Disa shënime e të dhëna nga lufta kundër virusit korona

Nga Ruben Avxhiu

Nuk e di se çfarë do të dalë nga protestat, se kjo do të duket në javët që vijnë, po në vija të përgjithshme, numri i vdekjeve nga virusi korona po bie në SHBA, madje më shpejt sesa infeksionet, si mund të shihen nga grafikët e tre ditëve më parë.


Një arsye mund të jetë që mjekët janë bërë më të suksesshëm në trajtimin e sëmundjes. Tani e dinë, që ndryshe nga çfarë kujtohej në fillim, kjo nuk është sëmundje që përfundon vetëm me pneumoni. Vëmendja është përqendruar tani te efekti në damarët e gjakut, te nevoja për të shmangur mpiksjen, të rreziku për veshkat etj. COVID-19 nuk është si sëmundjet e mëparshme virale që godasin aparatin e frymëmarrjes. Virusi kalon në gjak dhe në organe të tjera.
Lexoja dje në “The Economist”, nga një mjek i njohur që shprehte habinë e tij që mushkëritë e pacientëve që pësonin ulje oksigjeni, nuk ishin të ngrutësuara si ndodh zakonisht me pacientët me pneumoni. Dmth nuk është se mushkëritë humbasin aftësinë për të thithur e qarkulluar oksigjen. Ato thjesht nuk bënin më punën e tyre si duhet. Ka një dyshim në rritje për ndikimin në tru të këtij virusi. Shenjat si humbja e nuhatjes dhe e shijes nuk janë mesa duket të vetmet shenja.
Grafiku tjetër këtu tregon se çfarë ka ndodhur deri në javën e kaluar në vende të ndryshme. Disa prej tyre që kanë qenë të qeta deri tani vërejnë kërcim të numrit të infektimeve.

Shokuese është përmasa e valës së dytë në Iran.
Valë të dytë duket se po përjetohet edhe në Uzbekistan.
Në shumicën e vendeve në grafik, vende të cilat deri tani ishin kursyer nga COVID-19, infeksionet janë vetëm duke u rritur.
Protestat e këtyre ditëve kanë qenë një çmenduri nga pikëpamja e këshillave të epidemologjistëve. Këta të fundit nuk kanë guxuar të flasin publikisht nga frika e akuzës për mungesë ndjeshmërie ndaj racizmit. Sado tragjike që mund të jetë vrasja e civilëve nga policia, (ka pasur 45 të tilla në 2020, 9 prej të cilëve afrikano-amerikanë) këto shifra janë qesharake në krahasim me mbi 110,000 vetëve të vdekur nga koronavirusi, shumë nga këta pikërisht nga pakicat racore në emër të të cilave bëhen protestat.
Reformat që kërkohen nga protestuesit do të kërkojnë vite. Institucionet e aq më pak mentaliteti nuk ndryshojnë lehtë. Nga ana tjetër, masat e nevojshme për të luftuar epideminë janë urgjente.
Protestat nga ana tjetër mund të përgënjeshtrojnë, në mos të vënë në dyshim, të gjitha këshillat e deri tanishme. Nëse nuk ka një rritje të dukshme në numrin e infeksioneve në javën që vjen, kjo do të thotë se thirrja për të qendruar të mbyllur në shtëpi ka qenë një çmenduri. Që të paktën në ajër të pastër e në natyrë, nëse mban të veshur maska, rreziku i infeksionit nuk është i madh. Sigurisht, stina e ngrohtë mund të jetë një faktor. Mirëpo, autoritetet publike duhet të zgjedhin se cilën histeri duhet të legjitimizojnë. Ata që arrestuan nënën se kishin nxjerrë fëmijën në parkun e lodrave, ndërhynë me dhunë ndaj nxënësve hasidikë që donin të shkonin në shkollë, mirëpo justifikuan grumbullimet masive të protestuesve, disa prej tyre të dhunshëm e shkatërrimtarë, nuk mund të kenë nesër autoritet kur të japin këshillat e radhës për sjelljen e publikut.
Një tjetër dukuri për t’u ndjekur është çfarë po ndodh në shtetet e tjera në SHBA ku hapja ka filluar prej kohësh. Rritja e numrit të infeksioneve në këto vende është në ngritje. Grafiku i tretë tregon numrin e infektimeve të reja në Texas (filloi rihapjen në 30 prill), Arizona (1 maj), North Carolina dhe California. Grafiku i katërt jep një tufë shtetesh të tjera, nëse dëshironi të krahasoni.

 

 

Kjo betejë nuk është fituar.
Një nga zhgënjimet më të mëdha në planin mjekësor ka qenë përdorimi i plazmës, i gjakut të marrë nga pacientët e shëruar që me tranfuzion mendohej se do të ndihmonte ata që nuk po e fitojnë dot luftën me sëmundjen. Nuk ka deri tani ndonjë shenjë kthese në këtë drejtim.
Versione të kininës, që i trumbetoi Presidenti Trump, u hodhën poshtë me nxitim nga disa studime që tani kanë dalë se nuk kishin shumë themel. Kjo nuk do të thotë se ilaçi në fjalë është zgjidhja, por gërshetimi i tij me medikamente të tjera ka pasur sukses me një numër pacientësh. E njëjta gjë me remdesivirin, një ilaç që u trumbetua nga media, gjithashtu ka pasur sukses vetëm të pjesshëm. Për më tepër skarciteti i tij është kriza e radhës në SHBA.
Janë pesë vaksina që po nxitojnë drejt finishit edhe ndihmën e financimit nga qeveria amerikane. Ende nuk dihet se kur do të jenë gati. Mbase në fund të vitit apo në fillim të tjetrit, në rastet më optimiste.
Për momentin, të shpresojmë se mjekët janë bërë më të aftë për të shpëtuar jetë duke e njohur më mirë këtë virus misterioz. Se rënia e infeksioneve nuk është vetëm nga karantina po edhe nga një lloj dobësimi i virusit si u shpreh një mjek në Itali. Se lehtësimi nga stina e verës nuk do të mbarojë në vjeshtë, se njerëzit do të tregojnë më shumë kujdes duke mbajtur maskat e distancën, sidomos në mjediset e mbyllura, për të mbrojtur më të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore, sidomos me probleme të hipertensionit, të mbipeshës, të diabetit, po edhe me çrregullime të tjera sistemike.
Unë nuk jam mjek dhe të vetmet këshilla që duhet të zbatoni janë ato të mjekut tuaj personal. Informacionet që botoj nganjëherë janë nga shkrime në burime serioze që citojnë mjekë të njohur. Por çdo person e pacient është rast më vete, si ka dëshmuar edhe lufta ndaj këtij virusi që është fituar nga disa mbi-100 vjeçarë por humbur nga disa të moshës më të re. Në vija të përgjithshme nëse je i ri dhe me imunitet të fortë mund të jesh më pak i rrezikuar. Por, nga ana tjetër çdo i ri i infektuar mund të rrezikojë dikë tjetër, në familje e shoqëri. Si kanë treguar këto javë e muaj është e kotë të flasësh me atë që nuk dëshiron të dëgjojë dhe kur ekspertiza ka vetë dyshime, në epokën e rrjeteve sociale çdo idiot e ka një teori më vete. Por, më së paku që mund të bëjmë është pak kujdes, vëmendje, dhe respekt ndaj njëri-tjetrit në publik. Në disa vende kjo është me e lehtë se në disa të tjera.

Comment

*