Dhoma e Përfaqësuesve padit për herë të dytë Presidentin Trump

Tani fjala i kalon Senatit që duhet të vendosë nëse duhet ta gjykojë Presidentin në prani të Kryetarit të Gjykatës Supreme

 

Washington, 13 janar 2021 – Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara votoi për paditjen dhe shkarkimin e Presidentit Trump për të dytën herë.
225 vetë votuan pro dhe 194 kundër. 12 kongresistë nuk votuan.
Me këtë votë Donald Trump, bëhet i vetmi president në histori që është paditur dy herë nga Dhona e Përfaqësuesve, sipas mekanizmit të Kushtetutës Amerikane që njihet si “impeachment”.
10 kongresistë republikanë iu bashkuan shumicës duke votuar për ta paditur Presidentin Trump.
Tani fjala i kalon Senatit që duhet të vendosë nëse duhet ta gjykojë Presidentin në prani të Kryetarit të Gjykatës Supreme. Nëse del fajtor, do të nevojiten dy të tretat e Senatit, domethënë 67 vetë që ta shkarkojnë. Demokratët kanë vetëm 50 vota nga 100 gjithësej.
Presidenti Trump po akuzohet për nxitje të kryengritjes gjatë një fjalimi që ka bërë javën e kaluar, pas të cilit pati sulme të dhunshme dhe trazira në ndërtesën e Kongresit. Pesë persona kanë vdekur gjatë sulmit.
Një numër republikanësh kanë kritikuar rëndë dhunën dhe rolin e Presidentit Trump, po kanë refuzuar të votojnë në favor të paditjes, duke e quajtur një tensionim të panevojshëm kur atij i mbetet vetëm një javë që t’i mbarojë mandati.
Gati 90% e republikanëve kanë votuar kundër dhe disa kanë akuzuar demokratët për hipokrizi, sepse kanë duartrokitur sulmet e dhunshme gjatë verës kur ndodhën nga organizata si Jetët e Zeza Kanë Rëndësi dhe e ashtuquajtura Antifa.
Shumë nga demokratët kanë këmëngulur se nëse Presidenti Trump nuk paditet dhe ndëshkohet me shkarkim për nxitjen e sulmit ndaj Kongresit, atëhere do të vendoset një precedent i rrezikshëm që lejon udhëheqësit politikë të provojnë ta përmbysin rendin kushtetues në SHBA pa pasur frikë nga ligji. (Ruben Avxhiu)

Comment

*