Duda Balje: Përfaqësuesit e boshnjakëve në Kuvendin e Kosovës u zgjodhën nga Lista Serbe

Prishtinë, 19 shkurt 2021 – Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e cila është kryetare e Bashkimit Social-demokrat, ka thënë se Adrijana Hoxhiq është zgjedhur deputete e Kuvendit të  Kosovës me votat që ia ka siguruar Lista Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi.

Ajo ka shpjeguar se si është bërë kjo.

“Në zgjedhjet e fundit të vitit 2019, Lista Serbe i kishte 10 mijë vota tepërta që u përkasin serbëve. Pra, duke pasur parasysh që këto vota nuk i kishin të nevojshme, ata bënë plan për t’i përdorur ato për të ‘sulmuar’ pakicat tjera kombëtare. Ata e zgjodhën Adriana Hoxhiqin të  iniciativës qytetare “Komuniteti i bashkuar”, e cila ka qenë edhe nënkryetare e komunës së Mitrovicës Veriore”, ka thënë Duda Balje, në një intervistë për mediumin boshnjak klix.ba.

Duda Balje ka thënë se nga votat e numëruara del se subjekti i Adrijana Hoxhiqit i ka fituar dy prej tri vendeve të rezervuara për komunitetin boshnjak në Kuvend të Kosovës. Ajo ka theksuar se Hoxhiq do të marrë një pozitë që nuk i përket, sepse nuk e përfaqëson vullnetin e vërtetë të pakicave.

“Kjo është edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës që thotë se pakicat duhet të përfaqësohen nga njerëz të zgjedhur nga anëtarët e po atyre pakicave”, ka shtuar Balje.

Ajo ka thënë se është veçanërisht e trishtuar për shkak se ka shumë të ngjarë që në këtë “lojë” të ketë marrë pjesë edhe ish-subjekti i saj, Koalicioni “Vakat”,

Duda Balje ka thënë se Lista Serbe ka për qëllim që t’i ketë nën kontroll 14 nga 20 vendet e rezervuara për pakicat, të cilat do të mund të përdoren kur do të zgjidhet presidenti i ardhshëm i Kosovës.

(r.m.)

Comment

*