Djali i Nenad Rashiqit rrahet brutalisht nga një grup serbësh

Prishtinë, 22 shkurt 2021 – Djali i politikanit të njohur serb të Kosovës, Nenad Rashiq, është rrahur brutalisht në Llaplesellë të komunës së Graçanicës, në periferi të Prishtinësh.

Nikolla Rashiq, 18 vjeç, është rrahur nga një grup prej rreth 30 personash, kur po dilte nga shkolla, ku i vijon mësimet. Atij i janë shkaktuar lëndime të rënda në fytyrë e në kokë dhe i janë thyer dhëmbët.

Policia bëri të ditur se tetë persona janë ndaluar lidhur me sulmin ndaj të birit të Rashiqit.

Nenad Rashiq ka treguar se djali i tij, Nikolla, është sulmuar me boksa të hekurt, me çekan dhe me thika. Ai ka thënë se Nikolla, pasi e ka marrë ndihmën e parë mjekësore, është liruar në shtëpi, por prej nesër ai do t’u nënshtrohet kontrollit mjekësor më të detajuar.

“Djali tani është në shtëpi. Nesër do t’i vazhdojmë kontrollet e mëtutjeshme“, ka thënë Rashiqi.

Policia tha se po zhvillon hetime lidhur me motivet e sulmit.

Nenad Rashiqi e ka shprehur bindjen se sulmi ndaj të birit ka prapavijë politike. Ai ka thënë se ky sulm vjen pas kërcënimeve të shumta që kanë marrë ai, familja e tij edhe mbështetësit e politikës së tij, e cila bie ndesh me politikën e Listës Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi.

”Unë kam pranuar që duhet ta paguaj çmimin e ideologjisë që kam, por me të vërtetë nuk kam pritur që djali apo familja ime ta paguajnë këtë çmim”, ka thënë ai.

Nenad Rashiqi është kryetar i Partisë Demokratike Progresive të Kosovës. Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës.  Ka qenë edhe ministër në dy mandate qeverisëse. Ai ishte ministër edhe në kabinetin qeverisës të Albin Kurtit, por dha dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij dhe ish-minitrave që ishin pjesë e komitetit ndërministror për privatizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Rashiqi ishte këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti.

(r.m.)

 

Comment

*