group”.

Kjo është hera e dytë që kompania “Devolli Group” ndërton shtëpi për familje në nevojë. Herën e parë, kjo kompani ka ndërtuar shtëpi për familjet pa strehë në qytetin e Mitrovices.

Zyrtarët e kompanisë thonë se në të ardhmen do të fokusohen edhe në forma tjera të ndihmës, të cilat ndikojnë në uljen e shkallës së varfërisë.

Blerim Devolli, pronari i kompanisë, ka thënë se një prej objektivave të ardhshëm do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës, që do të ndikojë në uljen e papunësisë, në mënyrë direkte apo indirekte.

“Kompania jonë është koncentruar në prodhim e jo në tregti. Ne profitin tonë e gjenerojmë duke angazhuar shumë fuqi punëtore dhe duke përdorur lëndë të parë nga Kosova. Profiti riinvestohet në Kosovë duke gjeneruar vende të reja të punës”, ka thënë ai.

Kompania “Devolli Group” përbëhet nga fabrika e përpunimit të qumshtit “Vita” dhe kompania e telefonisë mobile “Z-mobile”. Ajo është pasardhëse e kompanisë “Devolli Commerce”, e cila ishte themeluar nga Ibrahim Devolli, në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. (R.M.)

Comment

*