Doganat, “Crown Agents” merr 4.25 milionë euro në vit, pagesa edhe për blerje makinash

Kompania “Crown Agents” e propozuar të ndihmojë doganat shqiptare do të marrë 4.25 milion euro në një vit. Deputetët e opozitës e kanë zbardhur përmbajtjen e draftit projektligj që ka mbërritur nga qeveria drejt Kuvendit të Shqipërisë.
Deputeti Genc Pollo deklaroi se kompania do të fitojë 4.25 milion euro nga kontrata por sipas tij në materialet që u janë dhënë deputetëve mungon shtojca C. “Kompania do të marrë një shumë të tillë për secilin vit dhe totali shkon 8.5 milion euro. Në vitin e parë qeveria do t’i paguajë agjencisë edhe 400 mijë euro për blerjen e 10 automjeteve. Por afati i kontratës mund të zgjatet edhe me vite të tjera”, thotë Pollo.
Pollo akuzon qeverinë se jo pa qëllim nuk u ka dorëzuar deputetëve shtojcën C të projektligjit përmes të cilës, llogaritet saktësisht përfitimi mujor i kompanisë. Sipas tij, kjo hap dyshime se përllogaritja e përfitimit do të bëhet në bazë të përformancës së Doganave, shkak për të cilin edhe qeveria uli pak ditë më parë artificialisht planin e të ardhurave të administratës doganore.
D.M.

Comment

*