Dua Lipa flet me “RollingStone” për jetën e saj në Kosovë

Londër, 24 shkurt 2018 – Dua Lipa sot është një nga këngëtaret më të suksesshme në botën e muzikës. Pak ditë më parë, ajorrëmbeu dy çmime “Brit Awards”, nga pesë sa ishte nominuar.

Por, për këngëtaren duket se nuk ka qenë e lehtë të mbërrijë aty ku është. Në një intervistë për revistën prestigjioze “Rollingstone”, ajo ka folur për jetën e saj në Kosovë.

Edhe pse ka lindur në Londër, Dua di shumë mirë për vuajtjet e prindërve të saj dhe për periudhën e vështirë që kaluan kur emigruan në Britaninë e Madhe.

“Ata punuan shumë, me të vërtetë shumë dhe derisa punonin, babai im vijoi shkollën për të marrë një diplomë biznesi, pastaj një master në gazetari dhe më vonë filloi të merrej me reklamime. Kurse nëna, kur u transferuam në Londër, studioi për turizëm”, ka treguar ajo.

Gjatë intervistës, Dua ka treguar se në periudhën e adoleshencës ajo ishte kthyer për të jetuar në Kosovë, por e kishte pasur të vështirë të përshtatej.

“Mund ta flisja gjuhën, por nuk mund ta lexoja e ta shkruaja mirë, kështu që kjo lëvizje ishte dekurajuese. Fëmijët tjerë nuk bënin gabime drejtshkrimore në detyrat e shtëpisë. Dhe jo vetëm kjo, por thjesht, duke qenë vajzë e re në shkollë, të gjithë kishin formuar miqësitë e tyre”, ka thënë ajo.

Dua Lipa ka në programin e kësaj vere edhe një koncert në Prishtinë. Sipas axhendës së saj, koncerti do të mbahet më 10 gusht. (r.m.)

Comment

*