DUKE PRITUR BARBARËT

Muhamet HAMITI

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

(Poezi e Constantine P. Cavafy-it)

 

Çka po presim, të mbledhur në forum?

Barbarët duhet të vijnë sot këtu.

Pse nuk po ndodh asgjë në senat?

Pse senatorët rrinë aty po nuk bëjnë ligje?

Sepse barbarët do të vijnë sot.

Çfarë ligjesh mund të bëjnë senatorët tash?

Kur të vijnë barbarët, do t’i bëjnë ligjet vetë.

Pse është zgjuar kaq herët perandori ynë sot,

Dhe pse rri ulur në fronin e vet në portën kryesore të qytetit,

Me hijeshi fisnike, me kurorë veshur?

Sepse barbarët do të vijnë sot

Dhe perandori po pret ta pranojë prijësin e tyre.

Ai madje ka përgatitur një pergamenë me tituj e ndere të larta.

Pse kanë ardhur dy konsujt tanë dhe pretorët

Të veshur me togat e tyre të qëndisura, të kuqe?

Pse kanë byzylykë me kaq shumë ametistë,

Dhe unaza që shkëlqejnë nga emeraldë të mrekullueshëm?

Pse mbajnë bastunë elegantë

Punuar për bukuri në ar e argjend?

Sepse barbarët do të vijnë sot

Dhe gjërat si këto ua marrin mendtë barbarëve.

Pse nuk paraqiten oratorët tanë të spikatur si zakonisht

Për të mbajtur fjalime, për të thënë fjalën e vet?

Sepse barbarët do të vijnë sot

Dhe i kanë mërzi oratorinë dhe demagogjinë.

Pse befas ky nervozizëm, kjo habi?

(Sa serioze janë bërë fytyrat e njerëzve).

Pse po boshatisen kaq shpejt rrugët dhe sheshet,

Të gjithë po shkojnë në shtëpi të rënë në mendime?

Sepse nata ka rënë e barbarët nuk kanë ardhur.

Dhe njerëzit tanë që sapo u kthyen nga kufiri thonë

se nuk ka më barbarë.

Dhe tani, çka do të ndodhë me ne pa barbarët?

Ata njerëz ishin njëfarë zgjidhjeje.

Përktheu nga anglishtja Muhamet Hamiti, simbas përkthimit nga Ed­mund Keeley/Philip Sherrard (në radhë të parë) por duke konsultuar edhe përkthimet në anglisht nga Stratis Haviaras, John Cavafy dhe John Chioles, përkatësisht.

Marrë nga libri i Muhamet Hamitit “Besimi letrar”, 2016, ff. 233-234.

Në poezinë e Kavafit (Constantine C. Cavafy, 1863-1933) “Duke pritur barbarët” i gjithë qyteti është në trazim në pritje të ardhjes së barbarëve. Poezia prej 35 vargjesh ka formë dialogjike, ndërtohet si bashkë­bisedim i dy folësve: i pari shtron pyetje, i dyti, që është zëri i civilizimit, jep përgjigje.

Entuziazmi paradoksal i popullit për ardhjen e barba­rëve kalon nëpër habi dhe hutim, dhe mbaron në dëshpërim kur merret vesh se barbarët nuk do të vijnë.

Dy vargjet e mbrama të poezisë

Dhe tani, çka do të ndodhë me ne pa barbarët?

Ata njerëz ishin njëfarë zgjidhjeje.

shqiptohen nga folësi i parë, apo, madje një folës i tretë, i paidentifikuar, që mund të jetë poeti/vëzhguesi, simbas ndo­një interpretuesi.

Pozita e folësit të parë te Kavafi është e habitshme. A është ai pjesë e komunitetit, qytetar? Nëse po, pse shtron aq shumë pyetje? Si mund të jetë aq i padijshëm për situatën?

Poezia e Kavafit në rrafsh syzheu situohet në një qytet dekadent që nuk definohet historikisht, por që i ngjan shumë Romës klasike, por në rënie (perandori, konsujt, pretorët, oratorët). Në një lexim më universalist, vendndodhja do të mund të ishte edhe Konstantinopoja. Apo, në një lexim më kontekstual dhe aktual, Egjipti i fundshekullit XIX. Shkrim­tari Kavafi, pjesëtar i komunitetit grek në Aleksandri të Egjip­tit, ishte nëpunës administrativ i Perandorisë Britanike në Egjipt. (M. Hamiti, “Besimi letrar”, ff. 220-221)

Comment

*