Diaspora e mban gjallë Kosovën

Prishtinë, 13 dhjetor 2016 – Dërgesat nga diaspora edhe më tutje vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, shkruan  gazeta “Zeri”.

Nga të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet qartë se dërgesat e mjeteve nga shtete të ndryshme të vendit për në Kosovë janë duke u rritur nga viti në vit. Sipas këtyre të dhënave, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka rritje të dukshme të dërgesave nga diaspora.

Për tetë muaj në Kosovë kanë hyrë  hiç më pak se 500 milionë euro, mjete këto që kanë hyrë ne vendin tonë përmes bankave, apo agjencive për transfere të parave.

Bashkatdhetarët tanë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës sivjet më së shumti mjete kanë dërguar në muajin gusht ku vlera totale e mjeteve të ardhura nëpërmjet bankave, agjencive për transfere parash dhe rrugëve të tjera është 98,6 milionë euro, derisa më së paku mjete sivjet kanë ardhur gjatë muajit  shkurt dhe shuma totale e mjeteve të ardhura nga diaspora ka qenë 48 milionë euro.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna të BQK-së, gjatë muajit janar të vitit 2016 nga diaspora në Kosovë kanë hyrë 56,7 milionë euro, ndërsa gjatë muajit shkurt kanë hyrë rreth 48 milionë euro. Gjatë muajit mars bashkatdhetarët tanë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës kanë dërguar në Kosovë reth 52 milionë euro, ndërsa në muajin prill ata dërguan rreth 57 milionë euro, afërsisht sa kanë dërguar edhe gjatë muajit maj.

Nga diaspora në Kosovë gjatë muajit qershor kanë ardhur 59 milionë euro, gjatë muajit korrik kanë arritur 70 milionë euro, kurse gjatë muajit gusht kanë ardhur në Kosovë 98 milionë euro.

Në krahasim me vitet paraprake, sivjet shuma e mjeteve të dërguara është dukshëm më e lartë. (r.m.)

Comment

*