Ditën e Krishtlindjes, Papa Françesku uron për vëllazëri mes njerëzve dhe vendeve

Në mesazhin e tij të Krishtlindjes për qytetin dhe botën, Papa Françesku tha se urimi i tij këtë vit ishte për vëllazëri mes individëve të çdo vendi dhe kulture dhe shprehu shpresën se kjo do të sillte paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve, në Siri dhe në Jemen.

“Urimi im për një Krishtlindje të lumtur, është një urim për vëllazëri”, tha Papa duke iu drejtuar mbi 1 milionë katolikëve në gjithë botën, në mesazhin e tij nga Bazilikata e Shën Pjetrit.

“Vëllazëri mes individëve të çdo vendi dhe kulture. Vëllazëri mes njerëzve me ide të ndryshme, por që gjithsesi respektojnë dhe dëgjojnë njëri-tjetrin. Vëllazëri mes njerëzve të besimeve të ndryshme”.

Papa më pas e ktheu vëmendjen tek zonat me konflikt në botë, para së gjithash në Lindjen e Mesme. Ai shprehu shpresën se lidhjet e vëllazërisë mund të ndihmojnë izraelitët dhe palestinezët që të rifillojnë dialogun dhe të ndërmarrin një udhëtim të paqes që mudn t’i jape fund një konflikti 70 vjeçar.

Ati i Shenjtë tha se shpresonte që Siria ta rigjente vëllazërinë pas gjithë këtyre viteve të gjata lufte. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të punonte me vendosmëri “për një zgjidhje politike që të mund të lërë mënjanë përçarjet dhe interesat politike, në mënyrë që populli sirian, veçanërisht ata që janë të detyruar të lënë vendin e tyre dhe të kërkojnë strehim gjetiu, të mund të kthehen të jetojnë në paqe në vendin e tyre”.

Papa foli gjithashtu edhe për Jemenin dhe shprehu shpresën që armëpushimi i ndërmjetësuar nga komuniteti ndërkombëtar, të sjellë më në fund lehtësim për të gjithë fëmijët dhe njerëzit e rraskapitur nga lufta dhe uria.

Të hënën në mbrëmje, papa festoi Meshën e Krishtlindjeve në Bazilikatën e Shën Pjetrit, ku morën pjesë dhjetra mijëra vetë. (Zëri i Amerikës)

Comment

*