Do të vish në New York? 14 ditë izolim përpara se të dalësh në rrugë

Guvernatorët e Trishtetëshit paralajmërojnë vizitorët e mundshëm nga zonat ku infeksionet janë në rritje

 

Ruben Avxhiu

Udhëtarët e vizitorët nga pikat e nxehta të përhapjes së koronavirusit do të detyrohen të vendosen për 14 ditë në karantinë nëse vijnë në New York, New Jersey dhe Connecticut.
Ky ishte vendimi i guvernatorëve të Trishtetëshit që vendos në shënjestër shtetet amerikane si Alabama, Arkansas, Florida, North Carolina, South Carolina, Ëashington, Utah dhe që po regjistrojnë rritje të shpejta të numrit të të infektuarve.
“Sapo kemi arritur t’i nxjerrim njerëzit tanë nga Ferri”, thotë Gov. Phil Murphy i New Jersey-t, duke shtuar se masat janë të domosdoshme për të penguar rikthimin e gjendjes alarmante.
Ndonëse masat janë këshilluese më shumë sesa detyruese, pasi nuk ka mekanizma ligjorë që të detyrojnë karantinën, apo pengimin e udhëtimit, ato janë një “hakmarrje” e butë e njujorkezëve ndaj disa shteteve që propozuan izolimin dhe pengimin e njujorkezëve që iknin kur ishte Trishtetëshi epiqendër e epidemisë.
Guvernatori Andrew Cuomo ka shpjeguar se kjo vlen edhe për njujorkezët, që ndodhen në këto shtete dhe po rikthehen në shtëpi.
Hapësira verilindore e Shteteve të Bashkuara po hapet me faza, ndërsa shifrat e infektimeve dhe ato të shtrimeve në spital dhe vdekjeve gjithmonë në ulje.
New York City filloi këtë të hënë fazën 2 të rihapjes, ndërsa kryebashkiaku Bill de Blasio njoftoi mbrëmë, hapjen e plazheve publike, në 1 korrik.

Comment

*