Dhimbja nga komunizmi dhe të shkruarit si shërim

Entela Sula-Prifti
Boston

Ani Gjika kishte ngrirë sallën me të vërtetën e saj. Ajo sapo kishte lexuar një paragraf nga libri-‘Memoir’ për të cilin ka tre vjet që punon. Paragrafi rrëfeu historinë e dhimbshme të një abuzimi seksual që i kishte ndodhur në moshën 12 vjeçare, fill pas rënies së komunizmit. Nuk kisha dëgjuar kurrë një histori kaq therëse në vetën e parë. E vendosur prej 22 vitesh në Amerikë, kjo autore dhe përkthyese nuk kishte shkruar asnjëherë në shqip, edhe pse shqipen e ka gjuhë të parë. Sa ironik m’u duk përkimi. Kisha ditë që lexoja mbi debatin që kishte trazuar Tiranën, ‘fenomenin Vorpsi’. Aq shumë ujëra kishte trazuar shkrimtarja me intervistat e saj të shpenguara, sa jehona e debatit më ishte ulur këmbëkryq në dhomë mijëra kilometra larg Tiranës. Personalisht, në gjithë atë gumëzhitje, ndryshe nga rryma, dashuria e saj e vajzërisë për atë që sot është Kryeminstri i vendit, nuk ma grishi vëmendjen, dhe as më shtoi kureshtjen. S’kishte asgjë atipike në deklaratën e saj. Për ne ‘njerëzorët’ dashuria, në të gjitha format, është ndjenja që njohim sa hapim sytë e që na shoqëron deri sa i mbyllim. Gjetkë më kishte mbetur mendja. Nuk arrija të kuptoja se si njeriu mund të shprehë dhimbjet e shpirtit në një gjuhë që nuk është ajo e nënës. Ky fakt më kishte bërë të mendoja gjatë, por ende nuk i kam gjetur një përgjigje, qoftë edhe sa për të bërë paqe me veten. Sa e pashpjegueshme aq edhe interesante më dukej kjo gjë. Nga njëra anë unë, që pas një dekade jashtë Shqipërisë përpiqem çdo ditë të pasuroj fjalorin e gjuhës së vendit ku jetoj, dhe nga ana tjetër, jo një por dy vajza shkrimtare të cilave gjuha e huaj u është bërë pjesë e identitetit krijues. Teksa i dëgjoja të flisnin për këtë fenomen, njërën përtej oqeanit dhe tjetrën aty në auditor, u befasova që kishin një emërues të përbashkët. Të shkruarit në një gjuhë të huaj i largonte ato nga e kaluara e tyre e dhimbshme; muzikaliteti i ri i një gjuhe tjetër u jepte shpresë të reja. Secila kishte një histori rrëqethëse, në fëmijëri a rini, që vinte nga Shqipëria e vrazhdë komuniste dhe paskomuniste. “Arratia” fizike duket se nuk i kishte shëruar ato plotësisht nga e kaluara e një sistemi që vazhdonte t’ua ngacmonte plagët teksa përdornin gjuhën e nënës.
Ani rrotullonte sytë duke “vizituar”çdo cep të dhomës. Kërkonte përgjigjen e duhur, nëse kishte një të tillë. I duhej një patjetër, pasi bashkëbiseduesi i saj dukej të kishte një kureshtje të papërmbajtshme teksa e kishte pyetur: “Përse një libër me kujtime dhe jo ‘fiction’ me nota autobiografike”. Gazmend Kapllani, një tjetër shkrimtar shqiptar, të cilit i është botuar në shqip ‘Ditar i shkurtër kufijsh’, teksa priste përgjigjen e Anit nxitoi të shtonte se libri i tij, shpesh herë ishte quajtur ‘me kujtime’ për shkak të notave autobiografike të përdorura në zhvillimin e fabulës. Ndërhyrja e kolegut duket se i kishte dhënë kohën e mjaftueshme Anit për të gjetur përgjigjen e saj. “Unë kam shkruar poezi që gjashtë vjeçe dhe kjo është e vetmja gjini në të cilën e njoh veten si krijuese”
Poezitë e Anit janë frymë-marrëse. Ajo lexoi disa prej tyre nga vëllimi poetik “Bread on Running Waters”, një vëllim i botuar në vitin 2013 me përmbledhje poezish të shkruara gjatë një dekade. Arsyeja që kjo përzierje kaq interesante shkrimtarësh kishin bërë bashkë lexues, shqiptarë e të huaj, nën siglën “Voices from the Edges of Europe” nuk ishin poezitë e Anit, por të një tjetër poeteje të njohur shqiptare, Luljeta Lleshanakut. Ani Gjika, si përkthyese dhe Gazmend Kapllani si shkrimtar, janë tashmë në libraritë amerikane me dy libra të sapobotuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ditar i shkurtër kufijsh” i Gazmend Kapllanit prej disa ditësh qëndron krah emrave më të njohur botërorë në stendat e librarive amerikane, ndërsa prej 24 Prillit iu bashkëngjit edhe shqiptarja tjetër Luljeta Lleshanaku me vëllimin poetik “Negative Space”, përkthyer nga Ani Gjika. Të dy autorët lexuan pjesë në prozë e poezi nga publikimet e tyre duke e sjellë më afër vetes lexuesin dhe duke e bërë më të ngrohtë takimin në mjediset e Universitetit të Bostonit.
“Shkrimtari nuk ka jetë nëse nuk do të jeni ju”, tha Gazmend Kapllani duke iu drejtuar auditorit. Mes ngazëllimit që i dhanë duartrokitjet zbuloi një paragraf të librit të ri me titull “I keqi i vetes” të cilin ka nisur ta shkruajë dy vjet më parë, dhe që do të jetë i pari i shkruar në gjuhën shqipe. Qete nisi te lexonte: “Kur pa nenen e tij ne arkivol Karli ndjeu sikur kordoni ombilikal qe lidhte ekzistences e tij me qendren e botes, me qendren e jetes, ishte keputur, si nje anije qe fortuna e eger i pret litaret duke e vervitur ne meshire te detit te terbuar. Kohet e fundit, ai kishte pyetur shpesh vehten se mos valle ishte endur si emigrant nga nje vend ne tjeterin me shpresen e pavetedijshme se do gjente perseri ate qender te botes, ate qender te vehtes, te zhvendosur dhunshem. Nuk ishte ne gjendje te thoshte ne se e kishte gjetur apo jo. Sa per te vellain, Frederikun, ai i kishte qendruar gjithmone besnik filozofise se te atit, akoma edhe kur mania e ikjes i goditi Shqiptaret si histeri kolektive: “edhe atdheu me i keq eshte me i mire se dheu i huaj!”. Karli kishte jetuar nen qiej te ndryshem, kishte folur e shkruajtur ne gjuhe te ndryshme, kishte dashuruar gra te kombesive te ndryshme. Frederiku jetonte ne te njejten qyteze ku kishte lindur, ne te njejtin pallat, ne te njejtin kat, ne te njejten shtepi, duke realizuar keshtu ate ideal ateror te vazhdimit te brezave pa asnje plasaritje mes tyre – qe sipas te atit ishte e vetmja gje qe i falte njeriut identitetin e forte dhe lumturine”.
Sipas autorit librin e ri ka nisur ta shkruaj vetem pak kohe pas mberritjes ne Shtetet e Bashkuara. Gjuha ne te cilen do te shkruhej ky liber ishte dilemma e pare me te cilen u perball autori. “Unë i kam shkruar librat e mi ne gjuhen greke për të qenë sa më afër lexuesit të vendit ku jetoja por natyrshem me erdhi qe librin e rradhes ta shkruaja ne gjuhen time te pare”. Historia zhvillohej në Shqipëri, ku një baba me bindje të thella komuniste kishte quajtur dy djemtë e tij Karl dhe Frederik, në nder të dy figurave të komunzimit botëror, Marksit dhe Engelsit. Këta dy emra shkaktuan të qeshura në sallë, ashtu sikurse shkaktonin herë pas here te lexuesit amerikanë rrëfimet e shkrimtarit Kapllani nga kampi i internimit në Savër të Lushnjës. Absurditeti komunist 45 vjeçar, aq i vërtetë dhe i dhimbshëm për një popull, dukej jo real, madje-madje grotesk, si personazhet e një libri për ata joshqiptarë që sot kishin zgjedhur të lexonin Kapllanin, Gjikën apo Lleshanakun. Për ta ajo ishte thjesht një arrati imagjinate në një vend të izoluar me një histori tragji-komike. Ndërsa përballë tyre ishin ata, viktimat e prekshme të një regjimi barbar, që dëshmonin më zë dhe dokumentonin me libra vuajtjet e një jete qe fatet ua diktoi sistemi.

One Response to “Dhimbja nga komunizmi dhe të shkruarit si shërim”

Read below or add a comment...

  1. Ligor Xheku says:

    Te rinjte qe largohen nga atdheu ku kane perfunduar vetem shkollen e mesme, pasi marrin formim kulturor ne vende te huaja, ku kryejne shkollat e larta dhe mbrojne master dhe doktorata, kane nje fjalor shume me te pasur ne gjuhen e huaj ne te cilen u formuan. Keshtu eshte e pranueshme qe te rinj te tille, te shkruajne veprat e tyre letrare ose shkencore ne ate gjuhe ku jane me te formuar. Kjo dukuri nuk perben shkelje atdhetarie dhe as braktisje te gjuhes meme. Madje duhen pershendetur rastet kur keta te rinj perkthejne me sukses arritje te letersise ose te shkences shqiptare ne gjuhen e huaj qe ata zoterojne shume mire.

Comment

*