Dr Dafina Bytyqi, laureate e ”Shpërblimit mbështetës 2016” të ASHAK

Prishtinë, 22 prill 2016 – Dr Dafina Bytyqi, është specializante në Klinikën e Ortopedisë dhe të Traumatologjisë në Qendtrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është shpallur fituese e ”Shpërblimit mbështetës 2016” të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).

Dr. Dafina Bytyçin, mjeke, hulumtuese në fushën e mjekësisë, pas përfundimit me sukses të shkollës doktorale trevjeçare në Lyon të Francës, është kurorëzuar me titullin shkencor ”Doktor në Biomekanikë” (Docteur en Biomécanique, Université de Lyon 1).

Kryetari i ASHAK, akademik Hivzi Islami, ka thënë se në konkursin publik për këtë çmim që ka për qëllim mbështetjen e shkencëtarëve të rinj, janë paraqitur 13 kandidatë nga fusha të ndryshme të shkencave.

“Shpërblimi që i jepet sot dr. Dafina Bytyçit konsiderojmë se është një simbolikë e fortë, për arsye se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, si institucioni më i lartë i shkencës dhe i artit në Kosovë, ia njeh punën dhe meritat një të reje, pa i mbushur të 30-tat, për arritjet e saj në fushën e shkencës dhe të hulumtimit. Natyrisht, për shkak të moshës së re, nga kandidatja nuk janë pritur rezultate kulmore shkencore-hulumtuese. Ato rezultate tek pritet të arrihen në të ardhmen dhe qëllimi ynë më i rëndësishëm është që të mbështetet dhe të motivohet doktoresha për punë të mëtutjeshme produktive në shkencë, në këtë rast në shkencën e mjekësisë. Në qoftë se me këtë shpërblim arrihet një shtytje e cila sadopak do t’i shërbejë laureates si një kurajo për ecje përpara në profesion dhe në hulumtime shkencore, atëherë mendojmë se është përmbushur objektivi ynë”, ka thënë akademik Islami.

Raportin e komisionit vlerësues të akademisë e paraqiti akademik Feriz Krasniqi, anëtar i Komisionit.

“Kandidatja Dafina Bytyqi ka bërë një punë solide profesionale e shkencore, në klinikat universitare në vend dhe jashtë tij, krahas ortopedëve të njohur vendorë e botërorë. Punimet e saja shkencore kryesisht janë nga fusha e ortopedisë”, ka thënë Krasniqi.

“Kandidatja Dafina Bytyqi edhe pse e moshës së re, në maj feston ditëlindjen e 30-të, ka rezultate të dukshme profesionale dhe shkencore duke afirmuar punën profesionale dhe shkencore të vendit tonë në suaza ndërkombëtare. Ajo është autore ose bashkëautore e një varg punimesh që janë rezultat i punës së palodhshme të saj, rezultate të cilat ajo i ka prezantuar në takime profesionale e shkencore në tubime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit”, ka shpjeguar akademik Krasniqi.

Laureatja e “Shpërblimit mbështetës 2016” të ASHAK, Dr Dafina Bytyqi, lindi në Prishtinë, më 27 maj 1986. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Prishtinë. Studimet universitare në mjekësinë e përgjithshme i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, në korrik të 2010-tës, me notë mesatare 9.65, kurse shkollën doktorale trevjeçare e përfundoi më 2015 në Universitetin “Lion 1”, në Lion të Francës, dhe mori gradën doktor shkence në biomekanikë.

U doktorua në moshën 28 vjeçare dhe si e tillë konsiderohet kandidatja më e re me titullin doktor shkencë në Universitetin e Prishtinës në fushën e mjekësisë.

ASHAK e ndan për herë të tretë ”Shpërblimin mbështetës”. Laureat i parë, i vitit 2014, ka qenë Qëndrim Gashi, i cili ka arritur rezultate kulmore shkencore në fushën e matematikës, ndërsa laureate e dytë, e vitit 2015, ka qenë dr Pranvera Ibrahimi, e cila ka arritur rezultate të larta në fushën e shkencës së mjekësisë. (Ramadan Muçolli, Illyriapress)

Comment

*