Dibranët festojnë 101 vjetorin e Pavarësisë në New York

Beqir Sina

Beqir Sina

Festa e bukur në Orion Palace, në Brooklyn mblodhi qindra familje shqiptare, shumica e tyre nga Staten Island, “ishulli i dibranëve” ku jetojnë 15,000 syresh

 

BROOKLYN, NY – 25 nëntor 2013: Në New York dhe në zonën e ashtuquajtur të “Tri–Shteteve”, ishte Shoqata Atdhetare Dibra, mbrëmë e cila nisi veprimtaritë e komunitetit shqiptar me manifestimet për 28 nëntorin Ditën e Flamurit – 101 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Shqiptarët e Amerikës, nëntorin e shohin si muajin më të rëndësishëm, kudo që janë, pasi është ky muaj dhe kjo ditë e shënuar, i bashkon të gjithë shqiptarët, prej nga e kaluara e vuajtjes dhe sakrificës, por edhe deri tani tek shpresat që kanë për një të ardhme më të ndritur.
Manifestimi i dibranëve në “Orion Palace” në qytetin e Brooklynit- New York, mblodhi së bashku dhjetëra familje dibrane, të cilave iu bashkëngjiten në këtë festë edhe bashkatdhetar tanë, miq e dashamirë nga Shqipëria, Kosova e viset e tjera shqiptare.
Të pranishmit në fillim të darkës solemne, nderuan me qendrim në këmbë; himnin kombëtar të Shqipërisë e atë të Shteteve të Bashkuara. Himni kombëtar Amerikan u këndua nga tenori i ri i talentuar Bledar Maqellara, ndërsa ai i Shqipërisë, u kënduan nga sopranoja e njohur nga Shkupi, Deshira Ahmeti-Kerliu, ekzekutuar nga orkestra Fisnikët.

Më pas me një minutë heshtje të pranishmit qëndruan në këmbë, në shenjë nderimi për të gjithë ata të rënët, martirët dhe dëshmorët e kombit tonë, ata që dhanë jetën për flamurin kuq e zi me shkabën me dy krena gjatë gjithë historisë tonë shekullore -
Në këtë mbrëmje festive mori pjesë edhe përfaqësuesi shtetit të Kosovës, Konsulli i Përgjithshme i Republikës së Kosovës në New York, ambasadori Bekim Sejdiu, zoti Michael J. Cusick, një ligjvënës i shtetit të New Yorkut, i cili përfaqëson Qarkun 63të, të Kuvendit të Shtetit të New York, distrikt ky që ndodhet në ishullin e “dibranëve” Staten Island, Dr.Skënder Kodra, Kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Artit, zoti Rrape Ruci, President i Institutit “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu”, si dhe veprimtarë të tjerë të dalluar të komunitetit.
Manifestimin me rastin e 101 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, e deklaroi të hapur udhëheqësja e kësaj feste, Julinda Daci, e cila kujtoi qysh në fillim të fjalës së saj se së bashku para një viti në mënyrë solemne, në një mjedis tjetër po kaq të bukur, kremtuam jubileun madhështor të njiqind vjetorit të pavarësisë të atdhetut tonë të dashur.
“Ndërkohë, sonte rishtazi e kemi për nder të kujtojmë bëmat e rilindasve tonë të shquar edhe në njëqind e një vjetorin e pavarësisë së saj”, tha ajo.” Të kujtojmë e nderojmë pikërishtë të gjithë ata që frymëzuan masat e gjëra popullore, për një luftë të pa kompromisë ndaj të huajve, të cilët nuk donin vetëm nënshtrimin, si në kohën e turqëve, po më keq se aq: shuarjen e kombit shqiptar, për t’u shtrirë vetë në ato troje”,
Fjalën kryesore në nder të 101 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, e mbajti kryetari i Shoqatës Atdhetare Dibra, zoti Musa Paçuku, i cili pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen tha: “Jemi mbledhur sot në këtë mbrëmje të bukur festive ashtu si për çdo vjet me këtë ditë të shënuar, që të kujtojmë dhe të festojmë 101 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, posaçërisht, atë ditë kur më 28 nëntor të vitit 1912, kur populli shqiptar kurorëzoi ëndërrat dhe aspiratat mijëvjeçare të tij – duke i dhënë fund sundimit më të gjatë në historinë e tij, sundimit osman dhe duke shënuar kështu kthesën rrënjësore dhe historike për fatet e kombit të tij”.
Gjatë fjalës së tij, ai permendi faktin se Pavarësia mbart sakrificat e shumë brezave, duke u kthyer në një vepër popullore, në themelet e së cilës kishte vënë gurë gjithë Shqipëria.
“Ngaqë, jemi dibranë, në këtë ditë të shënuar nuk mund të lë pa permendur rolin dhe kontributin e dibranëve në Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntorë 1912. Pra, dëshiroj të potencoj se kontributi dhe lufta e dibranëve, iu bashkëngjitë asaj të gjithë shqiptarëve, prej Kosovës e deri në Çamëri, kudo ku i thonë Shqiptari” theksoi më tej kryetari i kësaj shoqate zoti Musa Paçuku.
Në fund të fjalës së tij kreu i dibranëve pohoi se Shqipëria, është anëtare e NATO-s, Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe ndodhet sot shumë afër qëllimit të saj strategjik e kombëtar dhe ajo po aspiron të bëhet nesër pjesë e asaj së cilës i përket gjeografikisht, Evropës së qytetëruar Bashkimit Europian, dhe Kosova sot është e lirë dhe e pavarur, çështja shqiptare ka avancuar shumë, ne të gjithë shqiptarët, “kudo që jemi të ndërgjegjshëm për të thënë e megjithatë çështja jonë ende nuk ka përfunduar. Pra, tek të gjithë shqiptarët mendoj se ka shumë për të bërë: Eshtë çështja çame që duhet zgjidhur, janë më shumë të drejta për shqiptarët që duhen realizuar që ata të mos driskriminohen në Presheve Bujanovc e Medvegje, si dhe në Mal të Zi, e të tjera”.
Më tej, duke i dhënë fjalën folësit të rradhës moderatoria e festes, tha se “nuk mundem të le pa permendur dhe miqesinë tonë me popullin amerikanë, të R. së Shqiperisë me SHBA, përkrahjen që i kan dhënë Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara prej presidentit Wilson, Bushi i vjetër me “Vijën e Kuqe’ në prag të Krishtëlindjeve, në 1991, dhe deri tek roli i presidentit Klinton gjatë luftës në Kosovë, dhe ai vendimtarë i Presidentit George W. Bush në pavarësinë e Kosovës, si dhe mbështja e administratës Obama” tha ajo duke ia dhënë fjalën përshëndetëse ligjvënësit të shtetit të New Yorkut, zoti Michael J. Cusick, mikut të shoqatës Dibra në Staten Island, i cili, pos përshëdetjes së rastit duke përcjellë urimet më të përzemrta të 28 Nëntorit, tha “jam i impresionuar nga puna dhe kontributi i shqiptarëve në distriktin 63të në ishullin Staten Island”.
Manifestim me rastin e 101 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, e përshëndeti në emër të qeverisë së Kosovës, Konsulli i Pergjithshëm i Republikës së Kosovës në New York , ambasadori Bekim Sejdiu,
Me këtë rast, ai shprehu një falenderim të veçantë për atë që Dibra dhe dibranët bënë për Kosovën, gjatë momenteve më të vështira të saj – eksodin e madh gjatë luftës së Kosovës – për çlirimin dhe pavarësisnë e Kosovës. “Pooulli i Kosovës dhe Republika e Kosovës nuk do ta harrojë asnjëherë atë që bëtë ju për Kosovën”, tha ai.
Me rastin e festës së 101-vjetorit, kryetari i Shoqatës Atdhetare Dibra, Musa Paçuku shpalli fillimin e një tradite re, sipas së cilës, Shoqata Atdhetare Dibra në Staten Island, ku jetojnë e punojnë mbi 15 mijë dibranë, çdo 28 Nëntor, do të nderojë me çertifikatën “Mirënjohje Dibrane”, dibranë dhe dibrane, që kanë kontribuar për komunitetin shqiptarë, veprimtaritë dhe aktivitetin e tyre në SHBA, Dibrën si dhe Shoqatën Atdhetare Dibra. Po kështu do të nderohen edhe figura e veprimtarë të dalluara nga Dibra e Madhe.
Kësaj rradhe, SHAD vendosi të nderojë z. Haxhi Maqellara,z. Lavderim Cami,z. Ylber Pilku, Dr. Mensur Klloboçishta, znj. Leunora Abdullahu,z. Murat Mela dhe znj. Julinda Daci.
Më pas kryetari i SHAD shprehu një respekt të thellë pas vdekjes në emër të shoqatës, tre ish anëntarëve të saj, që nuk janë më në mesin e tonë: i ndjeri Sami Markja, Rexhep Herbeli dhe Beqir Markja.
Mbrëmja festive me rastin e festës së 101 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, në “ishullin” e dibranëve Staten Island – New York, u shoqërua me një program të pasur artistik , përgatitur me mjeshtëri nga “Bilibili i këngës Dibrane” këngëtari dibranë Haxhi Maqellara.
Programi dhe repertori i pasur artistik, i këngëtarve i dhuruan një atmosferë të mrekullueshme kremtimit të ditës së flamurit dhe të pavarësië – në “Orion Palaca” në Brooklyn – New York . Grupit “Fisnikët” nga Staten Isaland iu bashkangjiten në këtë manifestim edhe Deshira Ahmeti-Kerliu, Arjan Kerliu dhe Bledar Maqellara dhe këngëtari nga Dibra e Madhe Lundrim Paçuku
Pjesëmarrësit, gjithashtu patën rastin të ndjekin çiftin Deshira Ahmeti-Kerliu – Arijan Kerliu me duetin e talentuar Bledar Maqellara dhe Lundrim Paçuku, të preformojnë me një mjeshtri të rallë pjesë të muzikës të lehtë, klasike dhe asaj popullore shqiptare. Dy vëllezërit dibranë Maqellara, Haxhi dhe Agron e “ndezën” atmosferën me një kolazh të pasur me këngë, valle e melodi, nga të gjitha zhanret dhe tervat shqiptare.

2 Responses to “Dibranët festojnë 101 vjetorin e Pavarësisë në New York”

Read below or add a comment...

  1. Mik i vjeter says:

    Nderime Lavderim Cami!

  2. mersim says:

    Urime vellezer festa e flamurit.
    Ne jemi krenar me Ju,se sa her qe ka pas nevoj kombi Ju keni qene nder te paret.

Comment

*

Current ye@r *