Ditëlindja e Skënderbeut sjell në Durrës një grup arbëreshësh nga Italia

Tiranë, 5 maj 2018 – Nesër, më 6 maj, shënohet 613 vjetori i Lindjes së Heroit Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Në manifestimet e organizuara në këtë përvjetor, i cili korrespondon me vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut, do të marrë pjesë edhe një delegacion përfaqësues i komunitetit arbëresh të Italisë.

Një delegacion prej 50 vetash nga Casalvecchio dhe Chieuti, po merr pjesë në festimet dy ditore që janë organizuar në Durrës. Ata iu bashkuan festimeve me këngë të vjetra shqipe dhe me kostume tradicionale.

Për disa prej tyre kjo është vizita e parë në Shqipëri, por kjo nuk i ka penguar ta ruajnë e ta kultivojnë gjuhën dhe traditat, brez pas brezi. Ata shprehin dëshirën e tyre të madhe që të ruajnë lidhjet me kombin dhe të ruajnë gjuhën e kulturën e të parëve.

“Të lidhim sa më shumë Shqipërinë me Arbërinë, që të mos harrojmë gjuhën tonë, kulturën tonë si arbëreshë dhe shqiptarë. Gjaku jonë të mos prishet, gjaku jonë të mos humbë”, tha Mirela Buda.

Edhe drejtues të dy komunave arbereshe e vënë theksin tek nevoja e organizimit të aktiviteteve të ndryshme, me qëllim të ruatjes së gjuhës e traditave shqiptare.

Festimet për nder të ditëlindjes së Skënderbeut do të përmbyllen në Kepin e Rodonit, të dielën, ku do të marrin pjesë grupe folklorike nga të gjitha trohet shqiptare dhe nga diaspora. (r.m.)

Comment

*