Drejtoresha e emëruar e CIA-s Gina Haspel dhe një histori me Nënë Terezën

Ruben Avxhiu

Gina Haspel është emëruar nga Presidenti Donald Trump si drejtoreshë e CIA-s (shkurtim për Agjensinë Qendrore të Informacionit).
Emërimi ka nevojë për miratimin e Senatit Amerikan dhe e kaluara e saj është vënë mënjehërë nën lupën e medias dhe kritikëve, disa prej të cilëve e akuzojnë për pjesëmarrje në rastet e torturave të të dyshuarve për terroristë, në vitet pas 11 Shtatorit.
CIA ka kërkuar ndjesë për këto raste dhe ka ndaluar çdo përdorim dhune në marrjet në pyetje, mirëpo kritikë liberal mendojnë se asnjë zyrtar i përzjerë me atë periudhë nuk meriton të jetë në krye të agjensisë. (Sigurisht ka edhe nga ata që mendojnë se radikalët e huaj, të dyshuar për terrorizëm nuk meritojnë të njëjtat të drejta civile si amerikanët apo ato që njihen nga Konventa e Gjenevës, po në përgjithësi, Kongresi Amerikan, media dhe shumica e opinionit publik, përfshi edhe vetë CIA-n janë pajtuar se torturat në hetim nuk ndihmojnë në zbulimin e të vërtetave dhe nuk pasqyrojnë parimet e agjensisë dhe të demokracisë amerikane.)
Vetë Gina Haspel ka pikëpamje të njëjta dhe ka premtuar se nuk do të ketë një rikthim në vitet e para të shekullit të ri, kur CIA krijoi disa qeli sekrete në vende aleate europiane, pa dijeninë e shërbimeve sekrete të disa prej këtyre vendeve. Ajo thotë se roli i saj në ato vite është zmadhuar për lojëra politike.
Gjithësesi, cilado qoftë e vërteta apo merita për emërimin në krye të agjensisë, media po bën gërmimet e saj për të mësuar më shumë për gruan e fortë të inteligjencës amerikane.
Mes ngjarjeve nga e kaluara që kanë dalë në pah këto ditë është edhe një që ka të bëjë me murgeshën e famshme shqiptare, Nënë Terezën.
Ishte fillimi i viteve 1980, kur Gina Haspel po bënte udhëtimin e saj parë, jashtë Shteteve të Bashkuara, si punonjëse e CIA-s.
Si fillestare asaj i kishte rënë që të punonte gjatë një fundjave, në Ambasadën Amerikane, kur e kontaktuan për t’i dhënë informacionin se kishte telefonuar humanitarja laureate e Çmimit Nobel, Nënë Tereza me dëshirën për të realizuar një bisedë me Presidentin e atëhershëm të Amerikës, Ronald Reagan.
Haspel e kishte ftuar menjëherë për bisedë në Ambasadë, Nënë Terezën dhe ajo i kishte shpjeguar kërkonte të fliste me Presidentin Reagan në lidhje me mungesën e drithit në një vend të tretë, ku mesa duket njerëzit po vuanin për bukën e gojës. Cili ishte ky vend i tretë mbetet ende mister se qeveria amerikane e mban ende të klasifikuar informacionin.
Pas kësaj Gina Haspel u lidh me Departamentin e Shtetit dhe që aty u realizua lidhja telefonike me Presidentin Reagan.
Mirënjohëse për ndihmën që i dha, Nënë Tereza e ftoi Gina Haspelin që të vizitonte një jetimore për të cilën kujdesej. Pas kësaj, fëmijët e jetimores vizituan Ambasadën Amerikane nën kujdesin e Gina Haspelit.
Zonja Haspel ka pasur shumë detyra gjatë karrierës së saj. Ajo flet shumë mirë turqishten dhe rusishten, për shkak të operacioneve që ka drejtuar në Azi, në kohën e Luftës së Ftohtë, por flet edhe spanjisht e frëngjisht.
Nëse miratohet nga Senati Amerikan, ajo do të jetë e para grua në histori që do të drejtojë CIA-n. Gjithashtu, pas George Tennet, prindërit e të cilit ishin emigrant të lindur në Shqipëri, Gina Haspel do të jetë drejtuesja e dytë e CIA-s në histori që ka një lidhje personale me botën shqiptare. (Ruben Avxhiu)

Comment

*