Domethënia e trazirave në Turqi

Daniel Pipes

Daniel Pipes

Që prej 31 majit rebelimi ka tronditur Turqinë: A mund të krahasohet ai me kryengritjet arabe të cilat që nga vitit 2011 kanë përmbysur katër sundues, apo me Lëvizjen e Gjelbër të Iranit të vitit 2009, e cila solli zgjedhjen si president javën e kaluar të një reformatori në dukje, apo ndoshta me “Pushto Uoll Stritin” (Occupy Wall Street), pasojat e të cilës ishin të papërfillshme?
Protestat shënojnë një zhvillim tejet të rëndësishëm e me pasoja afatgjata. Turqia është bërë një vend më i hapur e liberal, një vend ku udhëheqësit përballen si kurrë më parë me sfidat e demokracisë. Por deri në çfarë mase kjo gjë do të ndryshojë rolin e Islamit në Turqi është diçka që varet kryesisht nga ekonomia e vendit.
Rritja materiale, që të kujton Kinën, ka qenë arritja kryesore e Rexhep Tayyip Erdoganit dhe AKP-së, partisë që ai kryeson. Të ardhurat personale janë më shumë se dyfishuar gjatë dhjetëvjeçarit kur ai ka qenë në fuqi, duke ia ndryshuar kështu pamjen vendit. Si vizitor i Turqisë që prej 1972, kam vënë re ndikimin e kësaj rritje në thuajse të gjitha fushat e jetës, që në atë çfarë hanë njerëzit aty e deri në kuptimin që ka marrë për ta ndjesia e të qenit turk.
Kjo rritje e ndjeshme shpjegon dhe përqindjen në rritje të votës kombëtare që shkon për AKP-në në tre zgjedhjet e fundit, nga 34% në 2002, në 46% në 2007 dhe në diçka më pak se 50% në 2011. Ajo gjithashtu shpjegon se si pas 90 vjetësh pushtet politik të plotë të ushtrisë, kjo parti qe në gjendje t’i gjunjëzonte forcat e armatosura.
Por në të njëjtën kohë, dy pika të dobëta po dalin në pah gjithnjë e më shumë, veçanërisht pas zgjedhjeve të qershorit 2011, të cilat po e dëmtojnë mbajtjen në mënyrë të vazhdueshme nën zotërim të qeverisë nga ana e Erdoganit.
Njëra është varësia nga borxhi i jashtëm. Për të përballuar shpenzimet e konsumit, bankat turke kanë marrë hua të mëdha nga jashtë, sidomos nga burime mbështetëse myslimane sunite. Pasojë e kësaj është defiçiti buxhetor i tanishëm, i cili ka krijuar një nevojë aq të madhe për kredi sa vetëm sektorit privat i nevojitet një hua prej 221 miliardë dollarësh amerikanë në 2013, dmth thuajse 30% e GDP-së 775 miliardëshe të vendit. Nëse ndalon fluksi i parave në Turqi merr fund “the party” (si në kuptimin e festës ashtu edhe në kuptimin e AKP-së) dhe gjasat janë që bursa të pësojë kolaps, duke sjellë mbase rënien e tregut të stoqeve, rrokullisjen e valutës dhe mrekullia ekonomike të frenojë në mënyrë të menjëhershme.
E dyta është mënyra “alla sulltançe” si e kupton Erdogani mandatin e tij demokratik. Kryeministri e sheh zgjedhjen e tij – e sidomos atë të vitit 2011, kur AKP-ja fitoi gjysmën e votës popullore – si carta bianca për të bërë çfarë t’i dojë qejfi deri në votimin e ardhshëm. U lë dorë të lirë shfryrjeve emocionale vetjake (kujtoni konfrontimin e tij me Shimon Peresin në 2009), ngatërrohet me çështje nga më të voglat (vendimi i tij lidhur me mënyrën se si do të përdorej parku ndezi rrëmujat e tanishme), merret me inxhinieri shoqërore (duke u thënë çifteve të bëjnë tre ose më shumë fëmijë), përfshin Turqinë në një aventurë të huaj që nuk përkrahet nga masat e gjera (Siria) si dhe derdh vrer mbi gjysmën e elektoratit që nuk votoi për të (duke i quajtur pijanecë, të dhënë pas birrës e që ndërzehen në xhami). Kjo sjellje i ka siguruar mbështetjen e ethshme nga votuesit e tij dikur të nëpërkëmbur, por nga ana tjetër ka ngjallur zemërim në një numër gjithnjë në rritje turqish, të cilët janë të indinjuar nga autoritarianizmi i tij, si dhe kritika nga udhëheqës perëndimorë. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ishte shumë e pakënaqur nga kjo ndërhyrje e fundit kaq agresive e policisë.
Këto dy pika të dobëta tregojnë se sa e rëndësishme është ekonomia për të ardhmen e Erdoganit, AKP-së dhe vendit. Nëse financat e Turqisë do t’u mbijetojnë pa probleme demonstratave, programi islamist që përbën thelbin e platformës së AKP-së do të vazhdojë të përparojë, qoftë ky edhe në një mënyrë më të matur. Ndoshta Erdogani do të mbetet në krye, duke u bërë, vitin që vjen, president i vendit, i veshur me fuqi të reja më të mëdha; ose ndoshta vetë partia e tij do të lodhet me të – siç ndodhi me Margaret Thatcher në 1990 – dhe do ta nxjerrë mënjanë për t’i bërë vend dikujt që është në gjendje ta përmbushë të njëjtin program, por pa ngjallur kaq shumë armiqësi.
Por nëse “kapitali i nxehtë” i rrëshqet Turqisë nga dora, nëse investitorët e huaj shkojnë gjetkë dhe padronët e Gjirit Persik i ftohin marrëdhëniet me AKP-në, atëherë demonstratat mund t’i japin vërtet fund sundimit të AKP-së dhe të ndërpresin rrugën drejt islamizmit dhe vendosjes së ligjit islamik. Mosmarrëveshjet e cicmicet brenda partisë, veçanërisht mes Erdoganit dhe presidentit Abdullah Gül, apo brenda lëvizjes islamiste, veçanërisht mes AKP-së dhe lëvizjes së fuqishme të Fethullah Gülenit, mund t’i dobësojnë islamistët. Për më tepër, shumë votues jo-islamistë të cilët ia dhanë votën AKP-së për shkak të mënyrës si kjo e fundit drejtoi ekonominë, mund ta braktisin partinë.
Punësimi me pagesë me bordero ka rënë me 5 përqind. Shpenzimet reale për konsum në tre-mujorin e parë në 2013 kanë shënuar një rënie prej 2 përqind kundrejt vitit 2012. Që kur filluan demonstratat, bursa e Stambollit ra me 10 përqind dhe normat e interesit u rritën me rreth 50%. Për të dhënë një vlerësim mbi të ardhmen e islamizmit në Turqi, mbani nën vëzhgim këto dhe tregues të tjerë ekonomikë.

Comment

*