Doli nga shtypi ‘Fjalori enciklopedik i Kosovës’

Prishtinë, 8 shtator 2018 – Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës njofton se ka dalë nga shtypi ‘Fjalori enciklopedik i Kosovës’.

Në njoftim thuhet se kjo është vepra e parë enciklopedike e botuar në Kosovë.

“Në dy vëllime me 1,818 faqe, janë përfshirë tekstet e rreth 6,000 zërave, të hartuar nga 506 autorë, një vepër kolektive e hartuar nga profesorë universiteti, shkrimtarë, publicistë, artistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme të shkencës dhe të dijes: gjeografi, histori, ekonomi, shkenca politike dhe juridike, albanologji, arkeologji, shkenca sociale, mjekësi, shkenca të natyrës dhe shkenca teknike, letërsi, informim, muzikë, arte figurative dhe arte skenike, sport dhe trashëgimi kulturore”, thuhet në njoftim.

Akademia bën të ditur se ‘Fjalori enciklopedik i Kosovës’ do t’u shpërndahet të gjitha institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, bibliotekave dhe redaksive të mjeteve të informimit, në mënyrë që informacioni dhe të dhënat në përdorim për Kosovën dhe botën shqiptare të dalin më të plota dhe më të sakta.

‘Fjalori enciklopedik i Kosovës’ është projekti më i madh dhe më i rëndësishëm i real;izuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. (r.m.)

Comment

*