Diplomohen 53 Ushtarakë të FSK dhe FA

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se Akademia e Forcave të Armatosura është mundësi karriere për kuadrot e mbrojtjes dhe sigurisë deri në zyrat e NATO-s.

Knid Ndrenika

53 nënkolonelë dhe majorë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës kryen shkollimin vjetor 2019-2020 në Akademinë e ushtrisë në Tiranë

Tetë ushtarakë nga Forca e Sigurisë së Kosovës u diplomuan në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë për vitin 2019-2020.

Mes 17 nënkolonelëve dy të Forcës së Sigurisë së Kosovës përfunduan Kursin e Lartë të Oficerit.

Ndërsa, nga 36 majorë, 6 të Forcës së Sigurisë së Kosovës u diplomuan në Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm.

Gjithsej diplomat i merituan 53 nënkolonelë dhe majorë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në fjalën përshëndetëse ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se vitin e ri Akademia e Forcave të Armatosura do të përfshijë programin “Bachelor”:

“Akreditimi i Akademisë si një institucion i arsimit të lartë, nuk është thjesht një mundësi për të përgatitur kuadro më të mirë për nevojat e mbrojtjes dhe sigurisë. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të thithur talente të reja në familjen tonë, për të ndërtuar një karrierë, deri në zyrat e Aleancës ku ne bëjmë pjesë”.

Kursantëve ua dorëzuan diplomat ministrja Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Komandës së Doktrinave dhe Stërvitjes gjeneral brigade Bajram Bega dhe atasheu ushtarak i Kosovës në Tiranë, kolonel Bashkim Shillova.

 

Comment

*