Dibra dhe Reka, pa Radikën, kurrë nuk do të jenë ajo që ata janë tani

Fjalimi i Bardhyl Markut në protestën për të shpëtuar Lumin Radika

 

Më lejoni në fillim, në emër të shoqatës së dibranëve “ODA Dibrane” e cila është organizatore e kësaj proteste ekologjike, t’ju përshëndes të gjithëve, të cilët me pjesëmarrjen tuaj na jepni edhe më shumë forcë për të qëndruar në qëllimin tonë të përbashkët për të shpëtuar lumin Radika dhe parkun nacional të Mavrovës. Dua me këtë rast, posaçërisht të falënderoj të gjithë dibranët, banorët e Rekës, të zhupës, që kanë ardhë në mënyrë të organizuar, pastaj qytetarët e Gostivarit , të Tetovës, dhe natyrisht Shkupjanët të cilët janë këtu me ne sot, të gjithë me një qëllim të përbashkët, mbrojtjen e Radikës. Sigurisht një falënderim i posaçëm shkon për dy koalicionet e shoqatave ekologjike “Ekologjia – Prioritet” dhe koalicioni “NATURA 2000”, koalcione te cilat së bashku numërojnë 20 organizata Republika e Maqedonisë të cilat veprojnë në mbrojtjen e ambientit jetësor.

Zonja dhe zotërinj ,
Qysh kur e filluam këtë nismë, gjithë kohës më është bërë një pyetje: A ka dikush të drejtë për të vjedhur një lum të tërë. A ka dikush të drejtë ta na e marrë ujin, ujë i cili do të thotë jetë për më shumë se 35 000 njerëz, ku një pjesë e tyre njihen pikërisht në bazë të këtij lumi, si banorë të rekës, pikërisht nga lumi Radika. A ka të drejtë dikush të vendos për të tjerët? A ka dikush të drejtë për të shkatërruar një park të tërë nacional, a ka të dikush të drejtë të shkatërojë fushat dhe brigjet e fundit të natyrës së paprekur. Unë nuk mund të ri pa bërë pyetjen more po A KA DREJTËSI PËR ANËT TONA?

Të nderuar miq ,
Çdo brez merr një detyrë , çdo brez ka një mision, mision i cili duhet të realizohet për të mirën e gjeneratave të ardhshme .
Detyra jonë tani është të shpëtojmë Radikën dhe të shpëtojmë rajonin nga vdekja totale për shkak se Dibra dhe Reka pa Radikën kurrë nuk do të jenë ajo që ata janë tani.
Paramendoni sikur Radika të mos ekzistojë, ose si rezultat i ndërtimit të digave në fushë të Llukovës rrjedha e Radikës të zvogëlohet aq shumë sa që kur të mos arrijë deri në Dibër. Çfarë katastrofe do të ishte kjo për rajonin tonë për Dibrën, për Rekën, për Zhupën), çfarë katastrofe do të ishte kjo për të gjithë ne që jetojmë atje ose jemi rritur atje, çfarë katastrofe do të ishte për liqenin e Dibrës.
Çfarë do tu themi fëmijëve tanë, çfarë do tu themi nipërve e mbesave tonë, si do tua shpjegojmë se se dikur rajoni ynë ka qenë një ndër vendet më të bukura Evropë, por ne nuk ishim të ndërgjegjshëm dhe nuk bëmë asgjë për të ruajtur bukuroshen e saj, Radikën. A do të kemi fëtyrë që ndonjëherë të dalim para fëmijëve tonë, para nipërve tonë dhe ty themi – Na falni nuk e ruajtën Radikën, erdhe ca të etshëm për pasuri dhe për 60 megavat rrymë na e vodhën Radikën, lumin të cilin na e fali zoti, lumi i cili kalonte nëpër fshatrat, nëpër livadhe dhe ndër dritaret tona. E morën lumin dhe e cuan diku larg në disa vende të tjera, atje ku askush nuk e do dhe askujt nuk i duhet ai ujë i pastër si loti.
Çështja e devijimit, ndërtimit të digave, dhe kapja ujërave të Radikës ne vendin e quajtur fushë Lukovë dhe devijimin e tyre nga rrjedha e tanishme në Dibër dhe Detin Adriatik, në një drejtim të ri përmes Liqenit të Mavrovës, në Vardar, në Shkup dhe në detin Egje, është forma më e rëndë e krimit mjedisor dhe moral.
Ekspertët thonë se duke devijuar lumin ekziston një kërcënim i madh për zhdukjen e mbi 150 lloje të bimëve endemike, troftës endemike të Radikës dhe rrëqebullit të Ballkanit i cili në zonën tonë ka gjetur strehën e tyre të fundit në Ballkan .
Në letrën e mbi 110 ekspertë të njohur botërisht për mbrojtjen e ambientit jetësor, thonë se digat e projektuara prishin idenë e parqeve kombëtare në përgjithësi dhe shkelin të drejtën e BE-së, të tilla si direktivat – NATURA 2000, Direktiva Evropiane për ujë dhe mjaft të tjera. Më tej në letrën e tyre dërguar financuesve të mundshëm të digave në fushë të Llukovës dhe urë të Boshkut ekspertët thonë se është e një rëndësie të veçantë të mbrohen zonat me vlera të larta ekologjike dhe se mbrojtja e sistemit ekzistues të parkut kombëtar është një domosdoshmëri e paevitueshme. Ne jemi të habitur se si institucionet e Maqedonisë janë të gatshëm për të mbështetur këto projekte të digave.
Por këtu nuk është në pyetje vetëm krimi mjedisor, për ne këto çështje janë shumë më të rëndësishme se ekologjia, pa Radikën rekasit do humbin identitetin e tyre ndërsa dibranët do humbin liqenin.
Prandaj të dashur miq duhet së bashku, kudo që të jemi të luftojmë për të ruajtur rrjedhën natyrore të Radikës ashtu siç na e ka dhuruar Zoti, ashtu siç e ka dhuruar nëna natyrë. Ne nuk duhet të dorëzohemi nga presionet dhe shantazhet , ne nuk mund të heqim dorë, sepse Radika është lumi që na lidh, Radika është lumi i rinisë sonë, lumi pranë të cilit i kemi kaluar vitet më të bukura të jetës sonë. Në Radikë e kemi zënë peshkun parë, kemi pirë ujin e ftohët nën flladin e pemëve të saj. Por të mos harojmë, në brigjet e tij shtrihen varret e të parëve tanë, atje ruhen sekretet e ekzistencës sonë, atje janë shkruar vuajtjet dhe historija jonë, betejat tona, ajo është dëshmitar për të gjitha përpjekjeve tona për një të nesërme më të mirë, një jetë më të mirë për brezat e ardhshëm. Radika është pjesë e historisë sonë, për Radikën janë kënduar këndë të panumërta, nëpr brigjet e Radiëks janë zhvilluar lufta të panumërta , Radika është pjesë e kulturës dhe trashëgimisë tonë, Po Radika jemi ne, një lumë i njerëzve që kanë ardhur sot këtu nga shumë vende. A do të lejojmë që nipërve tanë tu tregojmë histori Na ishte njëherë një lumë shumë të bukur i quajtur Radika. Jo këtë nuk do ta lejojmë.
Të nderuar miq , ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër, përveç të vazhdojmë në betejën tonë për të shpëtuar Radikën, do të luftojë bashkërisht pikërisht ashtu siç është e pandashme edhe dhe rrjedha e ujit dhe Radika, lumi i cili lidh të gjithëve ne debranët – rekasit – zhupjanët. Radika do të na japë forcë, do na e rit vullnetin dhe do na japë energjinë e paraardhësve tanë për të duruar në luftën tonë për të shpëtuar atë.
Nga kjo foltore dërgojmë një mesazh të vetëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, ELEM- it, Bankës Botërore dhe BERZH-it (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim): ndaloni menjëherë dhe tërhiqni të gjitha planet për ndërtimin e objekteve e elektro – energjisë në rajon Parku kombëtar të Mavrovës . Ne jemi të vetëdijshëm se Maqedonia ka nevojë për energji elektrike plotësuese, ne jemi të vetëdijshëm se Maqedonia deri në vitin 2020 duhet të ketë 20 % të prodhimit të përgjithshëm nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, ne nuk jemi kundër ndërtimit të hidrocentraleve, ne nuk jemi kundër arritjen së objektivit të 20 % e energjisë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, ne nuk jemi kundër reduktimin të emetimit të gazit CO2, por ne jemi kundër ndërtimit të hidrocentralit në fushë të Llukovës, ne jemi kundër ndërtimit të hidrocentralit në urë të Boshkut, ne jemi kundër shpenzimit të mbi 160 milion € , para, të cilat me nivelin tonë të zhvillimit ekonomik dhe me shkallën e Produktit Bruto të brendshëm vjetor, nuk e dimë nëse nipërit tanë do të jenë në gjendje të paguajnë borxhin, ndërsa nga ana tjetër të njëjtat parat mund të përdoret në mënyra të tjera, për shembull parku energjetik nga energjia e erës siç është ai në Bogdanci i cili kushton 3 herë më pak se digat në fushë të Llukovës dhe në urë të Boshkut, dhe ofron të njëjtën sasi të energjisë elektrike pa bërë asnjë dëm ambientit jetësir, pa bërë asnjë dëm social, pa rrezikuar të ardhmen e askujt dhe në të njëtën kohë duke shpenzuar shumë më pak para publike.
Prandaj ne do të fitojmë dhe Radikën do të shpëtojmë !
Për Radikën së bashku!
Bardhyl Marku

Comment

*