Dita e Pavarësisë

Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both për ju:

 

Në 4 korrik, ne festojmë ditëlindjen e 242-të vendit tonë dhe ditën kur Kongresi Kontinental miratoi Deklaratën e Pavarësisë në 1776. Kjo do të jetë një ditë e veçantë për shumë imigrantë në të gjithë vendin. Shërbimi i Emigracionit dhe Shtetësisë (USCIS) do të ketë ceremoni natyralizimi në të gjithë vendin. 4 Korriku shënon për emigrantët lindjen e një kapitulli të ri në jetën e tyre, si qytetarë të këtij vendi. Këta anëtarë të rinj të komunitetit tonë tani do të jenë në gjendje të gëzojnë të drejtat, privilegjet dhe përgjegjësitë e shtetësisë së SHBA. Kjo përfshin të drejtën për të votuar dhe për të ndryshuar drejtimin e këtij vendi.

Këtë vit, SHBA do të mirëpresë më shumë se 14,000 qytetarë të rinj në rreth 175 ceremoni natyralizimesh, midis 28 qershorit dhe 10 korrikut. Sipas USCIS, vetëm në 4 korrik do të ketë 27 ceremoni natyralizimi. Disa nga ceremonitë do të zhvillohen në vende historike, përfshirë Monticellon e Thomas Jeffersonit, Battleship New Jersey, Mount Vernon e Xhorxh Uashingtonit dhe Parkun Historik Kombëtar të Pavarësisë. Të bëhesh  shtetas amerikan (i natyralizuar) është sigurisht një arritje për t’u festuar. Aplikantët për shtetësi duhet të kalojnë provimin për të demonstruar njohuritë e tyre për historine  e Amerikës. Provimi nuk është i lehtë dhe përfshin pyetje për Ditën e Pavarësisë. Nga 100 pyetjet e mundëshme kërkohet “Çfarë rëndësie ka Deklarata e Pavarësisë?” Dhe të tjerat lidhur me rolet e shumta të qeverisë federale, pozicionet e hartuesve të politikave aktuale dhe tiparet e Kushtetutës së SH.B.A.-së. Aplikantët gjithashtu duhet të jenë të aftë në lexim, shkrim dhe anglishten e folur.

4 Korriku – i njohur si Dita e Pavarësisë – ka qenë festë federale në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1941, por tradita e festimeve të Ditës së Pavarësisë daton në shekullin e 18-të .

Lufta Revolucionare shpërtheu në prill 1775. Gjatë vitit 1776 armiqësia kundër Britanisë së madhe erdhi duke u rritur dhe kolonistët ishin për pavarësi . Pamfleti “Common Sense”, botuar nga Thomas Paine në fillim të vitit 1776, ndezi edhe më shumë ndjenjat revolucionare. Më 7 qershor, Kongresi Kontinental emëroi një komitet prej 5 vetësh, të përbërë prej Thomas Jefferson nga Virxhinia, John Adams nga Massachusetts, Roger Sherman nga Connecticut, Benjamin Franklin nga Pensilvania dhe Robert R. Livingston nga Nju Jorku, për të hartuar një deklaratë zyrtare që justifikonte  shkëputjen nga Britania e Madhe.

Më 2 korrik 1776, Kongresi Kontinental votoi në favor të pavarësisë. Atë ditë, Xhon Adams i shkroi gruas së tij Abigel se 2 korriku “do të festohet në gjenerata, si një përvjetor i madh dhe se festimi duhet të ketë Paradë … lojra, sporte, këmbana, zjarre dhe ndriçim nga një anë e këtij kontinenti në tjetrën”.

Dy ditë më vonë, më 4 korrik 1776, delegatët nga 13 kolonitë miratuan Deklaratën e Pavarësisë,  dokument historik i hartuar nga Thomas Jefferson. Prej 1776 deri në ditët e sotme, 4 korriku është festuar si lindja e pavarësisë amerikane. Festimet, përfshinë koncerte, fishekzjarre, parada  të shtëna me  top, etj. Filadelfia festoi përvjetorin e parë të pavarësisë më 4 korrik 1777, ndërsa Kongresi ishte ende i zënë me luftën në vazhdim.

Më 1778, për të festuar përvjetorin e pavarësisë Xhorxh Uashingtoni u dha  të  gjithë ushtarëve të tij  racione dyfish rumi, dhe në 1781, disa muaj përpara fitores në Yorktown, Massachusetts u bë shteti i parë që e bëri 4 korrikun festë zyrtare shtetërore. Pas Luftës Revolucionare, amerikanët vazhduan të përkujtonin Ditën e Pavarësisë çdo vit, me festime që i lejonin krerët politikë t’u adresoheshin qytetarëve dhe të krijonin një ndjenjë uniteti.

Tradita e festës patriotike u bë edhe më e përhapur pas Luftës së 1812, në të cilën Shtetet e Bashkuara u përballën përsëri me Britaninë e Madhe. Në vitin 1870, Kongresi i SHBA  e bëri 4 korrikun festë federale; në vitin 1941, u bë ditë feste e paguar për të gjithë punonjësit federalë. Gjatë viteve, rëndësia politike e festës do të binte, por Dita e Pavarësisë mbeti një festë e rëndësishme kombëtare dhe një simbol i patriotizmit. 4 korriku që nga ajo kohë është bërë një fokus i madh i aktiviteteve dhe një rast i zakonshëm për takime familjare, që shpesh përfshijnë fishekzjarre dhe barbekju në natyrë. Simboli më i zakonshëm i festës është flamuri amerikan, i shoqëruar me himnni kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa SHBA feston ditëlindjen e saj, le të reflektojmë të gjithë se përse e festojmë 4 korrikun dhe vazhdojmë të punojmë për liri dhe drejtësi për të gjithë.

Faleminderit që ndiqni rubrikën tonë. Gëzuar festën e pavarësisë së Amerikës!

Faleminderit për komentet dhe pyetjet tuaja në [email protected]

 

Comment

*