Dua Lipa ia jep Prishtinës imazhin e metropoleve botërore

Prishtinë, 11 gusht 2016 –  “Unë jam Dua Lipa”, ka thënë dy herë protagonistja e mbrëmjes që tuboi mbi 20 mijë veta, bllokoi përkohësisht trafikun në një pjesë të kryeqytetit dhe finalizoi atë që këngëtarja e paralajmëroi qysh kur shkeli në vendin e origjinës: një koncert të përmasave evropiane, shkruan sot Koha Ditore.

Rituali i prezantimit në koncert mbetet vetëm formalitet kur është fjala për një këngëtare që ka shkelur skenën e “Glastobury”-it, ka interpretuar në një spektakël që ka audiencë prej mbi 11 milionë shikuesish në mbarë botën dhe që po shijon rrugëtimin e saj të paralajmëruar nga mediat botërore si “yll në ngritje”. Në Prishtinë duket se të gjithë e njohin Duan.

Në një skenë të përmasave gjigante të ngritur në Parkun e Gërmisë, me ndriçim profesional, zërim të fuqishëm, të martën mbrëma, Lipa – këngëtarja kosovare që jeton në Londër – ka dëshmuar se jo rastësisht veçohet për përzierjen mjeshtërore që u bën dy zhanreve më të popullarizuara muzikore të kohës: pop-muzikës dhe hip-hopit.

Me interpretimin e hiteve të saj që kanë prekur top-listat më të njohura muzikore, këngë nga albumi i saj i parë që do të lansohet vitin që vjen, përpunime të hiteve të njohura botërore dhe një kënge shqipe të një rock bendi të njohur, Lipa ka përmbushur ëndrrën e saj që të interpretojë para audiencës së vet. Koncerti i saj i parë në Kosovë, përveç performancës magjike, është cilësuar testim i suksesshëm i atyre që organizuan një spektakël që jo shpesh ndodh në kryeqytet. /Koha.net/

Comment

*