Dr. Omer Nishani (në 66-vjetorin e vetëvrasjes)

Nga Luan Çipi

Dr. Omer Nishani, në vitet e fundit të jetës, ishte gati 8 vjet, (nga viti 1946 deri në vitin 1954) Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, por thuajse, e gjithë veprimtaria jetësore e tij, ishte në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, me prirje nacionaliste, demokratike e deri fetare dhe në përpjekje për një Shqipëri të civilizuar e të kulturuar me kahje perëndimore. (Një shtysë për të shkruar për të është edhe se Ai ishte bashkëqytetar dhe mik i kahershëm me babain tim dhe si myhib bektashi, ishin zgjedhur në forumin superior, si anëtarë të Këshillit Botëror Drejtues të Komunitetit Bektashian).

Omer Nishani lindi në lagjen Palorto të qytetit të Gjirokastrës në vitin 1887 në një familje të hershme qytetare. Ai mbaroi shkollën e mesme në qytetin e lindjes dhe studimet e larta për mjekësi në Stamboll.

Në vitin 1922 u emërua internist në Spitalin e Tiranës, që aso kohe ishte në mjediset e “Hotel Elbasanit”, ndërtesë me dy kate e 50 shtretër, përbri sahatit, ku drejtor ishte miku i tij deri në çastet e fundit, doktor Osman Jonuzi.

Nga viti 1923 deri 1924 punoi mjek dermatolog në qytetin e Durrësit.

Në vitin 1924 mori pjesë në revolucionin demokratiko-borgjez, nën drejtimin e Theofan Nolit.

Pas riardhjes së Ahmet Zogut në fuqi, me ndihmën e bajonetave Serbe, Fan Noli me 300 përkrahës ku bënte pjesë dhe Omer Nishani, braktisën Tiranën. Ishte Isuf Hamzari nga Borshi, që i hipi ata në anijen italiane “MOLFETA”, për t’i çuar në Vlorë, e meqë aty nuk gjetën strehë, shkuan në Itali.

 Të larguarit u ndanë në dy grupe, ku grupi i parë i përbërë nga Qamil Çela, Haki Stёrmilli, Selim Shpuza, Reshit Daci, Naum Prifti, Demir Godelli, Ferhat Ekmekçiu, Rexhep Filati Çami dhe të tjerë, morën rrugën për Francë.

Noli vajti fillimisht në Vjenë, ku organizoi Komitetin Nacional Revolucionar (KONARE) dhe u lidhë me lëvizjet ndёrkombёtare revolucionare. Në atë grup mori pjesë dhe Dr. Omer Nishani, i cili jetoi në emigracion për 15 vjet, ku zhvilloi një veprimtari të dendur anti zogiste, për çka u dënua me vdekje në mërgim.

Gjatë kohës që qëndroi në Austri, doktor Nishani u dashurua dhe u martua me shtetasen austriake Rozvita fon Woler (1896-1971). Së bashku me të shoqen u kthyen në Shqipëri, kur u lejuan,  pas largimit të Ahmet Zogut, më 9 prill 1939.

 Në atë kohë e pati të vështirë të sistemohej në punë, por ju ndodh përsëri pranë Isuf  Hamzari, që i gjeti vendin e punës. Omer Nishani shumë shpejt (pa u thelluar mirë, mandej duke gabuar rëndë) u bë Sekretar i Këshillit të Lartë të Fashizmit Italian. Sidoqoftë, Isuf Hamzari, si ish komandanti i parë i Marinës Shqiptare dhe Kapiten i Portit të Durrësit nga viti 1924 deri më vitin 1934, ngeli ndër miqtë dhe përkrahësit e afërt të doktorit.

Në verën e 1943 Omer Nishani, revolucionar dhe antifashist i hershëm, e kuptoi shpejt fajin, braktisi detyrën te italianët dhe mori pjesë në radhët partizane të Frontit Nacional Çlirimtar.

Në Konferencën e Dytë në Labinot (1943) dr. Omer Nishani, u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar. Ai zëvendësoi Kryetarin e Frontit, Kamber Qafmollën, duke u kthyer kështu në figurën më të rëndësishme qendrore, pas Enver Hoxhës.

Në Kongresin e Përmetit në 24-28 maj 1944, u formua Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i përbërë nga 11 veta, ku dr. Omer Nishani u zgjodh kryetar, me funksion të një kryetari të pashpallur shteti, kurse në mbledhjen e II.- të KANÇ-it në Berat, më 20-23 tetor 1944, me vendimin Nr. 14 të Kryesisë, Komiteti u kthye në “Qeveri Demokratike” me po ata persona dhe me po ato funksione, me këtë renditje: Enver Hoxha, Kryeministër, Ministër për Luftën e Komandën dhe Ministër i Punëve të Brendshme; Omer Nishani, ministër i Punëve të Jashtme, detyrë që e ushtroj deri më 12 janar 1946; Medar Shtylla, ministër i Ekonomisë; Bedri Spahiu, Ministër i Rindërtimit; Manol Konomi, Ministër i Drejtësisë; Ramadan Çitaku, Ministër i Financave; Sejfulla Malëshova, Ministër i Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore; Gjergj Kokoshi, Ministër i Arsimit; Spiro Koleka, Ministër i Punëve Botore; Ymer Dishnica, Ministër i Drejtësisë.

Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 Omer Nishani, mori mandatin e deputet të Gjirokastrës, të cilën e fitoi për të dytën herë më 28 maj 1950.

 Më 12 janar 1946,  Dr. Omer Nishani, u zgjodh President i Presidiumit të Kuvendit Popullor, post që e mbajti deri në vitin 1953.

Do të theksoja, me këtë rast, disa detaj të rëndësishëm nga jeta e Dr. Omer Nishanit, që sipas vrojtuesve të vëmendshëm, ndikuan në “rrokullimën” drejt shkatërrimit të këtij burri me veprimtari të shquar:

Në vitin 1944 erdhi në Shqipëri Llazar Papapostoli, i quajtur Lori Post, si oficer i Ushtrisë Amerikane. Ai kishte mbaruar Shkollën Teknike të Harri Fulcit në Tiranë, së bashku me Mehmet Shehun dhe më pas shkoi në SHBA, për të vazhduar studimet e larta. Atje u njoh edhe me Fan Nolin. Më pas u dërgua me mision në Shqipëri, duke u hedhur me parashutë si anëtar i Komandës Anglo-Amerikane, që në atë kohë kishte zbarkuar në Itali dhe mbulonte Shtabin Operativ për Ballkanin. Në Shqipëri ai u bashkua me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë N.Çl. Në vitin 1945 kur u rifut në Shqipëri Misioni i UNRA-s, Llazari u caktua Shef i Misionit për Durrësin. Në një pritje në Hotel “Dajti”  ishte me të afërtit e saj dhe e bija e Isuf Hamzarit, mikut të Dr. Omer Nishanit, e quajtur Hënza, 21 vjeçare dhe mjaft e bukur. Llazari u dashurua me Hënzën qysh me shikimin e parë dhe pas disa javësh, ata u martuan zyrtarisht. U vendosën në një apartament në Durrës dhe aty kaluan edhe muajin e mjaltit.

Organet e Mbrojtjes se Popullit e arrestuan Llazarin për veprimtari armiqësore dhe e burgosën. Hënza, tashmë e njohur si gruaja e tij, për disa muaj shkoi e mori rrogën e të shoqit në Misionin Amerikan. Kjo u gjet si shkak për “shkelje ligjore” dhe për këtë edhe ajo u arrestua dhe u burgos.

Isufi, i ati, shkoi tek miku i tij i hershëm, Omer Nishani, tani Kryetar i Kuvendit Popullor dhe i tha:    

  -Omer, të kam shpëtuar dy herë kokën: Herën e parë kur donte të të arrestonte Ahmet Zogu, isha unë që të hipa në vapor dhe të çova në Itali. Ti emigrove në Austri dhe atje u martove me një austriake.  Herën e dytë, në kohën e Italisë, u ktheve në Shqipëri dhe u bëre Sekretar i Këshillit të Lartë të Fashizmit Italian. Isha unë që të rekomandova, të hapa organikën dhe të caktova rrogën për të ushqyer familjen. Tani, më ndihmo e ma nxirr vajzën nga burgu. Ma shpërble të mirën me të mirë! Omer Nishani pasi u mendua një copë herë, iu përgjigj:

 – Të ndahet! Rrugë tjetër nuk ka. Isufi, tashmë i thyer në moshë, shkoi në burg dhe i tha të bijës të bënte ndarjen që të shpëtonte nga skëterra ku e kishin futur. Ajo pasi e dëgjoi të atin, iu përgjigj:

 – Baba unë e dua burrin tim. Me atë nuk jam martuar për përfitime të çastit.

Ato fjalë asaj i kushtuan 4 vjet qeli të errët, lagështi, sëmundje, izolim e përbuzje. Për pasojë, familja patriote e Isuf Hamzarit, u nxor forcërisht nga shtëpia dhe u çua të banonte për dy vjet në një stallë lopësh, diku nga fundi i Rrugës së Kavajës. Më pas, duke parë vuajtjet e prindërve dhe të vëllait, ajo u detyrua të bënte divorcin dhe u internua në Shkodër pasi në Tiranë konsiderohej njeri i padëshirueshëm. I shoqi, Llazari, bëri 10 vjet burg dhe më vonë u internua dhe ai në Levan të Fierit.

Thonë se kjo ngjarje e hodhi në dëshpërim doktorin, që dallohej për besë dhe karakter të fortë.

Detaji i dytë nga jeta interesante e Dr. Omerit: Në tetor 1947, gjermania Lote Pilku, kishte shkuar të takonte mikeshën e saj, Rozvitën (gruan austriake të doktorit), të cilës i kishte kërkuar të ndërhynte te i shoqi që t’i falte jetën bashkëshortit të saj, Njazi Pilkut. Lotja ishte njohur me Njazi Pilkun (Jazon), në vitin 1922, kur ai ishte student në Gjermani. Ai, mik i doktorit, vite të tëra punoi pranë Ministrisë Bujqësisë dhe Ushqimit dhe më pas u pushkatua si sabotator. Lotja tani e ve, në moshë 48 vjeçare, filloi punë si pastruese te Omer Nishani. Edhe kjo ngjarje, thonë se e uli besimin absolut ndaj doktorit.

Një tjetër detaj: Më 1 tetor 1952 Omer Nishanit i arrestojnë të vëllain, Besim (Beso) Nishanin, me akuzën moskallëzim për arratisje të shokut të tij Bektash Halitit. Deri më 1 mars 1951 Besim Nishani kishte punuar ekonomist në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme. 62 vjeçari ishte marrë i pandehur së bashku me shokun e tij, duke u akuzuar se kishin dashur të arratiseshin në Jugosllavi. Prokurori kishte dhënë pretencën për ta dënuar Beson me 2 vjet burg, por trupi gjykues e liroi sepse Besoja “nuk kishte dijeni për bisedat armiqësore të shokut të tij”. Megjithatë, vëllai i presidentit qëndroi 8 muaj në paraburgim. Arrestimi i të vëllait, ishte një kërcënim e tronditje tjetër, për Omer Nishanin.

Brerje në ndërgjegje, ndofta ndiente edhe pas nënshkrimit për miratim, mbase edhe jashtë vullnetit të tij, të qindra ekzekutimeve me dhe pa gjyq, siç ishte p.sh. rasti i “bombës në Ambasadën Sovjetike”, për çka thuhet se doktori, në shenjë pendimi, kishte goditur deri kokën pas murit.

 Pikërisht atë vit, Rozvita fon Woler ose Trëndafile, “u ftoh’’ në marrëdhënie me të shoqin dhe e braktisi atë duke shkuar të banonte në një shtëpi tjetër.

Në këto kushte e rrethana dëshpërimi e pasigurie, në kuadër të riorganizimit të përgjithshëm shtetëror në vitin 1953, Enver Hoxha e detyroi Omer Nishanin të jepte dorëheqjen.

Më 23 korrik 1953 në mbledhjen e Byrosë Politike, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave, u miratua struktura e re e Këshillit të Ministrave dhe po në këtë mbledhje u rekomandua dorëheqja e Presidentit Omer Nishani dhe zëvendësimin e tij nga veterani tjetër nacionalist, Haxhi Lleshi.

 Më 1 gusht 1953 Omer Nishani i paraqiti Kuvendit Popullor dorëheqjen e tij me shkrim. U përpoqën ta justifikonin largimin e tij me sëmundjet që kishte, tuberkulozin e mushkërive, që në ato vite ishte një sëmundje mjaft e përhapur në vendin tonë.

Pra doktori rra në dëshpërim të thellë edhe pse, herë pas here, shkonin dhe e takonin miqtë e tij të pa ndarë si dr. Osman Jonuzi, dr. Ymer Dishnica, dr. Janko Theodhosi, dr. Besim Zyma, dr. Fejzi Hoxha, Dhimitër Evangjeli, Koço Tashko, Shemsi Totozani, Medar Shtylla, Skënder Luarasi, Sami Baholli e deri Kostë Boshnjaku, etj.


Me sa duket kishte ardhur fundi… Në ora 23.00 të datës 25 maj 1954, dy ditë përpara zgjedhjeve për në Kuvendin Popullor, Omer Nishani, u gjet i vrarë në vilën e tij, si pasojë e dy të shtënave afër zemrës me një pistoletë të markës gjermane me kalibër 7.65 m/m, që ishte armë personale e tija. Gazetat zyrtare “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi” më 27 maj 1954 njoftuan shkurt se 67 vjeçari, vdiq “pas një sëmundje të rëndë”.

 

 NGA LIBRI: “URTËSI, TRIMËRI…’’

One Response to “Dr. Omer Nishani (në 66-vjetorin e vetëvrasjes)”

Read below or add a comment...

  1. Hija says:

    HAHAHAh “ishte në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, me prirje nacionaliste, demokratike e deri fetare”.
    HAHHAAHA “…(pa u thelluar mirë, mandej duke gabuar rëndë) u bë Sekretar i Këshillit të Lartë të Fashizmit Italian”.
    HAHAHAH “e kuptoi shpejt fajin…”

    Kameleoni Omer Nishani, revolucionar bolshevik i thekur, spiun britanik e bolshevik.

    HAHAHAH “veterani tjetër nacionalist, Haxhi Lleshi.”. Spiuni i jugosllaveve dhe britanikeve Haxhi Lleshi.

    HAHAHAHA “…dy të shtënave afër zemrës..”. Njelloj si Mehmet Shehu, qe shqtiu njehere me doren e djathte e nje here me te majten.

Comment

*