Dita Ndërkombëtare e Librit në Filadelfia

Kishte ditë që z. Vlashi Fili, autor i disa librave, kishte njoftuar se më 23 prill do të shtronte një kokteil të thjeshtë për miqtë që dëshironin të merrnin pjesë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit.
Kishte dalë nga botimi libri i tij i fundit, me rrëfenja, me titull “Gëzimi i fëmijës”, shtypur në shtypshkronjën EDLORA në Tiranë, nën kujdestarinë e z. Spiro Dede dhe autori kishte dëshirë ta promovonte pikërisht në këtë datë, me shokët dhe miqtë e tij dashamirës të letërsisë. Në këtë promovim autori dëshironte që atë ditë të dhuronte miqve të tij një kopje të këtij botimi. Kishte menduar edhe të papritura të tjera që do t’i bënte të njohura atë ditë.
Më 23 prill, në Qendrën Kulturore të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” u mblodhën shokët e miqtë e autorit, dashamirës të letërsisë. Në shoqërinë e koktejlit si dhe të një kafe dhe një godë raki shqiptare, autori Vlashi Fili, çeli promovimin e librit të tij të fundit.
Si fillim ai referoi një material të shkurtër, ku bënte të qartë arsyeja që është caktuar kjo datë si Dita Ndërkombëtare e Librit, ku midis të tjerave theksoi:
“……23 prilli është një datë simbolike për literaturën botërore. Më 23 Prill 1616 vdiqën Miguel de Cervantes, William Shakespeare (Shekspiri) dhe Garcia de la Vega. 23 Prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve të tjerë si: Maurice Dryon, K. Laxnes, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Meija Vallejo. Si e tillë UNESCO, më 15 Nëntor 1995, e shpalli datën 23 Prill si Ditën Botërore të Librit……”
Në vazhdim autori dha disa njohuri mbi jetën dhe veprën e Miguel de Cervantes (29 Shtator 1547 – 23 Prill 1616), William Shakespeare (23 Prill 1564 – 23 Prill 1616) dhe Josph Pla (8 Mars 1897 – 23 Prill 1981).
Pastaj z. Vlash Fili u dhuroi të pranishmëve nga një kopje të librit të tij të fundit, por me shtojcën ku theksoi:
“ Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të Librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. Për ta risjellë këtë veprim në këtë tavolinë, gjithkujt që do i dhuroj librin do i dhuroj edhe një karajfil”
Ky veprim u pëlqye mjaft nga miqtë e tij dhe krahas falenderimit për dhurimin e librit e falenderonin z. Vlashi edhe për dhuratën e lules së bukur.
E morën fjalën në vazhdim zotërinjtë Llazar Vero, Dritan Matraku, Hatem Dervishaj, Kiço Kokthi, Llukan Dylgjeri, Milto Bllaci, Eqerem Murataj, Haki Çollaku, Sotir Goxhaj, Abedin Teme, Hamdi Gjana, Petrit Zanaj, Anastas Golemi, të cilët folën për këtë datë dhe rolin që ka luajtur e luan libri në jetën e njeriut. Midis të tjerave ata përmendën:
“Që nga dita e botimit të librit të parë dhe deri më sot janë botuar pa mbarim, por fatkeqësia e madhe në historinë e librit ka qenë djegja e bibliotekës së Aleksandrisë”, theksoj z. Llazar Vero, mbasi bëri fjalë në fillim, për rëndësinë e librit.
“Libri është shoku më i mirë jetës”, theksoi midis të tjerave z. Dritan Matraku, mbasi falenderoi autorin për organizimin e këtij promovimi dhe dhurimin e librit.
“Dashuria për librin është dashuria për autorin, për njeriun dhe jetën”, theksoi, midis të tjerave, z. Hatem Dervishaj, mbasi falenderoi autorin për dhuratën.
“I kam lexuar të gjitha librat e Vlashit dhe më kanë pëlqyer shumë mbasi në to gjej veten, gjej pjesë nga jeta ime”, theksoi midis të tjerave z. Eqerem Murataj.
Një foto e përbashkët e mbylli këtë veprimtari .

Vasil Filipi

Filadelfia, 23 Prill 2018

Comment

*