Ditëlindje me porosi

Julika Prifti

Julika Prifti

Lindja ime nuk solli të papritura në familjen Prifti. Unë isha jo vetëm fëmija e dytë por edhe vajza e dytë. Me ardhjen time pesë vjet pas motrës së madhe, për prindërit çdo gjë ishte e njohur dhe vetëm përsëritej si me rregull: vajtja në çerdhe, regjistrimi në kopsht, vizatimet e para, mësimi përmendsh i vjershave që i përsëritja në formë automatike kur kthehesha në shtëpi:”Kam tri nëna o fëmi, një në kopsht/ një në shpi, dhe një tjetër thellë në gji/që e ka emrin parti.” Për të demonstruar aftësitë e mia individuale, unë merrja pjesë edhe në riprodhimin e vjershave shkollore që i mësonte motra si ” Krujë o qytet i bekuar / Prite, prite Skënderbenë po vjen si pëllumb i shkruar të shpëtojë mëmëdhenë.” Që nga ritualet parashkollore deri te veshja, thuajse gjithçka përsëritej.

Garderoba e motrës së madhe bëhej pjesë e trashëgimisë sime kur fustanet, fundet, palltot, etj zvogëloheshin për trupin e saj. Për këtë nuk kisha asnjë ankesë se ato ishin të gjitha shumë të bukura, me ngjyra të ndezura e modele ndryshe nga ato që shiteshin në Mapo apo dyqane të tjera. Copa ishte i fortë dhe nuk zbehej nga larjet.Të gjitha kishin prerje shumë të mirë dhe rrinin kallup në trup. Rrobat që trashëgoja nga Loreta kishin ardhur nga Amerika ose nga vende të njohura europiane. Unë e doja dhe e respektoja motrën e madhe. Ajo kujdesej për mua, më mbronte nga kushdo që tentonte të merrte topin apo trazonte lojën me peta, më lexonte përralla e më merrte në kinema. Loreta ishte e përsosur. Kishte vetëm një të metë që përsëritej vit pas viti. Ditelindja e saj festohej disa ditë përpara ditëlindjes sime. Për vit në shtëpi bëheshin festimet e Krishlindjeve, Viti i Ri, ditëlindja e Loretës dhe pastaj ditëlindja ime. Unë isha në kopsht kur fillova ta ndiej këtë dukuri të padrejtë. Sa më shumë rritesha aq më shumë vëreja se festimi i ditëlindjes sime ishte më modest në krahasim me atë të Loretës. Për atë vinte gati gjithë klasa, mësuesja, fotografi i porositur, e shtëpia mbushej me mysafirë e me të qeshura, tregoheshin barcateta që unë nuk i kuptoja por që më zbavitnin njësoj si edhe shoqet e shokët e saj. Dihet se më shumë njerëz do të thotë më shumë dhurata. Për mua vinin disa shoqe të hyrjes sonë, nuk kishte prindër as fëmijë të kopshtit që të më vizitonin për të më uruar ditëlindjen. As unë nuk shkoja në ditëlindjet e shoqeve të kopshtit, dhe më dukej se nuk e festonin ditëlindjen me shoqërinë. Prindërit e kopshtit nuk njiheshin me njëri tjetrin dhe miqësia përfundonte në orët e pasdites me marrjen e fëmijës prej kopshtit, madje edhe oraret e daljes ndryshonin sipas mundësisë së prindërve.

Kur mbusha 5 vjeç protestova tek babi. Ai më kuptonte më mirë nga të gjithë, më dëgjonte gjithnjë me kujdes e me vemendje dhe çdo herë gjente zgjidhje cilido të ishte problemi. Kur mua nuk më pëlqente përralla ose përfundimi, babai im e ndryshonte dhe e bënte më të bukur. Kjo nuk ishte e vështirë për të se ai ishte shkrimtar. Por veç kësaj, babai kishte aftësi të fushës magjike. Kur udhëtonim me tren, ai arrinte ta kthente ditën në natë me një përplasje të duarve dhe sakaq vagoni i trenit kllaposej në errësirë. Pastaj unë i thosha ta bënte ditë e ai i përplaste duart prapë dhe drita kthehej përsëri. Kur luanim me letra, unë zgjidhja nga pakoja dhe ai e gjente letrën që kisha marrë unë pa gabuar. Kështu unë ia shpreha dëshirën time në formë të prerë. “Vitin tjeter dua që ditelindja ime të festohet e para dhe e Loretës e dyta. Mendoja se shkëmbimi do rregullonte si padrejtësinë e renditjes edhe mënyrën e festimit, pra ditëlindja ime do dukej si e Loretës dhe anasjelltas. Nuk dyshoja se babai do ta kuptonte drejt pakënaqësinë time dhe do gjente një zgjidhje siç ma kishte ënda mua.

Ai mund të shkonte tek kalendari dhe t’u ndryshonte vendin datave apo ta spostonte ditëlindjen e motrës së madhe disa muaj larg janarit psh në pranverë.

Prisja me padurim përgjigjen e tij. Hë ba, si thua? Kam të drejtë apo jo? Edhe unë duhet ta festoj disa herë ditëlindjen përpara Loretes apo jo?

-Po, – erdhi përgjigja e babait. Jam dakord. Sivjet do ta fillojmë vitin nga ditëlindja jote dhe ditëlindja e Loretës do të jetë pas teje dmth në fund të vitit.

E dija që babi ishte i zgjuar dhe i kuptueshem. Dhe ashtu e vendosëm. Babi hapi magnetofonin dhe ne e rregjistruam traktatin tonë sikur të kishim hedhur firmat mbi letër.

Atë natë e shumë net të tjera fjeta me ëndrra të bukura dhe në pritje…Por kur erdhi radha e ditëlindjes sime nuk pati shumë ndryshime. Erdhën disa kushërira të mamit që ajo i thirri për të më kënaqur mua. Po fëmijët e tyre ishin ose më të rritur ose më të vegjël dhe nuk e shtuan gazin e ditëlindjes. Në janarin e ardhshëm, ditëlindja e Loretës u festua si gjithnjë dhe pas pesë ditëve u bë festimi i lindjes sime, me një thjeshtësi të padurueshme. Unë qava me të madhe e as që më mbushej mendja se ditëlindja ime ishte festuar përpara dhe Loreta kishte pritur një vit për të festuar të sajën. Koncepti kohor mund të jetë i thjeshtë ose shumë i komplikuar për një fëmi kopshti apo shkolle.
Gjatë viteve shkollore, edhe tek unë vinin plot shoqe e shokë për ditën e lindjes.

Mirëpo atëherë vërejta se disa nxënës kishin lindur në data të shënuara si 1 apo 5 maj, më 28 apo 29 nëntor e kështu me radhë. Pse, pse ditëlindja ime nuk ishte në një datë kalendarike me rëndësi historike për vendin? Njerëzit do ta kujtonin me lehtësi dhe do kishte edhe festim masiv, apo jo?

U mërzita edhe më shumë kur mësova ditën e vdekjes së Skënderbeut, heroit kombëtar, që më kishte mahnitur me bëmat e tij. Nuk prishte punë se kishte qenë shumë shekuj më parë. Për mua nuk kishte rëndësi viti por data. Si nuk kishte qenë e mundur të vonohej lindja ime edhe një ditë?

Pas shumë ditëlindjeve në atdhe dhe jashtë, kur erdha në Amerikë, zbulova se ditëlindja ime rastis pranë me ditën e Martin Luther King Jr. Si festë kombëtare, bëhet pushim triditor dhe unë mund ta festoj ditëlindjen në Nju Jork ose jashtë.

Për festat e këtij fundviti, ndërsa ishim ulur në tavolinë, papritur Loreta tha se këtë vit dëshiron ta zhvendos festimin e ditëlindjes së saj në një muaj kur nuk kemi ditëlindje të anëtarëve të tjerë të familjes.

Atë çast keto kujtime nga fëmijëria ime vërshuan në mendje dhe unë buzëqesha sepse pas më shume se 50 vjetësh dhe pa asnjë ndërhyrje, në vitin 2019 mu plotësua një dëshirë fëminore.

Kështu qenka jeta! Disa gjëra t’i plotëson kur i ke harruar apo kur nuk i kërkon më.

Comment

*