Donatorët premtuan mbi 400 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës

Prishtinë, 29 gusht 2020 – Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se në takimin virtual të Forumit të Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike është konfirmuar se Kosovës do të përfitojë mbi 400 milionë euro nga fondet e donatorëve për zbutjen e dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Kjo shumë do të ndahet për periudhën e mbetur të këtij viti dhe për vitin e ardhshëm dhe është destinuar për disa projekte mbështetëse, për përkrahjen e buxhetit të Kosovës dhe për disa hua për investime.

“Për të mundësuar rimëkëmbjen ekonomike do të hartohet një plan më i detajuar i investimeve më të rëndësishme për 5 vjetët e ardhshëm, i cili do të financohet nga buxheti i vendit, donatorët dhe në bashkëpunim me sektorin privat”, ka njpftuar Qeveria e Kosovës.

Pjesë e këtij Forumi, ku kanë marrë pjesë edhe kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka qenë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Ai ka thënë se plani i qeverisë për rimëkëmbje ekonomike duhet t’i përfshijë të gjithë sektorët dhe qytetarët e goditur.

“Kur Kosova u godit nga pandemia, qytetarët, bizneset dhe organizatat ishin ndër të parat që reaguan. Plani i qeverisë për rimëkëmbje ekonomike mund të shërbejë si shtytës për angazhim domethënës me qytetarët, organizatat dhe sektorin privat për të shfrytëzuar resurset që ekzistojnë tashmë në Kosovë”, ka deklaruar Kosnett.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë thënë se sektori privat do të jetë në fokus të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2020 -2023. Sipas tyre, Qeveria e Kosovës është duke e rishikuar këtë kornizë me qëllim që t’i ndihmojë bizneset e dëmtuara nga pandemia e koronavirusit.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus, në Kosovë janë regjistruar 13. 215 të infektuar nga Covid-19. Prej tyre, 508 kanë vdekur.

(r.m.)

Comment

*