Dodik: Nëse Kosova anëtarësohet në OKB, Republika Serbe do ta shpallë pavarësinë

Sarajevë, 15 prill 2019 – Milorad Dodik, kryesues i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, ka paralajmëruar se Republika Serbe mund ta shpallë pavarësinë nga Bosnja e Hercegovina.

Ai ka thënë se Trepublika Serbe do ta bëjë këtë nëse Kosova bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Në momentin që Kosova bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Republika Serbe do ta shpallë pavarësinë e vet”, ka thënë Dodik për gazetën e Beogradit “Veçernje Novosti”.

Sidoqoftë, ai ka thënë se për Kosovën do të pranonte çdo zgjidhje me të cilën pajtohet Serbia.

Dodik ka thënë se Bosnja e Hercegovina “do të shpërbëhej brenda dy ditësh, sikur të mos ishte përzierja nga jashtë”.

Lideri i serbëve të Bosnjës është shprehur në favor të ndryshimit të kufijve në Ballkan.

“Ballkani do të bëhej i qëndrueshëm vetëm me ridefinim të kufijve, ashtu që të bashkohen hapësirat ku shumicë janë popujt dominues”, ka thënë ai.

Dodik ka theksuar se stabiliteti i rajonit varet nga serbët.

“Stabiliteti më i madh do të arrihej sikur të gjithë serbët të bashkoheshin në një Serbi perspektive”, është shprehur ai. (r.m.)

Comment

*