Ditë të bukura

Një ditë bëhet e bukur nga një përshëndetje prej një njeriu të mirë, nga një telefonatë nga larg nga miqtë e tu (si sot me mikun tim, të më se 50 viteve, Sefedin Çelën), nga një kafe me miqtë e tu emigrantë, një dhuratë për shoqatën apo shkollën shqipe të saj,… Por edhe puna vullnetare tek godina e re e shoqatës ka ngjyrat e veta të bukura. Shpirti e do të mirën dhe të bukurën. Kështu është ndërtuar.

 

NJË TELEFONATË NGA LARG

Një zë gruaje u dëgjua nga ana tjetër e telefonit: Jam Englantina Mandia … ishin fjalët e para. Dhe mua në çast m’u kujtua, ajo zonjë e hijshme, mësuese e nderuar e letërsisë në shkollat e mesme të Tiranës, shkrimtare dhe gaetare e respektuar, që për vite të tëra iu kushtua emancipimit dhe nderimit të gruas shqiptare. Ajo ishte shëmbulli vet, i mirë. Më tej ajo tregoi se si ishte njohur me Shoqatën “Bijtë e Shqipes” dhe akoma më shumë vlerësoi hapjen e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”, për t’u mësuar fëmijëve të lindur larg mëmëdheut gjuhën e prindërve. Fliste qetë, me një zë të embël që kishte brenda një drithërim të lehtë, në të cilin ishte gruaja me botë të madhe, bashkëshortja, nëna, gjyshja. Me të shpejt përllogarita se kjo zonjë tashmë ishte tek të tetëdhjetat. Ajo jeton tani në Ontario të Kanadasë, ku jeton e punon edhe djali i saj me familjen e tij.
Po Englantina Mandia nuk ka hequr dorë nga puna e saj, si intelektuale e vërtetë, si publiciste dhe shkrimtare me vlerë.
– Kam botuar një libër me përralla për çuna të rritur “Arratia e zogjve” i cili është përkthyer edhe në anglisht. Kjo do t’i ndihmoj fëmijët që kanë lindur larg atdheut të bëjnë lidhjen midis dy gjuhëve. Dëshiroj t’ua bëj dhuratë fëmijëve të shkollës tuaj.
Pasi e falenderova me gjithë zemër për dhuratën dhe punën e saj krijuese, kujtuam për pak çaste edhe bashkëshortin e saj të ndjerë, pedagogun e respektuar Qemal Mandia, që na jepte lëndën e pedagogjisë në fakultet.
Pas një jave në shtëpinë time erdhi një pako postale nga Otario. Ishin librat e premtuar për fëmijët e shkollës shqipe dhe disa libra të tjerë të botuar vitet e fundit si: “Fytyrë e dashurisë” -2014, “Tempulli i shpresave” – 2016, “Lamtumira e mjellmës” -2017, dhe “Sonata e hënës” -2016. Kuptohet që këto botime janë fryt i një pune të madhe kërkuese e krijuese shumëvjeçare.
Në secilin prej tyre zonja Englantina Mandia me mjaft sqimë kishte bërë nga një shënim gjithë mirësi e kulturë që megjithëse personale unë po i ndaj me dashamirësit. Në vëllimin “Tempulli i shpresave” ku ka një përkushtim për motrën e saj Edith shkruhet “Duke kërkuar rrënjët NJERIU gjen vetevehten!” dhe posht këtij dedikimi shtonë me shkrim dore “ për të gjithë ne që shkruajmë është ky dedikim, miqësisht: Englantina. Ndërsa tek vëllimi “Fytyrë e dashurisë” (rrëfime të jetuara) ajo shkruan përsëri me penë “Jeta ime nëpërmjet të tjerëve, atyre që më dhanë frymëzim. Englantina” . Ndërsa në vëllimin “Sonata e hënës” (Rrëfim për një jetë), kushtuar Musine Kokalarit, shënimi është një falenderim për veprimtarinë e organizuar nga Shoqata “Bijtë e Shqipes” kushtuar Musine Kokalëarit dhe Sabiha Kasimatit. Në vëllimin e katërt që më ka dhuruar me thjeshtësi dhe mënçuri shkruan:” Shpresoj të kem dhënë sadopak me moton; më e ngushta udhë e jetës është udha e së VËRTETËS”.
Këto janë vetëm një pjesë e punës së saj si intelektuale publiciste dhe krijuese. Në vite ajo ka botuar edhe “Tregime për ty”, “Duke mposhtur vdekjen”, “Jeta dhe motrat e saj”, “Në çdo pëllëmb të tokës sime”, “Një pritje e gjatë”, “Lisa të mëdhenjë”, “Shtëpia buzëdetit”, etj. Një punë për tu patur përshëndetur me respekt dhe falenderim, që nderon emrin e gruas shqiptare.
Akoma nuk kemi mbaruar. Më e bukura pjesë e kësaj dhurata nga zonja Englantina Mandia ishte e diela në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë” të kësaj Shoqate kur kryetari i kësaj shoqate z. Bujar Gjoka, sekretari i saj z. Vlashi Fili dhe autori i këtij shkrimi, që pasi folën shkurt për autoren dhe dhuruesen znj. Englantina Mandia u dhanë nxënësve të klasave te tretë, të katërt dhe të pestë librat e dhuruara. Kjo ishte një kënaqësi e veçantë edhe për mësueset Rudina Bani, Rajmonda Bardhi dhe Irma Aliçkaj.
A nuk i bëjnë të bukura ditët tona, njërëz me vlera si këto? Ju faleminderi shumë Englantina Mandia! Edhe shumë vite jetë shëndet dhe krijimtari !

Llazar Vero

Filadelfia, 4 Mars 2019

2 Responses to “Ditë të bukura”

Read below or add a comment...

  1. Eglantina Mandia says:

    KJO QE DHURATA ME BUKUR NDER VITE!FALENDERIM E MIRENJOHJE TE GJITHEVE.
    EGLANTINA MANDIA

  2. Natasha Lako says:

    I pashe me emocion te madh keto foto , te cilat mund te quhen foto te femijeve qe mbajne librat e Eglantina Mandise ne duar, njekohesisht foto te librave te shkrimtares me horizont te hapur,ne duart e femijeve.
    LIber,femije dhe Eglantina jone. Urime femijeve ne kete udhetim qe kane nisur me aq dashuri , e qe duket sikur merr udhe edhe ne kete cast.

Comment

*