Donald Trump, me dy strategji të mundshme në debatin e sotëm me Hillary Clinton

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Ky është padyshim momenti më i vështirë për Donald Trump, në përpjekjen e tij të pazakontë për t’u zgjedhur president i Amerikës.
Bosi i pronave të patundshme nga Neë York City nuk e ka mohuar ndonjëherë që i jep gojës më shumë sesa duhet duke u mbrojtur se nuk është politikan dhe nuk manipulon votuesit duke përdredhur fjalët si bëjnë rivalët e tij.
Ky interpretim ka shpejguar se pse përkundër parashikimeve të analistëve dhe opinionistëve të medias dhe të industrisë së fushatave elektorale, ai triumfoi në Partinë Republikane dhe vijon të jetë konkurrues përballë Hillary Clinton, sipas anketimeve.
Mirëpo, zbulimi i një audio/video ku ai dëgjohet duke thënë fjalë të ndyra e duke u mburrur sesi i zë femrat pa i pyetur shumë se kur je yll në televizion ato ashtu duan, e ka dëmtuar si asnjë prej “skandaleve” të mëparshme gjatë kësaj fushate.
2016-09-27t030008z_3_lynxnpec8q02p_rtroptp_4_usa-election-debateTani numri i kongresistëve e senatorëve republikanë që duan ikjen e tij nga gara ka arritur në 150. Partia Republikane ka vendosur që të mos i japë më fonde për fushatën presidenciale. Figura si John McCain kanë anulluar mbështetjen që i dhanë. Ish-Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice theu heshtjen duke kërkuar hapur që Donald Trump të dalë nga gara. Dyshime të shumta u hodhën se zëvendësi i tij Mike Pence nuk po i flet më dhe mund të japë dorëheqjen.
Fushata e tij, botoi së fundi, një fotografi, ku sipas tyre Trump po fliste në telefon me Pence. Besoj për të larguar pikërisht dyshimet se ka përçarje mes të dyve.
Pence mund të jetë duke parë një shans këtu. Disa republikanë, të kënaqur edhe nga suksesi i tij në debat me zëvendësin e Hillary Clinton, Tim Kaine, po qarkullojnë idenë që Trump del nga gara dhe Pence bëhet kandidat për president.
Jo më kot, Demokratët kanë kaluar dy ditët e fundit duke e përshkruar Pence si një politikan po aq të rrezikshëm sa Donald Trump.
Po ëndrra për ta larguar kandidatin e pazakontë njujorkez është e vjetër tashmë mes Republikanëve. Të përçarë për njeriun që po i përfaqëson, ata do ta kishin hequr qafe me kohë, po të mos ishte ai “problemi i vogël”, që shumica e republikanëve në bazë vazhdon ta mbështesë, ashtu si miliona vetë ish-demokratë, apo njerëz që deri dje nuk votonin për asnjë parti.
Disa analistë thonë se elita republikane është më e kërcënuar nga fitorja e Donald Trump në zgjedhje sesa nga humbja e tij. Nëse humbet, do të shihet si një ëndërr e keqe që përpak e ktheu partinë nga konservatore në një parti nacionaliste, izolacioniste, kundër tregëtisë së lirë, si ato të skajit të djathtë në Europë. Po nëse fiton, me fuqinë e Shtëpisë së Bardhë do të fillojë shndërrimin e partisë, duke shtyrë konservatorët drejt Partisë Demokrate, Libertariane, apo një partie të re.
Po në një vështrim tjetër, këto ndryshime do të ndodhin në Partinë Republikane gjithësesi. Me apo pa Trump, Republikanët nuk mund të ndryshojnë bazën e tyre.
Në këtë situatë, kur Trump është nën presion që të largohet përpara zgjedhjeve, kur edhe ata që mbështesin kanë pasur për herë të parë në fushatë, një moment stepje, debati i dytë me Hillary Clinton erdhi më shpejt se sa duhet.
Çfarë do të bëjë Trump sonte?
Dy janë mundësitë. E para, ai do të përpiqet të rinormalizojë situatën. Ka bërë tashmë një kërkesë faljeje publike, duke premtuar se nuk është më njeriu që ishte në 2005. Për të dëshmuar këtë, ai do të tregohet i përmbajtur, duke e trajtuar rivalen e tij me respektin që nuk beson se e meriton. Do të bëjë disa deklarata të forta në mbështetje të grave dhe të drejtave të tyre. Dhe do të sulmojë Hillary Clinton dhe establishmentin e politikës amerikane duke vënë në dukje se fjalët dhe vendimet e tyre kanë marrë jetë njerëzish, kanë shkatërruar ekonominë e shumë ameruikanëve dhe rrezikojnë të ardhmen e kombit.
Mundësia e dytë është që Trump e ka kuptuar se nuk mund të fitojë dot më kurrë. Që anketimet do të jenë mizore me të, se pa fondet e partisë dhe të donatorëve, çmimi i kësaj fushate mund të jetë i rëndë, se kundërshtarët do të përpiqen ta dënojnë edhe me burg me akuza përdhunimi nëse arrijnë të gjejnë më shumë prova. Nuk ka më të rrezikshëm sesa një ari i plagosur u shpreh qysh të premten një komentator i politikës.
Një Trump që nuk ka më asnjë shpresë fitoreje, që nuk ka më se çfarë të humbë në opinionin publik mund të lëshohet me sulme denigruese e fyese ndaj Hillary Clinton, duke e akuzuar atë si ka bërë tërthorazi dhe mbështetësit e tij hapur, se ka marrë pjesë në mbylljen e gojës së viktimave të përdhunimit të bashkëshortit të saj, Bill Clinton. Trump mund ta kthejë debatin në 90 minuta cirk të turpshëm thashethemesh e skandalesh nga ato të emisioneve vulgare të Jerry Springer e plehra të tjera të televizionit amerikan.
Kjo ndoshta do ta vuloste humbjen e tij në zgjedhje edhe më shumë, e do të siguronte fitoren e Hillary Clinton në 8 nëntor por civilizimi i debatit publik, vetë demokracia amerikane do të njollosej edhe më shumë sesa është njollosur.
Ka argumente të forta, që Trump do të ndjekë versionin e parë. Në fund të fundit, ka edhe një debat tjetër në dorë, nëse përpjekja për rinormalizim dështon me debatin e sontëm. Fushata presidenciale mbaron në 8 nëntor, por jeta si biznesmen dhe figurë publike e Donald Trump do të vijojë edhe më pas nëse humbet. Ndryshe nga Hillary Clinton, ai ka një jetë shumë më të pasur jashtë politikës dhe ka disa vendime për të marrë, jo të gjitha prej të cilave kanë lidhje me zgjedhjet presidenciale.
As nuk përjashtohet që ai të oshilojë mes të dy skenareve, i pavendosur nëse duhet të ruajë një lloj normaliteti apo ta bëjë rivalen e tij dhe opinionin publik të provojnë pak se çfarë mund të bëjë një kandidat për president që del nga binarët.
Edhe sikur të ketë marrë një vendim, Trump mund të provokohet për të ndërruar mendje në mes të debatit. Hillary Clinton fitoi në debatin e parë duke e drejtuar përplasjen aty ku dëshironte. Po sonte, mund të mos ketë dëshirë ta çojë debatin askund. Ajo po fiton sipas anketimeve dhe mund të dojë një status-quo më shumë sesa një rrokullisje figurative me kacafytje në baltë.
E vetmja gjë që është e sigurtë për sonte është se përsëri si asnjë vit tjetër, mbi 100 milionë njerëz do të ndjekin drejtpërdrejt debatin mes dy njerëzve që duan të drejtojnë demokracinë më të fuqishme botës, për t’i dhënë fund një gare të paparë në historinë moderne. (Ruben Avxhiu)

Comment

*