Ditmir Bushati: “Ne kemi çfarë të mësojmë nga Kosova”

Tiranë, 15 shkurt 2021 – Ditmir Bushati, deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, ka folur në superlative për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

Bushati, në një intervistë për televizionin “Neës 24”, i ka cilësuar zgjedhjet në Kosovë si  ”zgjedhje atipike”. Ai ka thënë se në këto zgjedhje nuk kanë fituar Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, por ka fituar gjithë Kosova.

“Ishin zgjedhje atipike, jo vetëm për situatën në të cilat u zhvilluan. I konsideroj zgjedhje atipike, sepse nuk kemi pasur një ballafaqim. Nuk mendoj që thjesht kanë fituar Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, por ka fituar Kosova, qytetari i zakonshëm që kontribuon në vendin e tij, me djersë dhe punë të ndershme. Ka fituar, besoj, edhe ajo pjesë e shoqërisë civile që ka rezistuar ndaj fenomeneve negative, gazetarisë satirike dhe shpirtprishur. Ka fituar gjenerata e Kosovës Evropiane. Besoj se do të përjetohet një rrugë e re për Kosovën evropiane. Kosova ka fituar, por përgjegjësia do të bjerë për Albin Kurtin”, ka thënë ai.

Bushati ka theksuar se publikimi kaq i shpejtë i rezultetit të zgjedhjeve dhe pranimi i rezultateve nga partitë humbëse është leksioni më i mirë për Shqipërinë. Ai ka thënë se të gjithë në Shqipëri duhet të luftojnë me të gjitha forcat që të veprojnë në të njëjtën mënyrë, ndonëse ka pranuar se kjo është shumë e vështirë të reralizohet në Shqipëri.

“Është e vërtetë dhe duhet ta pranojmë se Kosova, një shtet 13 vjeçar, në këtë drejtim e ka lënë pas Shqipërinë. Që nga viti i mbrapshtë 1996, procesi zgjedhor nuk është shtrirë ende në kufijtë e normalitetit. Ndërkohë që, sado që përpiqemi të sofistikojmë dhe të shkruajmë ligje mjaft kufizuese, e kemi ende të vështirë për të pranuar rregullat bazë demokratike. Unë do të luftoj që një gjë e tillë të ndodhë në Shqipëri, por që kjo të ndodhë duhet të shoqërohet me rregulla më të mira të lojës brenda forcave politike, për më shumë garë brenda forcave politike por edhe ekonomi. Këto janë dy nga elementët kryesorë që do t’i jepnin shoqërisë frymën e nevojshme. Në këtë kontekst, ne kemi çfarë të mësojmë nga Kosova”, është shprehur Bushati.

(r.m.)

Comment

*