“Diss” nga 4 shqiptarë të vegjël që bëjnë hip-hop: tërbohet Cardi B, përgjigjet në Instagram

Ruben Avxhiu

Katër djem të vegjël, vëllezër të moshës rreth 10-vjeçare nga Westchester, New York, kanë pasur një sukses të madh e të papritur me këngën e tyre të verës. “School’s out” (Shkolla mbaroi).
Ata kanë themeluar një grup të quajtur Z-N8tion dhe kanë tashmë gati 150,000 ndjekës në Instagram, një numër që vijon të rritet me shpejtësi.
Emrat e katër vëllezërve janë Bekim, Damien, Lukah, dhe Maximus Zherka.
Po ajo që i ka nxjerrë papritmas në vëmendjen e mbarë medias në SHBA, ka qenë një sulm i papritur nga këngëtarja e njohur Cardi B, e cila ndonëse pa i përmendur me emër u është vërsulur me një postim në Instagram, duke i ofenduar si djem të bardhë që duhet të kthehen për të pirë qumështin e mamasë në vend që të merren me të.
Postimi nga Cardi B në fillim ka shkaktuar hutim, po shumë shpejt është marrë vesh se grupi i vëllezërve shqiptaro-amerikanë nga Westchester.
Në botën e zhnreve të muzikës rap dhe hip-hop, një “diss” është zakonisht një këngë, pasazh, apo refren që sulmon, fyen, apo tallet me dikë, zakonisht një rival në muzikë apo jetë, po edhe ndonjë figurë publike etj.
“Diss”-i i vëllezërve të vegjël Zherka nuk kursen asgjë kur merret me Cardi B. Vargjet mbase janë të papërshtatshëm për gojë fëmijësh, po ata në fund të fundit imitojnë një skenë muzikore e cila njihet për gjuhë vulgare e shprehje pa doreza të ndjenjave e pikëpamjeve. (“Nuk e di çfarë është më fallso, jeta jote apo të pasmet”, thonë dy prej vargjeve të këngës, të përkthyera këtu nga anglishtja.)
Cardi B nuk është e vetmja këngëtare e njohur që është sulmuar nga ZN8tion, po ajo është e para që ka rënë në grackë dhe është përgjigjur publikisht, duke i dhënë grupit të vogël famë të menjëhershme publike.

Sam Zherka, gjatë intervistës, me gazetën “Illyria” (Photo: Ruben Avxhiu)

Një kuriozitet interesant, disa vite më parë, kam intervistuar për gazetën shqiptaro-amerikane, “Illyria”, të New York-ut, babain e tyre, Sam Zherka, kur po hidhte në gjyq NYPD-në, Departamentin e Policisë së New York-ut, me akuzën se po e diskriminonin ngaqë ishte shqiptar. Zherka ishte pronar i një numër klubesh të striptizmit në Manhattan dhe mjaft i përfolur për përplasjet e tij me autoritetet në fushën e ligjit. E akuzonin se merrej me aktivitete joligjore, ai i akuzonte se ishin në shënjestër për hakmarrje. Në Westchester, ku banonte, Sam Zherka botonte edhe një gazetë, me të cilën akuzonte politikanët lokalë për korrupsion dhe abuzime të zyrës. Ai pretendonte se ndjekja nga policia ishte si ndëshkim për sulmet e tij politike.
Në fund, u dënua me burg për evasion fiskal etj.
Për këdo që ka menduar se historia e tij mbaroi aty, duket se është nxituar.
Këta djem kanë jetën e tyre sigurisht dhe përbëjnë një fenomen më vete. Brenda pak kohe kanë siguruar të tërheqin vëmendjen që shumë artistë të muzikës hip-hop nuk e kanë siguruar gjatë gjithë karrierës së tyre.
Mbase thjesht po shijojnë “15 minutat” e një suksesi që mbaron shpejt, si thotë një shprehje klishe amerikane, po ku i dihet, mund edhe të bëhen një versioni i “Jackson Five” të hip-hopit.

Cardi B.

Comment

*