Dritëhijet e Teatrit Kombëtar në Tiranë

Entela Bineri

Nga Entela Bineri

Për një kohë, le ta quajmë të gjatë (8 shkurt 2018 – 17 maj 2020), Teatri Kombëtar në Tiranë mori vëmendje si rrallëherë, paçka se ishte një vëmendje e shpërndarë me dendësi të ndryshme në shtresa shoqërore me synime e qëndrime po ashtu të ndryshme.

Mësymja (nëse mund të emërtohet kështu) ndaj Teatrit Kombëtar nuk ishte e re, përkundrazi; ajo erdhi e përsëritur pas një heshtjeje 20-vjeçare. E nëse në betejën e parë pengesë mbrojtëse pati qenë aradha e artistëve (regjisorë, aktorë, etj.) me një përvojë të gjatë e të shkëlqyeshme në skenë dhe ekran, 20 vjet më vonë ky “sulm” e gjeti teatrin, institucionalisht dhe fizikisht, në gjendjen e vet më të rrënuar…

Ajo çfarë ritronditi më së shumti gjithë bashkësinë artistike – ajo çka qëndronte përmbì ndryshimet në ligjin “Për artin dhe kulturën”, si dhe zhvendosjen e trupës teatrore nga Teatri Kombëtar tek e ashtuquajtura “Arturbina” – ishte, sipas artistëve, arroganca me të cilën u morën vendimet për ndryshimet nga institucioni përkatës, Ministria e Kulturës. Pra, thelbi/burimi i pakënaqësisë së përbashkët ishte qëndrimi shpërfillës i institucioneve shtetërore ndaj artit dhe kulturës përgjatë 3 dhjetëvjeçarëve të fundit.

Pati fillimisht një përbashkim të zjarrtë brenda kësaj bashkësie artistike, nxitur nga ndjesitë e fyerjes dhe poshtërimit, pasigurisë profesionale gjithashtu. Nisën kështu takimet e përjavshme të artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, takime të cilat do të përshkallëzoheshin (në varësi të incidenteve midis qëndrestarëve dhe institucioneve shtetërore) në qëndrim të përditshëm në mbrojtje të tij e më pas, pas rrethimit policor të 24 korrikut 2019, edhe në qëndrim mbrojtës 24-orësh.

Që në takimet e para, çështja në fjalë ka pasur mbështetjen jo vetëm të artistëve të arteve të tjera përveç atyre të skenës dhe ekranit, por edhe atë të intelektualëve të shumë fushave të kulturës (studiues, historianë, arkitektë, juristë, profesorë, gazetarë, studentë etj.) dhe qytetarëve të të gjitha grupmoshave e shtresave shoqërore gjithashtu. Pra, vlen të sqarohet se qëndresa në mbrojtje të teatrit i kapërceu përmasat e ngushta shtresore shoqërore. Ndonëse në çdo pikë të ecurisë së saj ajo mbeti e pamjaftueshme në numër, shumështresëzimi i saj çon në përkufizimin pa ngurim të një qëndrese qytetare shumëkohore të kryesuar nga artistët.

U treguan të ndjeshëm në këtë ngjarje mjaft nga aktorët e brezit të vjetër: Robert Ndrenika, Roza Anagnosti, Guliem Radoja, Mirush Kabashi, Bujar Asqeriu, Justina Aliaj, Mehdi Malkaj, etj., por vetëm pak prej tyre, ashtu si edhe shumë pak prej brezit të ri i qëndruan fjalës së parë. Dikush si, për shembull, Robert Ndrenika (pasuar nga regjisorë e aktorë të një brezi më të ri, si: Alfred Trebicka, Altin Basha dhe Arben Derhemi), vijoi me deklarata të forta e me ngut në kërkesë të një ndërtese të re, duke kundërshtuar kështu vetveten e pak kohëve më parë; shumëkush tjetër zgjodhi të largohet në heshtje nga sheshi i ngjarjes. Pa dyshim që tërheqja e tyre, në kundërshtim të vetvetes dhe në kulm të zemëratës së përgjithshme qytetare zbehu së tepërmi frymën e besimit ndaj moralit njerëzor. Edhe më tepër se kaq, kthesa e këtyre artistëve mpaku energjinë e frymës së krijuar deri atëherë, duke i dhënë përmes kësaj goditjeje një krisje të fortë kundërshtimit ndaj shembjes.

Pati natyrisht një çengel tek i cili u varën të gjitha orvatjet shembëse dhe ajo ishte: Mungesa e sigurisë teknike e ndërtesës! Ishte ky shkaku i përmendur që në fillesat e këtij synimi shembjeje prej Ministrisë së Kulturës, siç dëshmohet edhe prej një kronike të nëntorit të vitit 1998, të risjellë nga Rtv Klan[1]. Mirëpo natyrshëm lindi pyetja në vitin 2018: çfarë ishte bërë që prej vitit 1998 e tëhu? Asgjë. Koha pati ngrirë për ndërtesën “fashiste” të Teatrit; asnjë qeveri nuk ishte kujtuar për ripërtëritjen e ndërtesës, e cila nga ana e saj, për ironi, nuk e pati parë të arsyeshme të binte e të zinte ndokënd përfund as nga lëkundjet e forta sizmike që prekën Tiranën e 26 nëntorit 2019.

E pikërisht pas këtij vërtetimi, qëndrueshmërisë kokëfortë të ndërtesës ndaj dukurive natyrore, vjen një tjetër shkrepje shkëndije: mosshembja e Teatrit bëri të kuptohej se fjala “shembje” që do të duhej përdorur e fundit, ishte përdorur e para si shenjë e dhunimit psikologjik jo vetëm ndaj artistit, por edhe qytetarit. Përdorimi aspak i kujdesshëm i fjalës “shembje”, sidomos kur bëhet fjalë për një ndërtesë dhe hapësirë historike e kulturore, përforcoi në vetëdijen e vëzhguesit të vëmendshëm apo edhe në nënvetëdijen e çdo të pavëmendshmi ndjesinë e vetëmbrojtjes që vjen pas kanosjes, rrezikut (vetëmbrojtje e cila u shfaq, në dukje, në formën e shpërfilljes së çështjes nga ana e qytetarit apo, pse jo, edhe artistëve në përgjithësi)…

Meqenëse lëkundjet e forta të tokës e shembën mundësinë e shembjes vetvetiu të ndërtesës, një tjetër pretendim ngriti krye përballë opinionit publik: ai estetik. Pavarësisht se përballë qëndronte një shoqëri e tulatur, vëmendja e saj duhej “rrëmbyer”. E meqë në ditët tona, në ditë bjerrjeje të shijes estetike, të cilësisë artistike po ashtu, është shumë e lehtë që njerëzit e thjeshtë të çoroditen, aq më tepër kur i prek në paditurinë e tyre mbi vlerat e mirëfillta arkitekturore, pa qenë njohës të fushës përkatëse, lindi domosdoshmërisht nevoja të shprehen në kundërshtim të planit shkatërrues të Teatrit edhe: Unioni i Arkitektëve (AUA), Shoqata e Arkitektëve (SHASH), Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë dhe shoqata ndërtuesish[2], qëndrim që sigurisht nuk u mor parasysh.

Vetëkuptohet që në një shoqëri në lëvizje të vazhdueshme (jo vetëm gjeografike, brenda dhe jashtë kufijve shqiptarë) – për pasojë, të pasigurt e të cunguar kulturalisht – pakkush u përqendrua te vlera historike e ndërtesës… Mirëpo, para se të shqyrtohen vlerat arkitekturore të një ndërtese, duhet të vërehet ajo që shenjëzon ndërtesa përkatëse në kujtesën e përbashkët të një populli. Do të qe pikërisht historiani Aurel Plasari[3] i cili do të rendiste, me njohuri e oratori të admirueshme, një tërësi institucionesh artistike e kulturore të ngjizura në atë ndërtesë, pa lënë mënjanë veprimtaritë e rëndësishme me karakter politik që patën qenë zhvilluar aty. Prapëseprapë, pavarësisht vlerave të pakundërshtueshme nga pikëpamja historike, as të dhënat e këtij artikulli nuk do të ndalnin dot rrënimin forcërisht të një ndërtese dhe të asaj çka ajo përfaqësoi nga shfaqja në shfaqje rreth tetëdhjetë viteve qenësi/ekzistencë.

Ardhur sërish në pikën e nisjes, në atë të 20-22 viteve më parë, befas u duk e habitshme se si në gjithë këta vjet – sigurisht edhe më herët, por le ta nisim “erën tonë” që nga viti 1998 – nuk qenkëshin gjendur vullneti e mundësitë financiare për ta mëkëmbur atë ndërtesë, e cila për hir të historisë, nuk ishte vetëm një ngrehinë dhe për hir të arsyetimit të paanshëm nuk ishte një detyrë e papërmbushur vetëm prej qeverisë në pushtet. Në historinë e gjatë të ish-ndërtesës së TK-së, qeveritë shqiptare patën dëshmuar një mungesë të dukshme profesionalizmi dhe ndjeshmërie sado të vogël në lidhje me mundësitë e zgjidhjes së gjendjes.

Sidoqoftë, shembja e ndërtesave me vlerë historike, apo edhe thjesht shembja e ndërtesave që përfaqësojnë një lloj identiteti arkitekturor, është kthyer tashmë në dukuri. Teatri Kombëtar s’ishte veçse kulminacioni i kësaj shfarosjeje historiko-kulturore, çka dëshmon, pa dyshim, paaftësinë e shoqërisë shqiptare në ndërtimin e një hapësire të shëndetshme në të gjitha pikëpamjet, veçanërisht në pikëpamjen kulturore.

Pavarësisht kësaj, siç u përmend më herët, prania aktive (me ligjërim) apo pasive (thjesht pranì) e intelektualëve të ndryshëm nuk qe e munguar. Mbajtën fjalë në kundërshtim të shembjes, në sheshin e Teatrit: Përparim Kabo, Fatos Lubonja, Adrian Krasta, Elvis Hoxha etj.; zhvilluan biseda ndërgjegjësimi, duke pasur epiqendër Teatrin dhe gjithçka që lidhej me dukurinë që ai përfaqësonte: Bujar Llapaj, Ilir Mërtiri, Primo Shllaku, Nezir Kraki etj. E pazëvendësueshme, për peshën e fjalës prej profesionisti, për ndjeshmërinë artistike e njerëzore, për arsyetimin e paanshëm, ishte edhe prania e arkitektit Maks Velo.

Nuk mungoi as mbështetja e menjëhershme e artistëve, intelektualëve nga Kosova, të cilët u shprehën përmes deklaratave (Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës); përmes shfaqjeve teatrale të trupave të ardhura nga Kosova, të cilat ishin të shumta në numër. Veçojmë ndër interpretuesit e shfaqjeve aktorët: Justina Aliaj, Mehdi Malkaj, Arben Bajraktaraj, Naim Berisha, Besmir Haliti etj. Nuk munguan as artikujt ndërgjegjësues pikërisht nisur nga ky shqetësim e përmendim ndër ta këta autorë shkrimesh: Rubens Shima, Ardian Vehbiu, Agron Shala, Nebi Bardhoshi, Emin Riza, Gent Kaprata, Roland Bejko, Sherif Bundo, Besnik Dizdari, Red Varaku etj., etj. U shprehën në mbrojtje të tij emra të njohur si: Artan Raça (arkitekt), Fatbardh Marku, Bashkim Zahaj etj., etj., etj. Nga ana e tij, teatri “Migjeni” në Shkodër shfaqi vijueshmërisht mbështetjen e vet. Kurse për sa i përket fushës së muzikës, të vetmit që interpretuan në sheshin e Teatrit në shenjë mbështetjeje, ishin Irma Libohova dhe Gjergj Kaçinari.

Vlen të përmendet domosdoshmërisht prania e artistëve pamorë. Të pranishëm që prej nisjes kanë qenë artistë si: Eldon Luarasi, Mira Kuçuku, Pleurad Xhafa, Ergin Zaloshnja, Armando Lulaj etj. Ka qenë pikërisht “Debatik”, qendër e artit bashkëkohor pamor e cila në një mënyrë apo një tjetër diti të jetë afër shqetësimit në fjalë përkundër heshtjes “mondane” të shumë artistëve të rinj të hapësirës shqiptare. Do të ishte kryesisht thirrja e kësaj qendre arti ajo që do të tërhiqte vëmendjen e artistit pamor shqiptar, të njohur ndërkombëtarisht, Adrian Paci, që të shprehej për këtë çështje. Do të ishte thirrja e saj para dhe pas shembjes së Teatrit Kombëtar ajo që do të vinte para përgjegjësisë për t’u shprehur artistë shqiptarë dhe të huaj. Gjithashtu, qendra të artit pamor si “Zeta” dhe “Tirana Art Lab” patën bashkëpunuar me artistë të ndryshëm në realizimin e ekspozitave për ndërgjegjësim qytetar.

Por dukshëm, bashkësia artistike, pas vrullit të parë, u nda në dy kampe: në ata që dolën hapur me fjalën dhe qëndrimin e tyre dhe në ata që u quajtën rëndom “zona gri”. Këta ishin artistët (jo të paktë) që parapëlqyen të mos cenojnë qetësinë apo përfitimet e mundshme, duke zgjedhur të rrinë në hije. Sigurisht, nuk munguan as përplasjet e brendshme midis grupimeve të asaj që, që në krye të herës, u quajt Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila pikërisht për arsye vetëmbrojtjeje zgjodhi të mos kishte kryesi; prapëseprapë, duke mos arritur t’u shpëtojë krisjeve në verën e vitit 2019, ajo u nda në AMT (Kastriot Çipi, Mirela Çela Jorgo, Andi Tepelena, Elona Caslli, Martin Gjonaj, Endrit Yzeiraj, Marin Gjonaj) dhe AMTZ (Edmond Budina, Robert Budina, Neritan Liçaj, Ervin Goci, Adriana Kalaja, etj.) në dhjetor të po atij viti.

Ishte pikërisht kjo një goditje e rëndë, pas goditjes së largimit demonstrativ të 4 artistëve një vit më parë. Në ndryshim nga ai largim, AMT-ja dhe AMTZ-ja vazhduan të kenë të njëjtin qëndrim karshi çështjes së përbashkët, por pikëpamje të ndryshme organizative, veçse tashmë, AMT-ja, e dëbuar nga AMTZ-ja, vendosi të zhvillonte veprimtari në emër të Aleancës, por në mjedise jashtë hapësirës së Teatrit Kombëtar. Këto ishin veprimtari me tematika të ndjeshme politiko-shoqërore, ku u ftuan emra në zë të fushës juridike, politike, publicistike etj., si: Afrim Krasniqi, Jordan Daci, Altin Goxhaj, Dorian Matlija, Endri Tafani, Behar Gjoka, Ben Andoni, Kreshnik Osmani, Eglantina Alliaj etj. A ishte kjo ndarje pasojë e trysnisë së fortë të cilën po e përjetonte shumëkush prej të pranishmëve në shesh apo ishte pasojë e intrigave përçarëse, për këtë nuk mund të flitet me bindje (ose ndryshe, me fakte). Është e rëndësishme të thuhet se njerëzit e përfshirë në atë ngjarje, gati të përditshëm në shesh, mbajtën për një kohë të gjatë një peshë që, nëse do të ishte ndarë me një bashkësi më të gjerë, sigurisht që do të kishte përftuar një tjetër përfundim. Pa dyshim që, në përfundimin e 17 majit 2020, ndikoi edhe shpallja e pandemisë Kovid-19.

A e kishte mundësinë AMT-ja ta zgjeronte rrezen e ndjekësve të vet? Parë nga një këndvështrim i caktuar, mund të thuhet se po. A ishte kjo mungesë pasojë e paaftësisë apo e një plani të paracaktuar nga elementë të caktuar, në mënyrë që ndjekësit të ishin vetëm ithtarë/ushtarë të Partisë Demokratike me të cilën AMT-ja (në atë kohë e pandarë në dy grupime ende), një ditë pas rrethimit policor 1-ditor të Teatrit, lidhi marrëveshje[4]? As kjo nuk mund të marrë përgjigje përfundimtare, të paktën sot për sot.

Një nga fitoret gëzimshkurtra të Aleancës ishte përzgjedhja zyrtare e Teatrit Kombëtar nga Europa Nostra si një prej 7 monumenteve kulturore më të rrezikuara të Evropës në mars të 2020-ës çka nënkuptonte se organizata më e madhe me shtrirje në hapësirën mbarë evropiane, e cila merret me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, do të përdorte të gjithë rrjetin e saj për të këshilluar mundësi për mbrojtjen e tij, përmes projekteve restauruese. Mirëpo edhe ky lajm, i cili dukej se do të lehtësonte barrën e taksapaguesve shqiptarë, por mbi të gjitha do të zgjidhte ngërçin shumëvjeçar, nuk rezultoi bindës…[5]

Një tjetër arritje, pavarësisht përfundimit fatal, ishte vëmendja e jashtëzakonshme që çështja e Teatrit Kombëtar mori përgjatë gjithë qëndresës 2.5-vjeçare. Kjo vuri në dukje se ajo nuk ishte/është vetëm çështje historike, arkitekturore, urbanistike dhe kulturore; krijimi i një qëndrese të fortë qytetare për lirinë dhe dinjitetin e qytetarit ishte dhurata më e madhe që Teatri i bëri shoqërisë me shfaqjen e tij të fundme. Për rrjedhojë, kjo ishte një betejë e cila nuk mori fund me mbrojtjen/humbjen e një ndërtese.

Ky kundërshtim (kjo protestë) përbën në vetvete kundërveprimin më jetëgjatë ndaj një vendimi qeveritar në hapësirën shqiptare, një vendim i cilësuar i padrejtë nga kundërshtuesit. Ngjarja në fjalë ngjalli shpresë për dinjitet, ndonëse në përmbyllje të saj ajo riktheu mendimin se sheshet e vetëquajturara të lira të kundërshtimeve/protestave janë ende sheshe të varura; jo rrallë u përfol nga shumëkush se aty ndodh farkëtimi i figurave të reja politike, kuptohet kur ato figura shquhen për aftësi oratorike dhe ndërvepruese me turmën në emër të së cilës “luftuan”…

Për rrjedhojë, sheshi i Teatrit Kombëtar ishte pasqyrimi i një shoqërie në rritje, por jo i një shoqërie të rritur tashmë. Ai nisi i lirë, por nuk arriti të vijonte i tillë deri në përmbyllje. Sigurisht, duke u shtrirë kaq gjatë në kohë një kundërshti/protestë, ajo ishte dhe mbetet një dukuri e papërjetuar më herët, për rrjedhojë, ndikuese pa dyshim në vetëdijen shoqërore shqiptare.

Sigurisht që ky artikull s’është veçse një rikujtesë e thjeshtë përmbledhëse, e cila ka lënë jashtë për arsye hapësire shumë mbështetës e shumë arsyetime që vlejnë të përmenden, të shqyrtohen e rishqyrtohen. Është natyrisht paksa herët për të folur ftohtë dhe thellë për Teatrin dhe dramën politiko-shoqërore që u luajt në kurriz/sheshin të/e tij, por ajo që nuk mund të lihet jashtë vëmendjes ishte/është prania e qytetarëve të pazëshëm, të cilët u përfshinë në shesh pa synim spikatjeje, pa egocentrizëm, pa arrogancë, por me largpamësinë e thjeshtë të asaj shtrese shoqërore që shkon pa zhurmë aty ku vendi i vet është i domosdoshëm.

Në fund të kësaj historie të bujshme, vlen të rikujtohet se shembja e Teatrit Kombëtar e bashkë me të edhe e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” u krye në mënyrën më ainstitucionale të mundshme, në një mënyrë të dhunshme e të papranueshme për sytë e opinionit publik.

Çfarë do të ndodhë tashmë me trojet e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”? A do të jetë po ajo hapësirë në shërbim të ndërtesës teatrore të premtuar? Cili projekt do të zbatohet për ndërtesën zëvendësuese? Këto janë pyetje që duhej të kishin marrë përgjigje të qetë dhe të qartë institucionalisht, para se të merrej vendimi për asgjësimin e dy ndërtesave. Mirëpo gjithçka çfarë ndodhi: mungesa e studimeve mbi cilësitë e ndërtesës; përpjekja për tjetërsim të truallit publik në privat; hartimi me ngut i ligjit special për teatrin; përfshirja pa konkurs e projektit të arkitektit Bjarke Ingels[6]; përdorimi i figurave të ndryshme të artit nga propaganda (nga ana tjetër, vetafrimi i të tjerëve në mbështetje të çështjes[7],[8],[9],[10]); paaftësia e ndërsjellë midis institucioneve shtetërore nga një anë dhe e mbrojtësve të Teatrit nga ana tjetër për të mbërritur në një zgjidhje të paqtë, dëshmojnë, deri tani, një vijueshmëri aspak shpresëdhënëse…

 

[1] https://www.youtube.com/watch?v=DvDVdKUOqQA

[2] https://www.newsbomb.al/emrat-77-arkitekte-urbanise-e-konstruktore-hedhin-firmat-jo-shembjes-se-teatrit-leter-metes-rames-rucit-e-veliajt-126679

[3] http://www.panorama.com.al/kazma-kunder-historise-te-kthehet-kunder-vetes/?fbclid=IwAR04wbCZCxecVfc3J9sBHyCOvBcmzPw-JxjP2zRa3XzBFkBZFPDHWzzOtuo

[4] https://dosja.al/vijon-rezistenca-e-artisteve-te-teatri-kombetar-licaj-rama-dhe-veliaj-po-e-shikojne-forcen-tone/

[5] https://exit.al/teatri-kombetar-shpallet-sit-i-rrezikuar-nga-europa-nostra/

[6] http://www.panorama.com.al/bjarke-ti-je-vrases-me-pagese/

[7]https://www.faxweb.al/mos-i-trazoni-te-vdekurit-z-kryeminister-eldon-luarasi-per-faxnews-teatri-amaneti-i-tim-eti-i-fali-atij-dhe-jeten/

[8] https://www.youtube.com/watch?v=a0qIa8dZxGY

[9] https://www.youtube.com/watch?v=ouggypDHMuM

[10] http://www.standard.al/2019/07/31/rrenqeth-kengetarja-e-njohur-nese-eshte-nevoja-une-ulem-ne-gjunje-per-teatrin/?fbclid=IwAR3d7ITSzG_CPjgq3jOiGWFNFXgviKuo1iqMKEA99eVn7DGM4a2pi7UYNPY

Comment

*