Dr. Ibrahim Rugova, arkitekt i pavarësisë së Kosovës

Me rastin e 11 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta

 

Harry Bajraktari
Sot, përkujtohet 11-vjetori i vdekjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Qysh në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, ai kërkoi liri dhe pavarësi të shqiptarëve në Kosovë, të cilat iu ishin mohuar për një shekull nga regjimet pushtuese serbo-jugosllave.
Merita e madhe e Dr. Rugovës ishte se ai diti ta vlerësojë dhe ta orientojë Kosovën kah perëndimi, e sidomos kah Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitet e vështira të dekadës së fundit të shekullit të kaluar politika hegjemoniste e Millosheviqit kishte projektuar dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe, në njëjtën kohë, sjelljen e kolonëve serbë nga viset tjera të ish Jugosllavisë, duke u përpjekur ta bindte diplomacinë botërore se ajo ishte tokë dhe vend i serbëve.
Ish presidenti i ndjerë Dr. Rugova, duke i njohur mirë pretendimet serbe, ai pandërprerë udhëtoi drejt Washingtonit dhe vendeve të Evropës për të dëshmuar të kundërtën e serbëve, se Kosova që nga antika ishte shqiptare dhe se ajo ishte pushtuar e dhunuar shumë herë nga serbët. Ai me politikën e tij paqësore arriti t’ i bindë vendet e perëndimit e sidomos SHBA që shqiptarët të mbështeteshin në kërkesat e tyre legjitime për liri dhe pavarësi, përballë dhunës dhe terrorit serbe.
Më 10 janar 1945 komunistët serbë e jugosllavë ia pushkatuan babain dhe gjyshin, të cilët kishin kundërshtuar me forcë depërtimin e çetnikëve në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ish presidenti i ndjerë Dr. Ibrahim Rugova ishte mik i imi personal, me të cilin kam pasur shumë takime për çështjen e Kosovës në Washington dhe në New York, gjithashtu edhe në Prishtinë, kur udhëtoja në Kosovë.
Sot me rastin e 11 vjetorit të ndarjes nga jeta e tij, Dr. Ibrahim Rugovën e përkujtojmë si arkitektin më të madh dhe krijuesin e pavarësisë dhe shtetit të Kosovës.
Janar, New York, 2017

Comment

*