Dy deputetë të LDK-së reagojnë ashpër ndaj propozimit për shkarkimin e Vjosa Osmanit

Prishtinë, 20 qershor 2020 – Fatmir Rexhepi dhe Haxhi Avdyli, deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvvendin e Kosovës, kanë reaguar ashpër ndaj propozimit të kryetarit të partisë, Isa Mustafa, për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së kryesisë së LDK-së.

Deputeti Rexhepi e ka cilësuar propozimin për shkarkim si akt ofendues për LDK-në.

“Jam befasuar. Ishte veprim i pavend. Në momentin kur po ndryshohen shumë punë politike, qoftë në parlament, qoftë në zgjidhjen e çështjeve të mëdha si dialogu dhe tjera të zhvillimit të vendit, me gjetë kohë të merresh me këtë punë, mendoj se është gabim shumë i madh i kujtdo që e ka iniciuar, kryetarit apo anëtarëve të tjerë të kryesisë. E vlerësoj plotësisht të pavend që përmes e-mailit tregon nivelin ku ka rënë partia”, ka thënë Rexhepi për KOHËN.

“Ky është një ofendim i madh, jo vetëm për mua, por për të gjithë anëtarësinë e LDK-së. Kjo s’është në frymën demokratike”, ka thënë Rexhepi.

Ndërsa deputeti Haxhi Avdyli e ka quajtur absurd propozimin për shkarkim të zonjës Osmani.

“Kjo iniciativë e Isa Mustafës dhe grupit rreth tij është absurde, e pakuptimtë dhe që i përngjan më shumë diferencimit ideo-politik të sistemeve të kaluara. Sepse s’mundet dikush që prej 2013-s kur e ka humbur Prishtinën të diferencojë dikë që e ka besimin qytetar. Mendoj se LDK-ja me këtë veprim degradon thellë nga një parti ku është vlerësuar dhe ka pasur diskutime e divergjenca në një parti ku vendos lideri, që diferencon, dënon dhe, siç ka lajmëruar, edhe do t’i mbyllë listat dhe të vendosë çdo gjë sipas kutit të tij. Mendoj se ky veprim i tij nuk do të marrë besimin e Këshillit të Përgjithshëm, sepse aty ka burra e gra të mira që e duan LDK-në”, ka thënë Avdyli.

Ai ka thënë se nëse dikur duhet të shkarkohet nga LDK-ja, ai është vetë Isa Mustafa.

“Nëse dikush duhet të shkarkohet me vendim të LDK-së është vetë ai, i cili mendon me një qasje të tillë absurde, por sidoqoftë ne do të pranojmë çdo veprim të Këshillit të Përgjithshëm shumë qetë”, ka thënë Avdyli.

Ai ka thënë se shkarkimi eventual i zonnjës Osmani do të dëmtonte rëndë LDK-në.

“Kjo do ta trondiste besimin e njerëzve në LDK dhe do t’i japë një goditje të rëndë besimit të tyre, sepse Vjosa Osmani nuk e përfaqëson vetëveten, por më se 206 votues të LDK-së.

Deputetët Fatmir Rexhepi dhe Haxhi Avdyli, sikurse edhe Vjosa Osmani, nuk kanë votuar për qeverinë aktuale të Kosovës, të kryesuar nga Avdullah Hoti. Për këtë arsye, nuk e përjashtojnë mundësinë që edhe ndaj tyre të merren masa nga udhëheqja aktuale e LDK-së.

“Kjo s’do të ishte çudi”, ka thënë Rexhepi.

“Iniciativa për shkarkim do t’i prekë të gjithë ata që mendojnë ndryshe, sepse po duan një parti ku për të gjithë mendon vetëm lideri, kurse ne jemi vetëm aty vetëm për të ngritur dorën”, ka thënë Avdyli. (r.m.)

Comment

*